Vetëm disa orë pasi rezultatet e zgjedhjeve në Hungari treguan se lideri i opozitës, Peter Magyar, kishte shënuar fitore të thellë, duke i dhënë fund sundimit të Viktor Orbanit dhe partisë së tij të djathtë, Fidesz, njeriu që pritet të bëhet kryeministër i ardhshëm i Hungarisë, tha se “nuk ka kohë për të humbur” për formimin e Qeverie së re.
Për Brukselin, këto fjalë nuk mund të kishin ardhur më shpejt.
Pas 16 vjetësh të Qeverisë së Orbanit, e cila përplasej me BE-në për çështje të ndryshme - nga lufta në Ukrainë deri te sanksionet ndaj Rusisë - Brukseli tani shpreson që Budapesti të jetë më bashkëpunues.
“Vendi ynë nuk ka kohë për të humbur. Hungaria është në telashe në çdo aspekt. Ajo është plaçkitur, grabitur, tradhtuar, është futur në borxhe dhe është shkatërruar”, tha Magyar në një konferencë për media më 13 prill, një ditë pasi partia e tij e qendrës së djathtë, Tisza, fitoi shumicën prej dy të tretash në Parlamentin me 199 vende.
Ai shtoi se Hungaria - ku është arratisur edhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, i akuzuar për korrupsion - nuk do të strehojë kriminelë të kërkuar ndërkombëtarisht.
Me ligj, presidenti i Hungarisë duhet ta mbledhë Parlamentin e ri brenda 30 ditëve nga zgjedhjet. Më pas, deputetët zgjedhin kryeministrin e ri, i cili propozon kabinetin qeveritar.
Shumë shpresojnë se pengesat që kishte vendosur Orban, do të hiqen, megjithëse ekziston edhe shqetësimi se Magyar - i cili dikur ishte një besnik i afërt i kryeministrit të mposhtur, ndërsa më vonë u nda prej tij, për shkak të çështjeve të korrupsionit - mund të mos bashkëpunojë gjithmonë në mënyrë të lehtë.
Çështja kryesore me të cilën Magyar pritet të merret në Bruksel, nuk është politika e jashtme, por zhbllokimi i rreth 18 miliardë eurove fonde të BE-së, të ngrira në vitet e fundit, për shkak të “hapave prapa” në demokraci gjatë qeverisjes së Orbanit.
Rindërtimi i sistemit gjyqësor hungarez pritet të jetë një nga prioritetet kryesore, dhe Magyar synon të ndjekë shembullin e Polonisë.
Në përpjekje për të zhbllokuar fondet e BE-së pas rikthimit në pushtet në fund të vitit 2023, Qeveria e qendrës e Varshavës ka punuar për të përmbysur ndryshimet e diskutueshme në gjyqësor dhe administratë publike, të bëra nga paraardhësit populistë.
“Ne do të fillojmë të punojmë me Qeverinë [e re hungareze] sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, “për të bërë përparim të shpejtë, në dobi të qytetarëve hungarezë”.
“Ka shumë punë për të bërë, pasi Hungaria po rikthehet në rrugën evropiane”, shtoi ajo.
Një “kurban” i përshtatshëm?
Megjithatë, në korridoret e Brukselit ka frikë se vetot e Qeverisë së Orbanit shpesh janë përdorur si “kurban” i përshtatshëm për mungesën e veprimit.
Kryeministri sllovak dhe aleati i afërt i Orbanit, Robert Fico, tashmë ka sinjalizuar hapur se mund të vazhdojë të vendosë veto ndaj shumë nismave, por zyrtarë të BE-së, të cilët folën për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, pranojnë se, në disa raste, edhe shtete të tjera anëtare fshiheshin në heshtje pas qëndrimeve të Budapestit.
Testi i parë mund të jetë një hua prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, për të cilën liderët e BE-së, përfshirë Orbanin, kanë rënë dakord në dhjetor të vitit 2025.
Këto fonde, që synojnë të mbulojnë një pjesë të madhe të nevojave të Kievit për këtë dhe vitin e ardhshëm, më pas u bllokuan nga Hungaria.
Kjo, pasi Budapesti e fajësoi Ukrainën se nuk ka bërë mjaftueshëm për të riparuar tubacionin e epokës sovjetike, Druzhba, i cili transporton naftë drejt Evropës qendrore.
Ukraina këmbëngul se tubacioni është dëmtuar nga një sulm me dron rus.
BE-ja u zotua se paratë do të vijnë në prill, pasi premtoi ndihmë financiare për të rregulluar tubacionin dhe dërgoi edhe një ekip në Ukrainë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha së voni se ai do të riparohet “në pranverë”.
Por, derisa nafta ruse të rifillojë të rrjedhë drejt Hungarisë, as Magyar dhe as Orban - i cili do të mbetet në detyrë edhe për disa javë - nuk do ta miratojnë këtë paketë ndihme për Kievin.
Edhe pse zyrtarë të BE-së me të cilët ka folur Radio Evropa e Lirë, besojnë se Magyar do ta miratojë huanë, ata, gjithashtu, theksojnë se anëtarët e partisë së tij, Tisza, kanë votuar kundër këtij propozimi më herët në Parlamentin Evropian.
Siç thotë Clotilde Warin, asistente kërkimore në Institutin Jacques Delors në Paris, “Hungaria nuk do të përdorë më veto sistematike, por qëndrimet e saj nuk do të ndryshojnë rrënjësisht”.
