Mjegullnaja e projektit kinez në Kragujevc

Ndotja në Lumin Sava në Beograd.

Pyetjet lidhur me një kontratë kineze për ndërtimin e një sistemi kanalizimi në një qytet të Serbisë, që thuhet se ka vlerë shumëmilionëshe, kanë ngritur shqetësimet në mesin e aktivistëve, të cilët thonë se ky është një mikrokozmos se si Beogradi sillet me entitetet kineze.

Projekti në qytetin serb të Kragujevcit u dha pa tender ose pa prokurim publik, duke ngritur pyetje për transparencën dhe korrupsionin në lidhje me mënyrën se si kompanitë kineze dhe Qeveria serbe veprojnë në vend.

Ndërtimi i një rrjeti të ri të kanalizimit prej 360 kilometrash në Kragujevc, në Serbinë Qendrore, nisi në nëntorin e vitit të kaluar, dhe u kontraktuar direkt nga Ministria e Infrastrukturës dhe më pas projekti iu dha Korporatës kineze të Rrugës dhe Urës (CRBC), një kompani ndërkombëtare ndërtimi me seli në Pekin. Projektin kjo kompani e fitoi pa marrë pjesë në një proces tenderimi.

Projekti është pjesë e një sipërmarrjeje më të gjerë serbo-kineze, që quhet “Serbia e Pastër”, që Qeveria serbe e inicioi në vitin 2021 në 65 qytete dhe komuna dhe kjo nismë kap vlerën e 3.6 miliardë dollarëve.

Qëllimi i kësaj nisme është modernizimi, riparimi, dhe në disa raste, ndërtimi i sistemeve të menaxhimit të ujit në mbarë vendin, me qëllim që të ketë ujë të pijshëm më të mirë, të luftohet ndotja dhe të zgjerohet qasja në rrjete më moderne të ujërave të zeza, që sipas statistikave të Qeverisë, mbi një e treta e familjeve serbe nuk kanë qasje.

SHIKONI EDHE: Fukuyama: Kina nuk ka vetëm interesa ekonomike në Ballkan

Por, përderisa zyrtarët lokalë në Kragujevc pohojnë se qyteti i tyre ka nevojë për një sistem të ri të kanalizimit, me qëllim që të përballet me problemet e kamotshme me ujërat e zeza dhe ato të ndotjes, asamblistët opozitarë po ngrenë shqetësime për transparencën dhe mungesën e informacionit lidhur me ofertën dhe si e ka fituar këtë projekt kompania CRBC.

“Nuk kam marr asnjë përgjigje përveç se kompania kineze është kontraktorja kryesore”, i tha Radios Evropa e Lirë, Verolub Stevanoviq, asamblist në Kuvendin komunal të Kragujevcit, i cili më herët ka qenë edhe kryetar i këtij qyteti.

“Patjetër që problemet e qytetit me ujërat e zeza duhet të zgjidhen, por së pari [ne duhet të dimë] se cila është kostoja e vërtetë e kësaj dhe cilat janë kushtet e kësaj kredie”.

Përveç shqetësimeve për korrupsion, marrëveshja e drejtpërdrejt ndërmjet CRBC-së dhe Qeverisë serbe – por edhe mungesa e procesit të tenderimit, në mënyrë që edhe kompanitë e tjera të paraqisnin ofertat e tyre – përkon me një model më të gjerë, që aktivistët dhe grupet mbikëqyrëse thonë se është mënyra se si funksionojnë zyrtarët serbë me bizneset kineze.

“Në thelb është një reflektim i dobësisë së përfaqësuesve të shtetit tonë, të cilët në mënyrë jokritike pranojnë marrëveshje të tilla”, tha për Radion Evropa e Lirë, Nemanja Nenadiq, drejtor në Serbi i organizatës Transparency International.

