Gjykata e Lartë në Beograd nuk tregoi nëse Millan Radoiçiq e ka përmbushur detyrimin për t’u paraqitur në polici më 15 nëntor.
Radio Evropa e Lirë ia drejtoi këtë pyetje edhe Policisë së Serbisë, por, deri në publikimin e këtij lajmi, nuk mori përgjigje nga asnjëri institucion.
Radoiçiq, i cili kërkohet nga policia ndërkombëtare, INTERPOL, për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës, është nën hetime nga Prokuroria e Lartë Publike në Serbi.
Që nga tetori i vitit 2023, ai është i detyruar të paraqitet në stacionin policor më 1 dhe 15 të çdo muaji, ndërsa pasaporta i është konfiskuar.
Sipas deklarimeve të mëhershme të Gjykatës së Lartë në Beograd, Radoiçiq i ka respektuar këto masa.
Por, më 13 nëntor, në publik qarkulluan raportime të pakonfirmuara se ai është arratisur në Rusi.
SHIKONI EDHE:
Nga Maroviq te Radoiçiq: Të kërkuarit që nuk ekstradohenGjykata e Lartë në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë se po mbikëqyr zbatimin e masës që e detyron Radoiçiqin të paraqitet në polici dhe se, në bashkëpunim me organet kompetente, po ndërmerr veprimet e nevojshme për të verifikuar respektimin e këtij detyrimi.
“Megjithatë, duke marrë parasysh fazën e procedurës, për momentin nuk jemi në gjendje të japim informacione shtesë për veprimet konkrete të organeve kompetente”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës, më 16 nëntor.
Radoiçiq ka pranuar se ka udhëhequr grupin e armatosur të serbëve që ka kryer sulmin në Banjskë, pranë Zveçanit, në veri të Kosovës, më 24 shtator 2023.
Në sulm u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa gjatë shkëmbimit të zjarrit mbetën të vrarë edhe tre sulmues serbë.
SHIKONI EDHE:
Kurti: Radoiçiq duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë për sulmin në BanjskëNë atë kohë, Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, e cila u formua me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe dhe të ish-presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Pas sulmit, ai dha dorëheqje nga kjo pozitë.
Kosova e konsideron sulmin akt terrorist dhe e akuzon Serbinë se qëndron pas tij - gjë të cilën Beogradi zyrtar e mohon.
Prokuroria e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë.
Tre prej tyre janë dënuar nga gjykatat e Kosovës, ndërsa të tjerët, përfshirë Radoiçiqin, janë në arrati.
Radoiçiq është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara që nga viti 2021, për shkak të akuzave për krim të organizuar dhe korrupsion.
Sanksione ndaj tij ka vendosur edhe Britania e Madhe.
Ai është parë për herë të fundit në publik para zgjedhjeve në Serbi, kur ka marrë pjesë në një tubim elektoral të Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiqit në qytetin e Kragujevcit.
Në zgjedhjet e 25 tetorit, kjo parti pësoi humbje pas 14 vjetësh në pushtet.
Edhe pse qeveria e re, që pritet të udhëhiqet nga Lista Studentore, ende nuk është formuar, policia dhe prokuroritë kanë nisur një sërë arrestimesh për vepra të ndryshme penale.
SHIKONI EDHE:
Serbia hap sirtarët e drejtësisë pas humbjes së VuçiqitNë javët pas zgjedhjeve, nga Serbia është larguar edhe Zvonko Vesellinoviq, biznesmen nga veriu i Kosovës dhe deri vonë bashkëpunëtor i Radoiçiqit.
Sipas burimeve të sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat e kanë konfirmuar informacionin për Radion Evropa e Lirë, Vesellinoviq ka udhëtuar nga Sarajeva drejt Turqisë më 11 nëntor, duke përdorur pasaportën serbe.
Me të ishte edhe vëllai i tij, Zharko Vesellinoviq.
Të dy ata, sikurse Radoiçiq, janë nën sanksionet amerikane, për shkak të akuzave për krim të organizuar dhe korrupsion.
Arsyet e largimit të vëllezërve Vesellinoviq nga Serbia nuk dihen, ndërsa, sipas informacioneve të deritanishme, ndaj tyre nuk ka procedura penale në këtë vend.