Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.
Sulmet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Izraelit në Iran i kthyen gjithë sytë nga Lindja e Mesme - ndoshta edhe për faktin se efekti vërehet në pjesën më të madhe të botës, në mënyra të ndryshme. Mes gjithë lajmeve, analizave, deklaratave e çka jo tjetër për këtë zhvillim të jashtëzakonshëm, fokusi i newsletter-it tonë këtë javë është ky: cili është synimi përfundimtar i SHBA-së me operacionin në Iran?
Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.
Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!
🎧 Dëgjojeni këtë newsletter:
Shtetet e Bashkuara deklaruan se kanë bërë pozicionimin më të madh të ushtrisë amerikane në Lindjen e Mesme brenda një gjenerate, në kuadër të operacionit “Tërbimi Epik”, që ka në shënjestër Iranin.
Mbi 50.000 trupa ushtarake, 200 aeroplanë luftarakë, dy aeroplanmbajtëse dhe një mori avionësh bombardues me rreze të gjatë veprimi u tha se janë përfshirë në luftë kundër Iranit.
Lufta nisi në koordinim me Izraelin, më 28 shkurt, dhe për pasojë Iranit iu vranë udhëheqës të lartë, si dhe iu dëmtua rëndë infrastruktura ushtarake.
Në shenjë hakmarrjeje, Irani lëshoi dronë dhe raketa balistike në drejtim të Izraelit dhe bazave ushtarake amerikane në Gjirin Persik, përfshirë Bahrejnin, Kuvajtin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Omanin. Në disa prej këtyre vendeve, ambasadat amerikane janë mbyllur deri në një njoftim të radhës.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara bënë të ditur se nuk do të ndalen deri në arritjen e objektivave të tyre. Shtëpia e Bardhë doli me qëndrim të qartë. Përmes kësaj lufte, ajo synon:
• T’i asgjësojë raketat e regjimit iranian
• Ta shkatërrojë plotësisht marinën iraniane
• T’ua bëjë të pamundur degëzimeve terroriste iraniane destabilizimin e botës
• T’ia pamundësojë Iranit posedimin e armëve bërthamore
Thënë më thjesht, synimet lidhen me kapacitetet ushtarake dhe udhëheqjen politike të Iranit në të ardhmen.
Çfarë ka ndodhur deri më tani?
Tregues afatshkurtër i suksesit të operacionit amerikan do të jetë se sa shpejt do të ulet intensiteti i sulmeve të Iranit, tha ish-ambasadori i SHBA-së i ngarkuar për luftë kundër terrorizmit, Nathan Sales, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjenerali Dan Caine, pohoi të mërkurën se ka rënë dukshëm numri i raketave balistike që ka lëshuar Irani prej nisjes së luftës - 86 për qind, ndërsa intensiteti i sulmeve me dronë është zvogëluar për 73 për qind në krahasim me ditët fillestare.
Ndryshimi i regjimit
Kur presidenti amerikan, Donald Trump, e nisi fushatën ushtarake, ai iu drejtua popullit iranian me këto fjalë:
“Kur ta përfundojmë, merreni në duar qeverinë tuaj. Do të jetë e juaja. Kjo mund të ketë mundësia juaj e vetme ndër gjenerata”.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, dhe dhjetëra figura tjera politike dhe ushtarake u vranë qysh në ditën e parë të nisjes së luftës. Trump paralajmëroi më 4 shkurt se kushdo që synon të ngjitet në pozita të larta, “do të përfundojë i vdekur”.
Udhëheqja klerikale është në krye të Iranit prej Revolucionit Islamik të vitit 1979, në të cilin u rrëzua monarkia e shahut Mohammad Reza Pahlavi, i cili gëzonte mbështetjen e SHBA-së.
Regjimi iranian është kritikuar ndër vite se i ka lyer duart me gjakun e njerëzve të vet, pasi në disa protesta kundërqeveritare, pushteti ka përdorur dorë të hekurt, duke lënë dhjetëra njerëz të vrarë.
Gjenerali i pensionuar amerikan, Jack Keane, dikur zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se SHBA-ja dëshiron që populli iranian ta zotërojë vetë vendin e tij dhe ta qeverisë atë.
“Që publiku ta kuptojë: zakonisht, kur regjimet autoritare rrëzohen, ato zëvendësohen nga një tjetër regjim autoritar – ndoshta më pak ideologjik, gjë që mund të ndodhë edhe këtu – ndoshta më nacionalist, por një regjim me të cilin do të mund të punohet dhe që mund të drejtohet drejt një procesi tranzicioni, drejt zgjedhjeve dhe demokracisë. Kjo nuk ndodh menjëherë. Nuk po ndodh menjëherë as në Venezuelë – megjithëse është një rast tjetër – por shërben si ilustrim i dobishëm”.
Kush mund ta udhëheqë Iranin?
Për herë të parë pas 36 vjetësh, i ashtuquajturi Këshill i Ekspertëve duhet të mblidhet për të zgjedhur udhëheqësin e ardhshëm suprem të Iranit.
Në krye të listës duket se është Mojtaba Khamenei, djali i Ali Khameneit, ndonëse nuk ka mbajtur kurrë pozitë zyrtare qeveritare.
Në listë është edhe ajatollahu Alireza Arafi, 67-vjeçari që konsiderohet “njeriu tipik i sistemit”, si dhe Hassan Khomeini, nipi i themeluesit të Republikës Islamike, një klerik i moderuar, me lidhje të ngushta me kampin reformist.
Përtej Iranit, emri që përmendet më së shumti është ai i Reza Pahlavit, djalit të shahut të fundit, që jeton prej vitesh në mërgim.
Së voni, presidenti amerikan shprehu skepticizëm nëse ai mundet ta udhëheqë Iranin në të ardhmen, por as nuk përmendi ndonjë udhëheqës tjetër potencial.
Trump e pranoi se “disa njerëz e duan” Pahlavin brenda Iranit, por që administrata nuk ka menduar shumë në këtë drejtim.
Pahlavi, 65-vjeçar, në anën tjetër, pretendon se është figura ideale për të udhëhequr një qeveri në periudhë tranzicioni, dhe që ka gatishmëri të kthehet në Iran sa më shpejt që është e mundur, për herë të parë pas 47 vjetësh.
Autoritetet amerikane kanë deklaruar disa herë se lufta kundër Iranit nuk do të jetë e pafund, dhe mund të zgjasë të paktën katër javë. Sipas tyre, ky operacion është pothuajse mundësia e vetme për ta riformuar Lindjen e Mesme.
Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).
Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:
- Kosovarët në Lindjen e Mesme: Mes sirenave të luftës dhe kujtimeve të vitit 1999
- Kosova përballë një testi të mundshëm të sigurisë
- Emergjenca e re e QKUK-së: Strukturë betoni pa pacientë
Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.