“Njëra anë e ekuacionit është ajo se çfarë kërkon një partner i huaj për të arritur një marrëveshje, dhe ana tjetër është nëse pala serbe është e gatshme t’i pranojë [ato kërkesa]”.

Pekini dhe Beogradi

Pekini ka raporte të ngushta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe në dy dekadat e fundit, në mënyrë të vazhdueshme ka thelluar raportet me Serbinë dhe përgjatë Ballkanit.

Që atëherë, lidhjet e Beogradit me Kinën janë zgjeruar në shumë sektorë, përfshirë sektorin e tregtisë, mbrojtjes, teknologjisë dhe edukimit, teksa miliona dollarë nga Kina janë futur në Serbi nën siglën e nismës Brezi dhe Rruga – nisma globale infrastrukturore e Kinës –por edhe nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe.

SHIKONI EDHE: Si vepron Huawei në Serbi?

Po ashtu, Serbia gjithnjë e më shumë ndjek politikën e jashtme që shikon nga lindja, siç janë shteti i Kinës dhe Rusisë. Beogradi gjithashtu shikon nga perëndimi drejt Bashkimit Evropian, i cili nuk është vetëm një partner i madh dhe investitor i nivelit të lartë përmes Bankës Evropiane për Investime, por gjithashtu luan një rol jetik në përcaktimin e standardeve të biznesit dhe të punëtorëve që përfshihen në projekte.

Përveç kredive dhe investimeve përmes Bankës Evropiane për Investime, BE-ja po ashtu ofron grante për Serbinë dhe për shtetet e tjera të Ballkanit për projekte infrastrukturore dhe të modernizimit, duke bërë që ofertat e bllokut evropian të jenë ndër më të favorshmet që aktualisht ekzistojnë.

Megjithatë, investimet kineze në Serbi janë zgjeruar shumë shpejt dhe kanë nxitur kundërthënie, pasi kompanitë e mbështetura nga Pekini kanë përfituar përjashtime nga taksat, janë lejuar që të anashkalojnë ligjet e punës dhe kanë pasur edhe përjashtime të tjera. Në mënyrë të ngjashme, dëmet mjedisore të shkaktuara nga një minierë bakri me pronësi kineze, në afërsi të qytetit serb të Borit, kanë nxitur shqetësime dhe protesta për ndotjen e mjedisit.

SHIKONI EDHE: Kinën dhe Rusinë i bashkon biznesi në Serbi

Një studim nga Qendra për Studimin e Demokracisë, organizatë me seli në Bullgari, që u publikua në shtator të vitit 2021, tha se rritja e ndikimit ekonomik të Kinës në Evropën Qendrore dhe Lindore gjatë dekadës së fundit, ka përkuar me rënien e standardeve ligjore dhe qeverisëse në mbarë rajonin, teksa Serbia, në këtë studim, është veçuar si shembull kryesor për këtë gjë.

Pyetjet në Kragujevc

Shqetësimet po ngrihen rreth procesit të prokurimit për ndërtimin e sistemit të kanalizimit dhe impiantit të ujërave të zeza në Kragujevc.

Përderisa dihet që kompania kineze CRBC do ta udhëheqë projektin, pak detaje të tjera dihen ose janë deklaruar publikisht, veçanërisht se cilat kompani të tjera lokale apo ndërkombëtare do të përfshihen si nënkontraktorë në këtë marrëveshje fitimprurëse.

Sipas ministrit të Jashtëm serb, Tomisllav Momiroviq, kompanitë serbe do të përfaqësojnë “jo më pak se 49 për qind” të totalit të nënkontraktorëve në nismën “Serbia e Pastër”.

SHIKONI EDHE: Kina po e blen ndikimin politik në Evropën Qendrore dhe Lindore

Por, për shkak se nuk ka pasur një proces të tenderimit, ky informacion është vështirë i verifikueshëm.

