Herën tjetër kur të dërgojnë një kërkesë për ekstradimin e Nikolla Gruevskit, ish-kryeministrit të dënuar të Maqedonisë së Veriut, autoritetet në Shkup mund të marrin një përgjigje pozitive nga Hungaria.
Ndryshimi i pushtetit në vendin ku Gruevski u arratis në vitin 2018, mund të mundësojë që ai, më në fund, ta vuajë dënimin dyvjeçar.
Këtë e konfirmoi edhe kryeministri i ardhshëm hungarez, Peter Magyar, i cili tha se Hungaria nuk do të jetë strehë për kriminelët ndërkombëtarë.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për ekstradimin e mundshëm të dy politikanëve polakë, Zbigniew Ziobro dhe Marcin Romanowski, Magyar tha se “në Hungari nuk duhet të blejnë mobilie nga IKEA, sepse nuk do të qëndrojnë gjatë”.
“Kjo nuk vlen vetëm për ta, por edhe për zotin Gruevski, ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, gjithashtu shkelës i ligjit”, tha Magyar në një konferencë për gazetarë.
Ai shtoi se, në frymën e bashkëpunimit evropian, pret edhe nga vendet e tjera evropiane që t’i ekstradojnë kriminelët hungarezë nëse ata arratisen në territoret e tyre.
SHIKONI EDHE:
Si u komentua fitorja e Magyarit në zgjedhjet e HungarisëSe si dhe kur Qeveria e re hungareze do ta rregullojë këtë çështje, partia e Magyarit, Tisza, nuk iu përgjigj Radios Evropa e Lirë.
Në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit, Magyar e rrëzoi nga pushteti Viktor Orbanin, i cili qeverisi Hungarinë për 16 vjet.
Orban, si kryeministër i Hungarisë, ishte në shënjestër të kritikave të ashpra nga Brukseli për minimin e demokracisë dhe kundërshtimin e mbështetjes për Ukrainën, pas pushtimit rus.
Për shkak të shqetësimeve për gjendjen e demokracisë dhe sundimin e ligjit, BE-ja bllokoi miliarda euro nga fondet e destinuara për Hungarinë.
Gjatë qeverisjes së Orbanit, strehë në këtë vend gjeti edhe Gruevski.
Ish-kryeministri maqedonas, në nëntor të vitit 2018, në vend që të fillonte vuajtjen e dënimit, u arratis nga Maqedonia e Veriut me një automjet diplomatik hungarez.
Disa ditë më vonë, ai mori azil politik në Hungari.
SHIKONI EDHE:
Në listën e zezë amerikane, por jo edhe para drejtësisë maqedonaseAutoritetet hungareze e arsyetuan këtë vendim me “ndjekjen e mundshme politike dhe gjendjen e keqe në burgjet maqedonase”.
Një vit më pas, një gjykatë hungareze refuzoi kërkesën e autoriteteve maqedonase për ekstradimin e tij, duke thënë se “nuk ishin përmbushur kushtet për ekstradim në Maqedoninë e Veriut”.
Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse planifikon të paraqesë kërkesë të re për ekstradimin e Gruevskit.
“Nëse vjen, do të arrestohet”
Nëse Gruevski hyn në Maqedoninë e Veriut, ai do të arrestohet, tha kryeministri aktual i këtij vendi, Hristijan Mickoski.
Ai shtoi se rasti i Gruevskit është në dorën e Qeverisë hungareze.
“Nuk kam pritje, por nëse Nikolla Gruevski paraqitet në Maqedoni [të Veriut], ai ka një vendim të formës së prerë dhe, menjëherë pas hyrjes në vend, organet e rendit do ta ndalojnë dhe do ta dërgojnë për vuajtjen e dënimit me burg, në përputhje me vendimin përfundimtar”, tha Mickoski, njëherësh kryetar aktual i VMRO-DPMNE-së, ish-partisë së Gruevskit.
Ai theksoi se nuk ka asnjë pritje nëse dhe kur Gruevski do të kthehet në Maqedoninë e Veriut.
“Ne, si Qeveri, kemi përpara një vendim përfundimtar, sipas të cilit personi për të cilin po flasim, duhet të vuajë dënim me burg”, u shpreh Mickoski.
“Organizata kriminale VMRO ka mbetur pa aleatin e saj të vetëm në BE”, shkroi në platformën X lideri i opozitës nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe.
“Nuk do të ketë më fshehje të Gruevskit në Budapest, as marrëveshje biznesi. Kryeministri i ri i Hungarisë, zoti Peter Magyar, ka paralajmëruar reforma të thella në media, për shkak të ndikimit të madh që kishte Orban mbi to. Regjimet autokratike po bien”, shtoi ai.
Nga partia Tisza e Magyarit thanë se Qeveria e ardhshme hungareze do t’i japë përparësi rikthimit të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, anëtarësimit në Zyrën e Prokurorit Publik Evropian dhe vendosjes së një funksionimi të ri më transparent të shtetit.
SHIKONI EDHE:
Fitorja e Magyarit shtyn Evropën drejt një qasjeje të re ndaj HungarisëOrban dhe Gruevski
Nikolla Gruevski ishte kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga viti 2006 deri në vitin 2016 dhe lider i VMRO-DPMNE-së, parti e cila, pas shtatë vjetësh në opozitë, u rikthye në pushtet në zgjedhjet e vitit 2024.
Me kryeministrin në largim të Hungarisë, Viktor Orban, ai kishte një miqësi të gjatë politike, dhe Orban ishte shpesh i pranishëm në fushatat zgjedhore të VMRO-DPMNE-së.
Dy partitë e djathta, si parti simotra, ishin pjesë e Partisë Popullore Evropiane (EPP).
Orban gjatë një vizite në Maqedoninë e Veriut, derisa kryeministër ishte Gruevski.
Megjithatë, partia e Orbanit u largua nga EPP-ja në mars të vitit 2021, pak para se të përjashtohej, pas kritikave të gjata nga BE-ja për minimin e lirive demokratike, mediave, organizatave joqeveritare dhe sundimit të ligjit.
Si parti simotër, Fidesz e ka mbështetur rregullisht VMRO-DPMNE-në.
Në kohën kur Gruevski ishte kryeministër, Orban u nderua me një çmim shtetëror nga Maqedonia e Veriut - Urdhrin “8 Shtatori”.
Si rrodhi rasti Gruevski?
Në maj të vitit 2018, Gruevski u dënua me dy vjet burg në rastin “Tenk”, për shkak të parregullsive në prokurimin e një automjeti të blinduar Mercedes, me vlerë 600.000 euro.
Për blerjen e automjetit luksoz u mësua në vitin 2015, kur opozita e atëhershme publikoi një bisedë të përgjuar, në të cilën Gruevski i kërkonte ministres së Brendshme, Gordana Jankulloska, që MPB-ja të blejë një Mercedes që ai më pas ta përdorte, por pa dijeninë e publikut.
Atëkohë, Gruevski ishte kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Përveç këtij rasti, ndaj tij u zhvilluan edhe disa procese të tjera gjyqësore.
Në shtator të vitit 2020, ai u dënua në mungesë me një vit e gjysmë burg për dhunë ndaj kundërshtarëve politikë.
Në prill të vitit 2022, për rastin “Parcelat në Vodno”, u dënua në shkallë të parë me shtatë vjet burg për pastrim parash, përfitim të paligjshëm dhe fshehje të pasurisë.
Po në të njëjtin muaj, Departamenti i Thesarit i SHBA-së e vendosi atë në listën e sanksioneve për korrupsion. Në listë u përfshi edhe kompania e tij në Hungari, I.C.I.C. KFT.