Gjykata e Lartë në Shqipëri vendosi që Erion Veliaj të mbetet në paraburgim. Gjykata nuk e pranoi ankesën e tij, duke e lënë në fuqi vendimin nga shkallët e tjera të gjyqësorit.
Veliaj – që është në mandatin e tretë si kryetar i Bashkisë së Tiranës – sipas Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dyshohet se ka krijuar një skemë korruptive mes disa kompanive në pronësi të bashkëshortes së tij dhe gjashtë biznesmenëve të lidhur me të.
Veliaj i ka mohuar të gjitha akuzat.
Ai ndodhet në paraburgim që nga 10 shkurti i vitit 2025, në ditën kur u arrestua.
Veliaj ka kërkuar në gjithë shkallët e gjyqësorit në Shqipëri zëvendësimin e masës “arrest në burg”, me masa më të buta sigurie, si “garanci pasurore” ose “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese në Shqipëri vendosi të dërgojë në Gjykatën e Lartë çështjen e masës së sigurisë ndaj Erion Veliajt që të arsyetonte a është proporcionale masa “arrest me burg” në raport me pozicionin që Veliaj ka si kryebashkiak.
Veliaj ka argumentuar se masa e sigurisë i ka cenuar jo vetëm lirinë individuale, por edhe ushtrimin e mandatit si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës. Ai pretendon gjithashtu se standardet e një procesi të rregullt ligjor janë shkelur nga të gjitha shkallët e gjykimit, duke argumentuar se është paragjykuar për shkak të statusit dhe pozicionit publik.
SPAK-u, në anën tjetër, ka theksuar se ekziston dyshim i arsyeshëm që Veliaj ka kryer vepra penale dhe se rreziku procedural mbetet i lartë, sidomos për shkak të bashkëpunimit të pretenduar me persona të tjerë, ndaj ka kërkuar që ai duhet të qëndrojë në paraburgim.
Pas arrestimit, Këshilli Bashkiak kishte vendosur për shkarkimin e Veliajt nga detyra.
Qeveria shqiptare në në atë kohë kërkoi që të mbaheshin zgjedhje në Tiranë për të zgjedhur kreun e ri të bashkisë, ndërsa presidenti Bajram Begaj dekretoi si datën e zgjedhjeve, 9 nëntorin e vitit 2025.
SHIKONI EDHE:
Kushtetuesja në Shqipëri rikthen Veliajn në krye të TiranësPor, një javë para datës së dekretuar për mbajtjen e zgjedhjeve, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e rrëzoi vendimin e presidentit Begaj dhe të Qeverisë shqiptare, duke rikthyer në krye të Bashkisë së Tiranës Veliajn, dhe duke anuluar mbajtjen e zgjedhjeve në këtë bashki.
Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Veliaj mbeti në paraburgim, pasi Gjykata e Apelit vendosi kundër ndryshimit të masës së sigurisë ndaj tij.
Edhe pse ligjërisht Veliaj mbetet kryetar i Bashkisë së Tiranës, në praktikë ky institucion drejtohet nga zëvëndëskryetarja Anduela Ristani, që është komanduar në këtë detyrë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.