Sipas komenteve që Zyra e kryetarit të Kragujevcit i ka dërguar Radios Evropa e Lirë përmes emailit, qytetet “që bëjnë pjesë në projektin ‘Serbia e Pastër’ nuk kanë detyrime financiare, përveç sigurimit të tokës se ku do të ndërtohen impiantet dhe projektet e tjera”.

Çështja e kostos gjithashtu ende është e paqartë, edhe pse një projektligj që pritet të dërgohet në Parlamentin serb, konfirmon një nga marrëveshjet e kredisë për projektin, duke përmendur një kredi prej 232 milionë dollarësh që do të jepet nga Korporata kineze e Eksportit dhe Sigurimit të Kredive. Kjo korporatë është një sipërmarrje e madhe shtetërore kineze, që është nën menaxhimin e Ministrisë së Financave të Kinës.

Zyra e kryetarit të Kragujevcit po ashtu i tha Radios Evropa e Lirë se 217 milionë dollarë janë dhënë nga Serbia për të ndërtuar tri impiante për trajtimin e ujërave të zeza, përveç projektit për ndërtimin e sistemit të kanalizimit.

CRBC nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me atë se si do të zgjedhë nënkontraktorët dhe çfarë do të bëjë për t’u siguruar që standardet dhe rregullat evropiane do të respektohen gjatë zbatimit të këtij projekti.

Your browser doesn’t support HTML5

Punëtorët vietnamezë ankohen për kushte çnjerëzore në Serbi

Ndërkaq, në pyetjet e Radios Evropa e Lirë lidhur procesin e prokurimit, Ministria e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës e Serbisë tha se ka marrëveshje të kamotshme me CRBC-në dhe kriteret për zgjedhjen e partnerëve për projekte të caktuara bazohen në disponueshmërinë e fondeve dhe efikasitetin e kontraktorëve.

Kjo ministri shtoi se standardet e BE-së në lidhje me trajtimin e ujërave të zeza, si dhe ligjet lokale mbi planifikim dhe ndërtim, por edhe mbrojtja e mjedisit, janë respektuar në procesin e dizjanimit të këtij projekti.

Një model i njohur

Nisma “Serbia e Pastër” nuk është shembulli i parë i bashkëpunimit kinezo-serb në infrastrukturën dhe trajtimin e ujërave. Sipas Nenadiq nga Transpareny International, kjo do të thotë se përkon me një model tipik të anashkalimit të rregullave dhe rregulloreve ekzistuese.

Për projekte të ngjashme si ai në Kragujevc, Ministria serbe për Ndërtim, Transportit dhe Infrastrukturë ka nënshkruar dy marrëveshje me Korporatën e Inxhinierisë së Makinerisë së Kinës (CMEC) në janar të vitit 2020. Projektet kanë të bëjnë me trajtimin e ujërave të zeza, dhe këto projekte iu dhanë kësaj korporate kineze pa tender ose proces të prokurimit publik.

SHIKONI EDHE: A mund t’i kundërvihet Kinës “Porta Globale” e BE-së?

Gjatë nënshkrimit të kontratës, si pala serbe, po ashtu edhe ajo kineze, theksuan se standardet e BE-së do të respektohen dhe shumë rregullore të bllokut janë modeluar dhe inkorporuar në legjislacionin ekzistues serb, siç është Ligji për prokurim publik, i cili kërkon që patjetër duhet të ketë ofertues dhe të ketë proces tenderimi për të gjitha projektet.

Por, Nenadiq thekson se këto nene të ligjit tani nuk po respektohen, gjë që mund të jetë një sinjal se projektet e ardhshme do të anashkalojnë edhe rregulla të tjera, pavarësisht deklarimeve publike se ato do të respektohen.

“Është e mundur që ata të pretendojnë se disa prej standardeve të BE-së do të respektohen”, tha Nenadiq. “Megjithatë, ajo që është mjaft e qartë është se rregullat janë pothuajse identike me ato të BE-së, dhe të njëjtat nuk po respektohen”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku