Millan Radoiçiq, i cili e kishte marrë përgjegjësinë për udhëheqjen e sulmit të armatosur në veri të Kosovës më 2023, nuk është paraqitur më 15 nëntor në stacionin policor të Savski Venacit në Beograd, siç është i detyruar sipas vendimit të Gjykatës së Lartë në këtë qytet.
Kështu raportoi më 17 nëntor Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), duke iu referuar burimeve të veta.
Gjykata e Lartë në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se nuk do ta bëjë të ditur asnjë informacion që vjen nga policia.
"Mbetemi në të njëjtin qëndrim që ju kemi dërguar dje", thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Bëhet fjalë për qëndrimin se Gjykata e Lartë në Beograd po mbikëqyr zbatimin e masës së shqiptuar ndaj Radoiçiqit, sipas së cilës ai duhet të paraqitet në polici, dhe se "në bashkëpunim me organet kompetente po ndërmerren të gjitha veprimet e parapara për kontrollin e respektimit të detyrimit të shqiptuar".
SHIKONI EDHE:
Gjykata hesht për Radoiçiqin mes raportimeve se ka ikur në RusiREL-i u përpoq të kontaktonte edhe avokatin Goran Petronijeviq, i cili e përfaqëson Radoiçiqin, por ai nuk iu përgjigj telefonatave dhe mesazheve.
Radoiçiq, i cili kërkohet nga policia ndërkombëtare, INTERPOL, për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës, është nën hetime nga Prokuroria e Lartë Publike në Serbi.
Ndërkohë, prokurorët në Kosovë i ngarkojnë 45 persona për këtë sulm, në të cilin mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës.
Tre prej sulmuesve janë dënuar, ndërsa të tjerë të dyashuar, përfshirë Radoiçiqin, janë në arrati.
SHIKONI EDHE:
Kurti: Radoiçiq duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë për sulmin në BanjskëNë kohën e sulmit në Banjskë, Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, e cila deri më tani ka vepruar me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe dhe ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Që nga tetori i vitit 2023, Radoiçiq e ka pasur për detyrë të paraqitet në stacionin policor më datat 1 dhe 15 të çdo muaji, ndërsa pasaporta i është konfiskuar. Sipas deklarimeve të mëhershme të Gjykatës së Lartë, ai e ka përfillur këtë masë deri më tani.
Megjithatë, më 13 nëntor, në publik u shfaqën pretendime jozyrtare se Radoiçiq ishte arratisur në Rusi.
Radoiçiq është, gjithashtu, nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Mbretërisë së Bashkuar, për shkak të akuzave për krim të organizuar dhe korrupsion.
Ai u pa për herë të fundit në publik para zgjedhjeve të 25 tetorit në Serbi, kur mori pjesë në tubimin parazgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe në Kragujevc.
SHIKONI EDHE:
BE-ja dhe NATO-ja kërkojnë që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të përballen me drejtësinëMë herët, nga Serbia është larguar Zvonko Vesellinoviq, biznesmen nga veriu i Kosovës dhe deri vonë bashkëpunëtor i Radoiçiqit.
Sipas konfirmimit që REL-i mori nga burime të sigurisë në Bosnje e Hercegovinë, ai udhëtoi me aeroplan nga Sarajeva drejt Turqisë më 11 nëntor, duke përdorur pasaportën serbe. Me të ishte edhe vëllai i tij, Zharko Vesellinoviq.
Të dy, sikurse Radoiçiqi, janë nën sanksionet amerikane, për shkak të akuzave për krim të organizuar dhe korrupsion.