Edhe 21 të dyshuar për keqpërdorime në BKS

Fotografi ilustruese nga arkivi.

Autoritetet njoftuan se kanë zgjeruar hetimet për rastin e dyshimeve për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), dhe tani nën hetim janë edhe 21 persona të tjerë.

Prokuroria Themelore në Prizren tha se 21 personat dyshohet se kanë kryer veprën penale të “keqpërdorimit të besimit në besim”, duke bërë që numri i përgjithshëm i të përfshirëve në këtë rast, që u iniciua në janar të këtij viti, të arrijë në 69 të pandehur.

Të 21 të pandehurit dyshohet se duke mos respektuar rregullat dhe procedurat e BKS-së, kanë mundësuar ose kanë marrë pjesë në bartjen dhe në përftimin e shumave të të hollave pa mbulesë, në vlerë nga 2.000 deri në 53.000 euro për person, tha Prokuroria Themelore në Prizren.

Dëmi shtesë i shkaktuar, sipas organit hetues, është rreth 200.000 euro.

Paraprakisht, autoritetet kishin vlerësuar se dëmi i shkaktuar nga keqpërdorimet e dyshuara në BKS të jetë rreth 1.043.000 euro.

Në aksionin e 1 shtatorit, autoritetet kanë sekuestruar dhe kanë ngrirë 35 prona, përfshirë parcela kadastrale, njësi banesore dhe njësi garazhuese, “të cilat ndërlidhen me tre të pandehurit kryesorë, ndaj të cilëve ekziston dyshimi për përfshirje në veprimet kriminale që kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimeve”.

“Gjithashtu, gjatë ditës së sotme Prokuroria në bashkëpunim me Njësitin e Inteligjencës Financiar, ka urdhëruar ngrirjen e 21 llogarive bankare të personave të dyshuar”, tha Prokuroria.

Në janar, lidhur me dyshimet për keqpërdorime në BKS autoritetet arrestuan dhjetëra persona, përfshirë edhe ish-drejtorin ekzekutiv, Sami Mazreku, dhe ish-drejtorin e financave në këtë byro, Valon Berisha.

Pas arrestimit të tyre, prokuroria tha se Mazreku dhe Berisha dyshohet se duke keqpërdorur autorizimet e BKS-së kanë mundësuar kryerjen e transaksioneve të paligjshme.

SHIKONI EDHE:

"Shkaktuan dëm në vlerë prej 1 milion eurosh në BKS": Rreth 40 të arrestuar nën dyshimet për keqpërdorime

Byroja Kosovare e Sigurimit është organizatë jofitimprurëse, e cila është përgjegjëse për administrimin e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve në Kosovë, dhe mbikëqyret nga Banka Qendrore e Kosovës.

Ajo u themelua më 7 gusht 2011, bazuar në Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.