5 pyetje është podkast i Radios Evropa e Lirë, ku një temë sqarohet me ndihmën e profesionistëve dhe ekspertëve, përmes përgjigjeve që kapin thelbin. Nga shëndeti e ekonomia, deri te politika dhe ligji, çdo episod sjell bisedë të qartë, verifikim faktesh dhe sqarime të nevojshme.
Në disa vende të Evropës, nga Suedia deri në Belgjikë, sulmet kibernetike prekën sistemet e ftohjes në supermarkete, duke rritur temperaturat në frigoriferë. Kur lidhen me internetin, pajisje si frigoriferët dhe kamerat e sigurisë mund të sulmohen nga distanca.
Blerim Rexha, profesor i inxhinierisë kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, thotë se shumë prej këtyre pajisjeve fillimisht nuk ishin projektuar për t’u kontrolluar nga distanca. Vetëm më vonë u janë shtuar module që mundësojnë kontrollin përmes internetit.
“Në momentin që pajisjen tonë e ekspozojmë në internet, ne duhet paraprakisht t'i marrim të gjitha masat që diçka e tillë të mos ndodhë nga personat e paautorizuar”, shpjegon ai në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë.
Një nga dobësitë e këtyre pajisjeve, sipas Rexhës, janë fjalëkalimet e paracaktuara nga prodhuesit.
“Shumica e këtyre pajisjeve, nëse janë të ekspozuara në internet, kanë kredencialet të cilat njihen si “default”, “admin123” e kështu me radhë dhe për pasojë janë lehtë të hakueshme”, thotë ai.
▶️ Shiko podkastin:
🎧 Dëgjo podkastin:
Your browser doesn’t support HTML5
A po e rrit inteligjenca artificiale rrezikun nga sulmet kibernetike?
Në përgjithësi, Rexha thotë se inteligjenca artificiale po ua mundëson edhe personave me më pak njohuri teknike të kryejnë sulme kibernetike që më parë kërkonin ekspertizë të avancuar.
“Derisa para katër, pesë e më shumë viteve për të sulmuar duhej të kishte një inxhinier jashtëzakonisht të mirë që i njeh sistemet, sot me inteligjencën artificiale ky prag është zvogëluar jashtëzakonisht shumë kështu që edhe fillestarët edhe grupet që nuk kanë një buxhet të mjaftueshëm mund të bëjnë diçka të tillë”, thotë ai.
Identifikimi i autorëve mbetet një nga vështirësitë e hetimit. Sipas Rexhës, sulmuesit përpiqen t’i fshehin gjurmët digjitale dhe, në disa raste, veprojnë nga shtete të tjera.
Mashtrimet bankare bëhen më bindëse me IA
Në supermarketet evropiane, sulmet prekën sistemet e ftohjes. Në Kosovë, mashtruesit kanë përdorur mesazhe të rreme për të vjedhur të dhënat bankare të qytetarëve.
Dhjetëra qytetarë kanë rënë viktimë e mesazheve që dukeshin sikur vinin nga bankat e tyre. Mesazhet i drejtonin në faqe që imitonin ato të bankave, ku mashtruesit u merrnin të dhënat dhe më pas ua zbraznin llogaritë. Mesazhe të tilla mund të duken sikur vijnë edhe nga posta ose institucione të tjera.
Rexha shpjegon se inteligjenca artificiale mund t’i bëjë këto mesazhe më bindëse, duke u dhënë një gjuhë më të natyrshme dhe një pamje që imiton komunikimet zyrtare.
“Nuk tingëllojnë vetëm përkthime bukfale nga gjuha angleze, por tani duken jashtëzakonisht të përafërta, sikur një mik i yni, sikur dikush i afërt ose sikur banka jonë tani ka dërguar një e-mail”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Pasojat e vjedhjes së të dhënave personale mund të shkojnë përtej humbjes së parave nga llogaritë bankare. Sipas Rexhës, të dhënat për individë dhe grupe të caktuara shiten në tregje të paligjshme në internet.
Ai paralajmëron se këto të dhëna mund të përdoren edhe për të krijuar identitete të rreme, një rrezik që e veçon në kohën kur Kosova po kalon drejt shërbimeve dhe identifikimit digjital.
Kosova ka ligje për sigurinë kibernetike, por ngec në zbatimin e tyre
Sipas Rexhës, zbatimi i ligjeve mbetet sfida kryesore për institucionet e Kosovës në përgatitjen për sulme kibernetike që mund të bllokojnë shërbimet publike.
“Ne mburremi që pasuria jonë janë njerëzit, por nuk i kemi mbështetur mjaftueshëm. Prandaj Kosova nuk ngec në aspektin ligjor, po ngec në aspektin praktik”, thotë ai.
“Investimi kryesor në këtë drejtim duhet bërë te të rinjtë, te studentët, sepse ata janë aseti kryesor, jo teknologjia, jo pajisjet që i blejmë”, thekson ai.
Për qytetarët, thotë Rexha, mbrojtja nis duke mësuar si t’i përdorin në mënyrë të sigurt pajisjet e lidhura me internetin, si kondicionerët që kontrollohen përmes telefonit, dhe si t’i dallojnë mesazhet mashtruese.
Ai propozon që siguria kibernetike të mësohet që në shkollën fillore dhe që qytetarëve t’u ofrohen trajnime. Sipas tij, përgjegjësia për sigurinë kibernetike ndahet mes ekspertëve të teknologjisë, institucioneve shtetërore, shkollave, universiteteve, kompanive dhe vetë qytetarëve.
Podkastin mund ta dëgjoni edhe në Apple Podcasts dhe në Spotify.