Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Jashtëm dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se çështja e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit varet nga vullneti i partive opozitare.
“Shkojmë në zgjedhje të reja nëse ky është vullneti i opozitës, nuk kemi çfarë të bëjmë”, tha ai për mediat më 15 prill.
Konjufca tha se do të tërhiqte kandidaturën për president, nëse partitë opozitare do të propozonin një emër të përbashkët.
"Në momentin që opozita del me një kandidat të përbashkët, kjo do të ishte gjëja e parë që do ta bëja sepse është shumë e rëndësishme që Kosova ta ketë presidnetin sesa emri i tij të jetë Glauk Konjufca", tha ai.
SHIKONI EDHE:
Më shumë gjasa për president apo për zgjedhje?Ai kundërshtoi formën, që tha se Partia Demokratike e Kosovës po kërkon marrëveshje për presidentin, që sipas tij është fillimisht të arrihet një marrëveshje, e më pas të dalë me emër për presidentin.
Në një rast të tillë, PDK, sipas Konjufcës mund të propozojë “emra të pakapërcyeshëm” për LVV-në dhe nëse një i tillë propozohet, atëherë ky subjekt opozitar do të fajësonte partinë në pushtet për dështim të zgjedhjes së presidentit.
I pyetur nëse LVV mund të propozojë një emër konsensual, Konjufca tha se "më shumë barra bie mbi opozitën që të na propozojë ndonjë emër, kurse ne t’i japim votat tona".
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha shkurt për mediat se është në kontakt me krerët e partive opozitare, dhe "kur ka rezultate atëherë ju njoftojmë”.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë afat deri më 28 prill që të zgjedhin presidentin, në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjedhje.
Kreu i LVV-së, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ka zhvilluar takim me Lumir Abdixhikun, kryetarin e subjektit opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, por takimi ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje për presidentin.
SHIKONI EDHE:
S'ka marrëveshje për çështjen e presidentit, Kurti dhe Abdixhiku zotohen për takime tjeraLVV-ja më herët ka paralajmëruar edhe akime të tjera me LDK-në dhe PDK-në.
Që nga 4 prilli, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka marrë postin e ushtrueses së detyrës së presidentit, pasi ish-presidentes Vjosa Osmani i skadoi mandati pesëvjeçar.
SHIKONI EDHE:
Rrugëtimi politik i Albulena Haxhiut - ushtrueses së detyrës së presidentitLVV-ja e Kurtit më 5 mars propozoi dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku. Në mungesë kuorumi, procesi ka mbetur në gjysmë.
Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani prezantoi një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.
Dekreti u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria.
Gjykata më pas doli me vendim duke thënë se dekreti i ish-presidentes nuk ka pasur asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit, në të kundërtën shteti shkon në zgjedhje që duhen të mbahen brenda 45 ditësh.
Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit të vitit 2025 dhe gëzon 57 ulëse në Kuvend, por ato janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, meqë për të finalizuar këtë proces nevojiten të paktën 80 vota në Kuvendin me 120 deputetë.