Më pas vjen edhe fakti se, gjatë fushatës zgjedhore, Magyar ka folur për zvogëlimin gradual të varësisë nga energjia ruse deri në vitin 2035, dhe jo vitin e ardhshëm siç kishte parashikuar Brukseli.
Ky vendim merret me shumicë të kualifikuar, që do të thotë se nuk ka të drejtë vetoje.
Megjithatë, në rrethanat e një krize energjetike të shkaktuar nga bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, që po kërcënon ekonomitë evropiane, Magyar mund të mos jetë i vetmi që kërkon ta shtyjë shkëputjen e shpejtë nga importet më të lira të energjisë ruse.
Çështja e kostove të larta të energjisë pritet gjithashtu ta zbusë paketën e 20-të të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.
Fillimisht e planifikuar për t’u miratuar para përvjetorit të katërt të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, në muajin shkurt, paketa është bllokuar disa herë nga Hungaria.
Por, ajo nuk është e vetme në këtë qëndrim.
Thelbi i propozimit ishte ndalimi i shërbimeve detare, të lidhura me produktet e naftës ruse. Me këtë ndalesë, kompanitë me bazë në BE nuk do të mund të ofronin shërbime për anijet që i transportojnë këto produkte nga portet ruse.
Në kohën e rritjes së ndjeshme të kostove të energjisë në bllok, disa shtete anëtare jugore kanë shprehur rezerva ndaj kësaj mase.
Prandaj, edhe nëse paketa miratohet - me një Qeveri të re hungareze - nuk është e sigurt nëse ajo do të ketë efekt të fortë real.
Sanksionet e ardhshme ndaj Rusisë?
Më interesante është se paketat e ardhshme të mundshme të sanksioneve kundër Rusisë, do të jenë një test i vërtetë për një Qeveri të udhëhequr nga Magyari.
A do të përpiqet ai, për shembull, të tërheqë disa nga vetot e periudhës së Orbanit, si ndaj vendosjes në listë të zezë të Patriarkut rus, Kirill, apo të drejtuesve të ndryshëm të organizatave dhe federatave sportive ruse, të cilat deri tani kanë qenë një “jo” e prerë nga Hungaria?
Gjithashtu, priten përpjekje të reja për vendosjen e sanksioneve ndaj kolonëve të dhunshëm izraelitë në Bregun Perëndimor, të cilat janë bllokuar nga Budapesti që nga viti 2024, si dhe një nismë nga viti 2025 për ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e vizave për figura të larta të partisë në pushtet në Gjeorgji, e cila gjithashtu është penguar nga Hungaria. Këtë nismë, megjithatë, mund ta bllokojnë edhe disa shtete të tjera, përfshirë Çekinë, Italinë dhe Sllovakinë.
E, pastaj, vjen edhe marrëdhënia e ndërlikuar e Hungarisë me Ukrainën.
Magyar ka sinjalizuar se do të distancohet nga marrëdhënia e ngushtë që Qeveria e Orbanit kishte me Moskën, por, deri tani, nuk ka qenë i butë as ndaj Kievit.
Gjatë fushatës zgjedhore, kur Orban dhe Zelensky - i cili e ka mirëpritur fitoren e Magyarit - u përplasën verbalisht, ai mbajti anën e bashkëkombësit të tij, duke deklaruar se “asnjë lider i huaj nuk mund të kërcënojë një hungarez”.
Një pjesë e madhe e popullsisë hungareze mbetet ende thellësisht skeptike ndaj Ukrainës - me sondazhe që tregojnë se shumica e të anketuarve janë kundër anëtarësimit të Ukrainës në BE, si dhe kundër dërgimit të më shumë ndihmave financiare për këtë vend.
Magyar është i vetëdijshëm për këto qëndrime.
Në konferencën e tij të parë për shtyp pas zgjedhjeve, ai tha se është e qartë që Ukraina “është viktimë e kësaj lufte” dhe se do të takohet me Zelenskyn për të “krijuar raporte”.
Por, ai shtoi se Hungaria synon të krijojë “marrëdhënie aleatësh dhe, nëse është e mundur, miqësore me të gjitha vendet fqinje, përfshirë edhe përmes minoriteteve hungareze jashtë vendit”.
“Kjo vlen për Ukrainën, Serbinë dhe të gjitha vendet e tjera”, tha ai.
Po ashtu, do të jetë me interes të shihet se si Magyar do t’i trajtojë disa propozime ushtarake, që kanë mbetur të bllokuara në Bruksel, kryesisht për shkak të Fideszit, si: bllokimi prej gati tre vjetësh i 6.6 miliardë eurove ndihma ushtarake për Ukrainën, përmes Instrumentit Evropian të Paqes (EPF), mundësia e ndarjes së imazheve satelitore me Ukrainën nga Qendra Satelitore e BE-së (SatCen), si dhe ndryshimi i mandateve të dy misioneve të BE-së në Ukrainë, EUAM dhe EUMAM, për t’i përfshirë në garancitë e ardhshme të sigurisë për Kievin.
Pritejet janë që Magyar t’i lejojë Ukrainës - edhe Moldavisë - të paktën të hapin negociatat për anëtarësim në BE këtë vit - diçka që Qeveria e Orbanit e ka bllokuar gjatë dy vjetëve të fundit.
Por, pritet gjithashtu që ai të përdorë termin “bazuar në merita” kur të flasë për zgjerimin e ardhshëm të BE-së - zhargon ky i Brukselit, i përdorur nga shumica e kryeqyteteve të BE-së, që do të thotë: “Do të hyni kur të vendosim ne, dhe ne nuk kemi vendosur ende”.