Huthët sulmojnë sërish Izraelin teksa Irani ua mundëson “shteteve joarmiqësore” qasjen në Hormuz

Mbështetësit e Huthëve protestojnë në shenjë solidariteti me Iranin në Sanaa të Jemenit.

Rebelët Huthi të Jemenit – aleatë të Iranit – e kanë thelluar përfshirjen në luftën në Lindje të Mesme, duke nisur valë të dytë raketash kundër Izraelit brenda 24 orësh, teksa Teherani ka thënë se do t’iu japë leje anijeve nga kombet “joarmiqësore” që të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Ndërkohë, Izraeli i ka intensifikuar sulmet kundër Iranit, duke shënjestruar qendrën kërkimore detare iraniane, si dhe e ka goditur kryeqytetin, Teheranin, në orët e vona të 28 marsit, teksa konflikti vazhdon të përhapet nëpër kufijtë rajonalë.

Në Uashington, e përditshmja amerikane Washington Post ka raportuar – bazuar në burime - se ushtria e Shteteve të Bashkuara është duke u bërë gati për operacion tokësor në Iran. Shtëpia e Bardhë ka thënë se çdo përgatitje e tillë përbën planifikim rutinor.

Përfshirja e Huthëve – të shpallur terroristë nga Shtetet e Bashkuara – rrezikon zgjerimin e luftës në të cilën veçse janë përfshirë forcat amerikane, shtetet e Gjirit Arab, Izraeli dhe vendet tjera, sikurse Qiproja, Diego Garcia në Oqeanin Indian dhe Shri Lanka, më shumë se 4.000 kilometra larg Iranit.

Huthët janë përmbajtur nga përfshirja në luftë deri më tani, mirëpo veprimet e tyre më 28 mars i kanë rritur shqetësimet për bllokim eventual të Ngushticës Bab al-Mandab, përmes së cilës transportohet 10 për qind e naftës së gjithë botës.

Diçka e tillë mund të ndodhë pasi Irani pothuajse e ka bllokuar gjithë trafikun në Ngushticën e Hormuzit.

Video: A po e minon Irani Ngushticën e Hormuzit?

Your browser doesn’t support HTML5

A po e minon Irani Ngushticën e Hormuzit?

Zëdhënësi i Huthëve, Yahya Saree ka thënë përmes një deklarate se grupi ka nisur “një mori raketash lundruese dhe dronë që kanë shënjestruar qendra ushtarake” në Izrael.

Sulmi “përkoi me operacionet ushtarake të kryera” nga Irani dhe Hezbollahu në Liban, ka thënë ai.

Hezbollahu është po ashtu grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara.

Ushtria izraelite ka konfirmuar se e ka kapur një raketë të nisur nga Jemeni para se të arrinte në territorin izraelit në qytetin jugor të Eilatit.

Video: Spitali më i madh i Izraelit zhvendoset nën tokë mes luftës me Iranin

Your browser doesn’t support HTML5

Spitali më i madh i Izraelit zhvendoset nën tokë mes luftës me Iranin

Luftë në disa fronte

I pyetur për mundësinë potenciale të zgjerimit të luftës, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Effie Defrin ka thënë se “po përgatitemi për luftë në disa fronte”.

Sipas tij, kapacitetet e Iranit për prodhim armësh do të shkatërrohen “brenda pak ditësh” teksa lufta ka hyrë në muajin e dytë.

SHIKONI EDHE: Irani rekruton 12-vjeçarë si “luftëtarë që mbrojnë atdheun”

Përveç sulmeve në Iran, Izraeli e ka nisur edhe një fushatë ushtarake tokësore dhe ajrore kundër Hezbollahut në Liban.

Presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian ka kërcënuar më 28 mars me hakmarrje kundër shteteve rajonale, nëse goditen qendrat iraniane infrastrukturore dhe ekonomike.

“Nëse dëshironi zhvillim dhe siguri, mos i lejoni armiqtë tanë të kryejnë luftë prej tokave tuaja”, u ka thënë ai “shteteve të rajonit” shumica e të cilave kanë baza ushtarake amerikane.

SHIKONI EDHE: Aleatët arabë të SHBA-së përballen me dilemë për luftën në Iran

Ndërkohë, Washington Post raporton se Pentagoni po punon në planet për disa javë të operacioneve tokësore në Iran, teksa Trump ka kërkuar dërgimin e mijërave forcave tokësore në Lindje të Mesme për të përforcuar forcën prej 50.000 trupash amerikane që veçse janë në atë rajon.

Gazeta e ka cituar Sekretaren për media të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt të ketë thënë se “është punë e Pentagonit që t’i bëjë të gjitha përgatitjet për t’i dhënë komandantit të përgjithshëm opsione maksimale. Kjo nuk do të thotë se presidenti e ka marrë një vendim”.

SHIKONI EDHE: Çfarë përmbajnë planet për paqe me Iranin?

Pakistanit i lejohet qasja në Hormuz

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Pakistanit ka thënë më 28 mars se Irani është pajtuar për t’i lejuar 20 anije pakistaneze që të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, përkatësisht nga dy brenda ditës.

E përditshmja tjetër Bangkok Post ka raportuar se Teherani është pajtuar për t’i lejuar edhe anijet tajlandeze me naftë që të kalojnë nëpër këtë ngushticë.

Përmes Ngushticës së Hormuzit kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale dhe mbyllja pothuajse e plotë e saj nga forcat iraniane është kthyer në pikë qendrore të konfliktit, i cili ka nisur me sulmet amerikano-izraelite në Iran më 28 shkurt.

SHIKONI EDHE: Tre ishuj që mund të jenë kyç për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit

Teherani ka sugjeruar se anijet nga vendet “joarmiqësore” do të mund të kalojnë lirshëm nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Qeveria e Pakistanit ka qenë ndërmjetëse në mes të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara dhe ia ka dorëzuar Teheranit planin amerikan për paqe.

Pakistani ndan një kufi prej 900 kilometrash me Iranin dhe ka minoritet të madh të myslimanëve shiitë. Popullsia e Iranit është në pjesën më të madhe shiite.

Islamabadi është aleat i SHBA-së, dhe ka lidhje të ngushta me shtetet e Gjirit Arab.

Përgatiti: Krenare Cubolli