Autoritetet kosovare i kanë arrestuar 39 persona të enjten gjatë bastisjeve në të gjithë vendin si pjesë e një hetimi kundër dy ish-drejtuesve të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), të cilët dyshohen për keqpërdorime që i kanë shkaktuar dëme byrosë në vlerë mbi 1 milion euro.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu, tha në një konferencë për media se cak i hetimeve që nisën në marsin e vitit të kaluar janë ish-drejtori ekzekutiv, Sami Mazreku, dhe ish-drejtori i Financave i BKS-së, Valon Berisha.
Mazreku dhe Berisha - të cilët u arrestuan gjatë bastisjeve të sotme - dyshohen se i kanë keqpërdorur autorizimet e BKS-së duke ua mundësuar personave të ndryshëm, dhe përmes tyre edhe, të kryejnë transaksione të jashtëligjshme.
Kryeprokurori Kryeziu tha Mazreku e Berisha “kanë arritur përfitime të mëdha për vete dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së”.
“Po ashtu, ata kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara, ku ne deri në këtë fazë kemi vlerësuar se ato dokumente të dyshuara i kanë përdorur për përfitime personale dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro”, tregoi Kryeziu.
Prokurorët i kanë sekuestruar 23.700 euro, ari, aksesorë, orë dore të ndryshme dhe pajisje elektronike gjatë bastisjeve, njoftoi Kryeziu.
Ai shtoi se në bashkëpunim të ngushtë me inteligjencën financiare, janë ngrirë 1.3 milion euro.
Byroja Kosovare e Sigurimit është organizatë jofitimprurëse, e cila është përgjegjëse për administrimin e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve në Kosovë, dhe mbikëqyret nga Banka Qendrore e Kosovës.
Ajo u themelua më 7 gusht 2011, bazuar në Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.
Më herët, BKS-ja tha se sa i përket këtij aksioni ai është iniciuar nga vetë byroja në cilësinë e palës së dëmtuar “rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm”.
BKS-ja shtoi se ka vënë në dispozicion autoriteteve të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve.
Kryeziu tha se cak i bastisjeve ishin 47 persona, por kur u pyet nga gazetarët pse një pjesë e tyre nuk u ndaluan, ai tha se “pjesa tjerë e të dyshuarve ndodheshin jashtë vendit apo nuk ishin të pranishëm”.
Ai tregoi se prokurorët kanë arritur t’i gjejë 166 transaksione të dyshimta si prova për këtë rast.
“Në mesin e tyre 25 transaksione kanë të bëjnë me 12 persona, me të cilët kanë arritur ujdi fiktive jashtëgjyqësore, kinse si përfaqësues të personave që më herët kanë pasur aksidente në komunikacion dhe i kanë kompensuar në vitin 2022 dhe 2023 përderisa personat tjerë kanë qenë të kompensuar në 2016 dhe 2017”, njoftoi ai.
Shuma më e vogël e një transaksioni ishte 6.800 euro, ndërsa më e larta 68.000 euro, sipas tij.
Bastisjet u kryen në pjesë të vendit, si Prishtina në Prizren, Mitrovicë, në Pejë, në Klinë, Rahovec, Obiliqi, Gjilan, Ferizaj e Dragash.
Kryeziu paralajmëroi se autoritetet do t’i vazhdojnë hetimet për këtë rast.