Hulumtimi i CASA-s: 99 për qind e serbëve në Kosovë kundër integrimit të sistemit arsimor

Një shkollë në Mitrovicë të Veriut. Shtator 2023.

Integrimi i mundshëm i sistemit arsimor serb në Kosovë duhet të përkufizohet si njohje ligjore dhe institucionale dhe jo si asimilim, duhet të sigurohet qartësi ligjore para çdo ndryshimi të mundshëm të statusit, të sigurohet koordinim thelbësor me komunitetin serb të Kosovës dhe të shmangen masat e njëanshme. Këto janë disa nga rekomandimet që dalin nga hulumtimi “Pyetjet e vështira që kemi përpara: Sistemi arsimor i serbëve të Kosovës”, i realizuar nga organizata joqeveritare Qendra për Veprime Shoqërore Afirmative (CASA).

Hulumtimi, siç u tha, është realizuar me një mostër prej 500 pjesëtarësh të komunitetit shqiptar dhe 300 pjesëtarësh të komunitetit serb, me qëllim që të hapë një debat të bazuar në fakte për disa nga “çështjet më të ndjeshme dhe politikisht më të diskutueshme që ndikojnë në marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës”.

SHIKONI EDHE:

Disa studentë e profesorë protestojnë në veri kundër integrimit në sistemin kosovar të arsimit

Ndër gjetjet kryesore të hulumtimit është se integrimin e mundshëm të institucioneve arsimore serbe e kundërshtojnë gjithsej 99.4 për qind e të anketuarve nga radhët e komunitetit serb. Ndërsa, 98.7 për qind e tyre vlerësuan se integrimi do të kishte ndikim negativ në pozitën e komunitetit serb, kurse mbi 90 për qind e të anketuarve zgjodhën vazhdimin e funksionimit të shkollave dhe universitetit në sistemin e Serbisë, si skenarin më të pranueshëm.

Gjithashtu, më shumë se gjysma e të anketuarve, rreth 56 për qind, thanë se nuk do ta mbanin fëmijën e tyre në një shkollë që pas integrimit të sistemit arsimor serb në atë të Kosovës.

Nga ana tjetër, rreth 52 për qind e të anketuarve nga radhët e komunitetit shqiptar kanë qëndrim neutral sa i përket asaj nëse ndarja e sistemeve arsimore ndikon në marrëdhëniet ndëretnike. Gjashtëdhjetë për qind e të anketuarve thanë se janë pak ose aspak të informuar për përmbajtjen e mësimit në shkollat që funksionojnë në sistemin e Serbisë, ndërsa 41 për qind e të anketuarve kanë qëndrim neutral ndaj integrimit.

SHIKONI EDHE:

Kurti për institucionet shëndetësore e arsimore serbe në Kosovë: Do të punojmë për t’i bashkuar në një sistem të vetëm

Ndryshe, çështja e integrimit të shëndetësisë dhe arsimit serb në Kosovë u ngrit në shtator të vitit të kaluar, kur kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se sistemi i dyfishtë i arsimit nuk është i qëndrueshëm dhe se nevojitet inkorporim dhe bashkim në një sistem unik.

Bashkimi Evropian, i cili ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, më herët i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore e arsimore që Serbia i mbështet në Kosovë do të zgjidhet përmes negociatave në Bruksel, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe ligjet në fuqi të Kosovës.

Për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit këmbëngul edhe Beogradi zyrtar, si dhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e pushtetit aktual në Serbi.

Organizata joqeveritare CASA, në raportin e saj, rekomandon që si zgjidhje e mundshme për këtë çështje të shqyrtohet roli i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin palët janë pajtuar në kuadër të dialogut të Brukselit.

“Çdo zgjidhje e ardhshme duhet të bazohet në elementet për të cilat tashmë është arritur marrëveshje në kuadër të dialogut, duke përcaktuar njëkohësisht mekanizma shtesë të nevojshëm për të siguruar koherencën funksionale dhe territoriale të sistemit arsimor të serbëve të Kosovës”, thuhet në raport.

Miodrag Marinkoviq nga CASA tha më 3 shtator, gjatë prezantimit të hulumtimit, se integrimi i mundshëm i sistemit arsimor serb nuk përbën asimilim dhe se është e rëndësishme të shmangen masat e njëanshme dhe të komunikohet me komunitetin serb.

“Kur flitet për integrim, serbët e kuptojnë atë si asimilim, gjë që nuk është kështu, por ata kështu e perceptojnë integrimin. Kjo çështje mund të shkaktojë migrim masiv brenda komunitetit serb dhe për këtë arsye është e nevojshme që ky proces i ndjeshëm të zhvillohet përmes një dialogu gjithëpërfshirës”, theksoi Marinkoviqi.

SHIKONI EDHE:

“Nuk dihet se kur mund të duhen”: Diplomat serbe në Kosovë midis dy sistemeve

Politologu Ognjen Gogiç, i cili e realizoi hulumtimin në mesin e komunitetit serb, tha se rezultatet treguan se integrimi i mundshëm i institucioneve arsimore serbe në sistemin e Kosovës do të ndikonte drejtpërdrejt te nxënësit, studentët, prindërit dhe punonjësit, si dhe në vazhdimin e shkollimit, njohjen e kualifikimeve, lidhjet institucionale me Serbinë dhe ndjenjën më të gjerë të sigurisë së komunitetit serb në Kosovë.

Perspektivën e shqiptarëve të Kosovës për integrimin e arsimit në gjuhën serbe e prezantoi Ramadan Ilazi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, i cili tha se shumica e të anketuarve konsiderojnë se nxënësit dhe studentët e nacionalitetit serb duhet të kenë mundësi të arsimohen në gjuhën e tyre amtare, por ekskluzivisht brenda sistemit ligjor dhe rregullativ të Kosovës.

Ai vuri në dukje se kuadri ligjor i Kosovës tashmë mundëson arsimimin në gjuhën serbe, si dhe zbatimin e planeve dhe programeve mësimore të marra nga Serbia, me kusht që ato të miratohen nga Ministria e Arsimit e Kosovës.

“Ajo që kuadri ekzistues ligjor nuk parashikon është ekzistenca e një sistemi arsimor që funksionon tërësisht jashtë kompetencave institucionale dhe kuadrit ligjor të Kosovës”, tha ai.

SHIKONI EDHE:

Cili model i integrimit të arsimit dhe shëndetësisë serbe në Kosovë mund të jetë në lojë?

Ilazi përmendi gjithashtu se Plani i Ahtisarit, dokumenti mbi bazën e të cilit u shpall pavarësia e Kosovës, parasheh që komunat e banuara me shumicë serbe të kenë kompetenca të zgjeruara në fushën e kujdesit shëndetësor sekondar dhe arsimit të lartë.

Vendet perëndimore deri më tani kanë mbajtur kryesisht qëndrimin se të gjitha institucionet serbe duhet të integrohen në sistemin e Kosovës, përfshirë ato shëndetësore dhe arsimore, por se kjo duhet të bëhet në konsultim me komunitetin serb dhe përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe.