Ndërlidhjet

Nafta, lufta dhe Ngushtica e Hormuzit: A mund t’i mbrojë Uashingtoni tregjet globale të energjisë nga Irani?

Kjo fotografi ilustruese e një harte që tregon Ngushticën e Hormuzit, Iranin dhe tubacionin e naftës.
Kjo fotografi ilustruese e një harte që tregon Ngushticën e Hormuzit, Iranin dhe tubacionin e naftës.

Derisa lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit po përqendrohet në Ngushticën e Hormuzit, pikën më jetike për kalimin e energjisë në botë, pasojat ekonomike të një ndërprerjeje të madhe të furnizimeve me naftë dhe gaz mund të përhapen në mbarë globin.

Rreth një e pesta e naftës globale dhe e gazit natyror të lëngëzuar (LNG) zakonisht kalon përmes kësaj rruge të ngushtë ujore që lidh Gjirin Persik me tregjet ndërkombëtare.

Megjithatë, trafiku i cisternave është ngadalësuar ndjeshëm për shkak të shqetësimeve për sigurinë, kërcënimeve ushtarake dhe raporteve se Irani po vendos mina dhe masa të tjera asimetrike për të shkaktuar dëme ndaj anijeve që përpiqen ta përdorin ngushticën.

Reagimi i tregut tashmë është i qartë: çmimi i naftës u rrit deri në 120 dollarë për fuçi para se binte pak, ndërsa çmimet e karburantit të aviacionit mbeten rreth dyfish më të larta sesa ishin në janar.

Për analistët, këto luhatje ngrenë një pyetje themelore: A mund Teherani ta përdorë sistemin global të energjisë si armë strategjike, apo Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre mund ta parandalojnë një skenar të tillë?

Ushtria amerikane tha se më 10 mars shkatërroi 16 anije iraniane që vendosnin mina pranë Ngushticës së Hormuzit.

Por, Irani vazhdon të jetë aftë për të shkaktuar rrëmujë në këtë rrugë ujore, pasi tri anije tregtare thuhet se u goditën nga shpërthime më 11 mars, sipas United Kingdom Maritime Trade Operations (UKMTO), një qendër britanike për bashkërendim detar, e cila vëzhgon kërcënimet e sigurisë ndaj transportit tregtar.

Tregjet reagojnë ndaj rrezikut, jo ndaj furnizimit

Deri tani, analistët thonë se tregu duket se po përfshin në çmime pasigurinë dhe jo ndërprerje të vërtetë të furnizimit.

“Ajo që po shohim janë reagime të tregut minutë pas minute, orë pas ore ndaj shkallës dhe kohëzgjatjes së konfliktit”, tha Mason Hamilton, zëvendëspresident për ekonomi dhe hulumtime në American Petroleum Institute.

Para krizës, tregjet e naftës prisnin tepricë furnizimi dhe çmime kryesisht të ulëta. Kërcënimi i papritur ndaj Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalojnë rreth 20 milionë fuçi naftë dhe produkte të lëngshme të naftës çdo ditë, e përmbysi këtë perspektivë.

Ekspertët në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) theksojnë se tregjet shpesh reagojnë para se të shfaqen mungesat fizike.

Kevin Book, analisti i këtij instituti kërkimor, tha se tregtarët po përgatiten për mundësinë që prodhuesit e Gjirit të detyrohen të ndalojnë prodhimin nëse eksportet bllokohen.

Edhe luhatjet modeste të çmimeve kanë pasoja të mëdha financiare: një ndryshim prej 30 dollarësh për fuçi në një treg prej 100 milionë fuçish në ditë përfaqëson rreth 3 miliardë dollarë ndryshim në vlerë çdo ditë, pa përfshirë derivatet financiare.

Leva asimetrike e Iranit

Për Teheranin, shënjestrimi i rrjedhave globale të energjisë mund të jetë ndër opsionet e pakta strategjike që i kanë mbetur përballë kundërshtarëve shumë më të fuqishëm si Shtetet e Bashkuara.

“Synimi i Iranit është mbijetesa”, tha Khalid Azim, drejtor i MENA Futures Lab në Këshillin Atlantik. “Ai nuk mund të përballet drejtpërdrejt me SHBA-në apo Izraelin, prandaj mbështetet në taktika asimetrike për të rritur koston e konfliktit”.

Madje edhe ndërprerjet e vogla në Ngushticë mund të kenë ndikime të mëdha, duke pasur parasysh përqendrimin e tregtisë globale të energjisë në disa pika kyç detare.

Azim paralajmëroi se reagimet aktuale të tregut mund t’i nënvlerësojnë rreziqet, duke theksuar se tregjet financiare jashtë sektorit të energjisë kanë mbetur kryesisht të qeta.

“Ka rrezik shumë të madh asimetrik që tregu nuk po e përfshin plotësisht në çmime”, tha ai.

Llogaritjet e Uashingtonit: Trysni pa tronditje

Për Shtetet e Bashkuara, sfida është t’i baraspeshojë synimet ushtarake me domosdoshmërinë për të parandaluar ndonjë tronditje globale në tregun e energjisë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Uashingtoni është gati t’i shoqërojë cisternat nëpër Ngushticën e Hormuzit nëse është e nevojshme, megjithëse mediat, përfshirë Reutersin, kanë raportuar se marina amerikane deri tani i ka hedhur poshtë të gjitha kërkesat e industrisë së transportit për shoqërime ushtarake për shkak të rrezikut të lartë tani.

Ndërkohë, zyrtarët nga vendet e Grupit të Shtatë (G7) po diskutojnë gjithashtu mundësinë e lirimit të rezervave emergjente të naftës për të zbutur ndikimin në treg, në rast se rrjedha e energjisë ndërpritet për shkak të kësaj gjendjeje.

Richard Goldberg, ish-zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në administratën Trump, tha se strategjia amerikane kombinon mjete të tregut dhe masa ushtarake: garanci sigurimi për transportin detar, inkurajim të lëvizjes së cisternave dhe operacione shoqëruese detare nëse është e nevojshme. Aeroplanmbajtësit dhe sistemet e mbrojtjes raketore janë vendosur tashmë.

“Qëllimi është t’i tregojmë Iranit se ai nuk mund ta bllokojë rrjedhën globale të naftës pa u përballur me kundërmasa dërrmuese”, tha Goldberg në një aktivitet të Këshillin Atlantik më 10 mars.

Ai theksoi se përpjekjet synojnë ta zbusin ndërprerjen, jo ta zëvendësojnë për kohë të pacaktuar një korridor të madh furnizimi.

Edhe nëse prodhimi vazhdon, kriza zbulon brishtësinë e logjistikës së energjisë.

“Ka dy shtresa rreziku: infrastruktura që prodhon fuçitë dhe rrjedha e atyre fuçive”, tha Sara Vakhshouri, presidente e SVB Energy International.

Rafineritë janë mbyllur si masë paraprake, rezervuarët e magazinimit po mbushen dhe disa prodhues tashmë kanë ulur prodhimin pasi eksportet po ngadalësohen.

Kompanitë e transportit detar përballen me dilemën e tyre: vetëm sigurimi mund të mos jetë i mjaftueshëm për t’i bindur ekuipazhet të lundrojnë në një zonë lufte. Vonesat e zgjatura mund t’i detyrojnë prodhuesit e Gjirit të ndalin miliona fuçi prodhim, duke rritur paqëndrueshmërinë e tregut.

Ngushtica e Hormuzit kanalizon gjithashtu rreth 20 për qind të LNG-së globale, që do të thotë se ndërprerjet mund të përhapen në zinxhirët e furnizimit me energji elektrike, petrokimikate dhe plehra.

Azia, si importuesja më e madhe e naftës nga Gjiri, është veçanërisht e ekspozuar. Evropa, e varur nga LNG-ja dhe produktet e rafinuara, përballet me cenueshmëri në një kohë kur rezervat e gazit janë të ulëta pas dimrit.

Rifillimi i punës së impianteve pas mbylljeve mund të zgjasë më javë ose muaj.

“Këto janë sisteme industriale komplekse të projektuara për të funksionuar vazhdimisht”, theksoi Hamilton.

Kriza po zhvillohet gjithashtu në mes të një ndryshimi më të gjerë në strategjinë energjetike të SHBA-së. Shtetet e Bashkuara, tashmë prodhuesi më i madh në botë i naftës dhe gazit, e trajtojnë furnizimin me energji gjithnjë e më shumë si një aset strategjik, duke u dhënë politikëbërësve leverdi për të ndjekur objektivat e sigurisë ndërsa mbrojnë tregjet e brendshme.

Kohëzgjatja do të vendosë gjithçka

Ashpërsia e krizës varet nga ajo se sa gjatë zgjasin ndërprerjet. Një ndërprerje e shkurtër mund të absorbohet, por një e zgjatur, sipas analistëve në Uashington, mund t’i mbajë çmimet e naftës mbi 100 dollarë për fuçi, të nxisë inflacionin, të ngadalësojë rritjen ekonomike ose madje të shkaktojë recesion në ekonomitë më të cenueshme.

Ekspertët e CSIS-it theksojnë se edhe pse rezervat, rrugët alternative dhe rezervat emergjente ofrojnë amortizim, ato janë të projektuara për ndërprerje afatshkurtra, jo për një mbyllje të zgjatur të Ngushticës së Hormuzit.

Përplasja që po zhvillohet është provë për qëndrueshmërinë e sistemit global të energjisë. Presioni i vazhdueshëm iranian mund të zgjasë paqëndrueshmërinë, ndërsa masat efektive të SHBA-së dhe aleatëve të saj mund të tregojnë kufijtë e përdorimit të energjisë si mjet shtrëngimi.

Për momentin, pyetja kryesore mbetet: A do të mbetet e hapur Ngushtica e Hormuzit apo do të bëhet epiqendra e një lufte të re energjetike?

Përgatiti: Ekrem Idrizi
XS
SM
MD
LG