Ndërlidhjet

Kinën dhe Rusinë i bashkon biznesi në Serbi


Fotografi nga lartësia e një rafinerie nafte në qytetin e Pançevës, afër Beogradit, 22 janar 2008.

Në Pançevë afër kryeqytetit të Serbisë, Beograd, deri në fillim të tetorit do të jetë gati një provë e operimit të Termocentralit TE-TO.

Ky projekt në Serbi i ka bërë bashkë Kinën dhe Rusinë.

Investitori rus Gazprom, ka angazhuar Grupin Kinez Shanghai Electric për këtë projekt infrastrukturor në Serbi.

TE-TO do të prodhojë energji elektrike dhe ngrohje nga gazi natyror.

Pikërisht për shkak të bashkëpunimit me këto dy vende, Serbia po ballafaqohet me kritika të vendeve perëndimore. Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia nuk e ka harmonizuar ende politikën e jashtme me bllokun 27 anëtarësh.

Drejtori i hulumtimeve në Qendrën për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (Fondi ISAC), Igor Novakoviq, i tha Radios Evropa e Lirë se bashkëpunimi ekonomik midis Kinës dhe Rusisë në rajon është i bazuar më shumë në interes tregtar dhe nuk paraqet ndonjë rëndësi politike.

"Sipas mendimit tim Rusia nuk është hiç e interesuar që Serbia të anëtarësohet ndonjëherë në Bashkimin Evropian. Është në interesin e saj që ky proces të zgjasë sa më gjatë. Sa i takon Kinës, mbase është në interesin e tyre që i gjithë rajoni të integrohet në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Pasi në këtë mënyrë Pekini llogarit se do të ketë më shumë miq në institucionet e BE-së", thotë Novakoviq.

Rasti i Termocentralit TE-TO

Kompania energjetike kineze Shanghai Electric u shpall fituese e tenderit për ndërtimin e një termocentrali (TE-TO) në Pançevë në korrik të vitit 2017.

Në këtë tender aplikuan edhe kompani nga Greqia, Austria, Zvicra dhe Kina, thuhet në faqen e internetit të kompanisë me pronësi ruse “Nis”.

Pjesën më të madhe të investimit prej 180 milionë euro e siguron investitori “Gazprom Energoholding”, një degë e Gazprom, e njohur në Serbi si aksionari më i madh i NIS.

Kontrata me kompaninë kineze u nënshkrua në tetor të vitit 2017 nga kompania TE-TO Pançevo.

Kjo kompani, që do të ndërtojë termocentralin, u formua nga NIS dhe Centrenergoholding, e cila i përket Grupit të Gazprom Energoholding.

Pronësinë e komanisë NIS (Industria e Naftës e Serbisë) e ka kompania ruse Gazprom Neft (56.15%) dhe pjesën tjetër 29.87% shteti i Serbisë.

Projekti TE-TO po ndërtohet pranë rafinerisë së naftës në Pançevë dhe do të prodhojë energji elektrike dhe ngrohje nga gazi natyror.

Siç është thënë, energjia e prodhuar aty pritet të sigurojë nevojat gjithnjë e më të mëdha të Rafinerisë së Naftës në Pançevë, dhe pjesa e mbetur e energjisë elektrike do të shkojë në sistemin energjetik të Serbisë.

Gazprom: Projekti konfirmon efikasitetin e bashkëpunimit ruso-kinez

Drejtori i Përgjithshëm i Gazprom Energoholding, Denis Fyodorov, pati thënë në tetor të vitit 2017 se kompanitë që veprojnë në kuadër të këtij grupi kanë zbatuar projekte për ndërtimin dhe modernizimin e impianteve të energjisë me partnerë nga Kina në dhjetë vitet e fundit.

"Jam i sigurt se realizimi i suksesshëm i këtij projekti do të konfirmojë efikasitetin e lartë të bashkëpunimit ruso-kinez në zbatimin e projekteve në tregjet evropiane të energjisë", pati thënë Fjodorov.

Nga kompania “Gazprom Energoholding Serbia” i thanë Radios Evropa e Lirë (REL) se aktualisht ata nuk janë në dialog me kompanitë kineze sa i takon bashkëpunimin për projekte tjera në rajon.

Në një përgjigje me shkrim të kësaj kompanie thuhet se Serbia dhe gjithë rajoni i Ballkanit janë një ndër vendet më premtuese për zhvillimin e biznesit ndërkombëtar të Gazprom Energoholding.

"Ne do të përcjellim me vëmendje tenderët e shpallura nga Ministria e Minierave dhe Energjisë (të Serbisë)" deklaroi kompania.

REL gjithashtu i ka dërguar pyetje edhe kompanisë kineze Shanghai Electric Group lidhur me bashkëpunimin e tyre me kompanitë ruse në Serbi, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk ka pranuar përgjigje.

Sipas ekonomistit, Millan Kovaçeviq është mëse e zakonshme që kompanitë nga disa vende të ndryshme të gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe të zbatojnë së bashku një projekt.

"Këtu rastisi të jenë një kompani ruse dhe kineze që mund të tingëllojë se aty ka një aspekt politik, Gjegjësisht, të dyja vendet po përpiqen të heqin pengesat që Bashkimi Evropian po krijon për praninë e tyre në rajonin tonë", tha Kovaçeviq.

Bashkëpunimi ruso-kinez në nivel global

Edhe në nivel global po fuqizohet bashkëpunimi midis Kinës dhe Rusisë. Qendra për Sigurinë e Re Amerikane (CNAS) në një analizë të saj thotë se në aspektin praktit lidhjet midis Kinës dhe Rusisë janë forcuar.

"Duke filluar nga diplomacia në mbrojtje dhe nga ekonomika te informacioni - bashkëpunimi midis Pekinit dhe Moskës është intensifikuar", thotë ky Institut.

"Pekini po punon me Moskën në mënyrë që të përmbushë boshllëqet në aftësitë e saj ushtarake. Pastaj për të përshpejtuar zhvillimin e saj ushtarak dhe për të shtuar përpjekjet e saj në minimin e Shteteve të Bashkuara si një vend udhëheqës global".

Në analizën e botuar në muajin janar thuhet se Rusia po përforcon kërcënimin që Kina paraqet për Shtetet e Bashkuara.

Në Ballkanin Perëndimor “kështjella” e Kinës dhe Rusisë është para së gjithash Serbia.

Novakoviq: Aktiviteti i Kinës po rritet

Drejtori i hulumtimeve në Qendrën për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (Fondi ISAC), Igor Novakoviq thotë se Kina është gjithnjë e më aktive në rajon.

Sipas tij Kina ka qenë në përgjithësi një lojtar më pasiv në politikën ndërkombëtare, por që tani sipas tij Pekini ka treguar shenja të ndryshimit.

"Ajo (Kina) ishte kryesisht e përmbajtur, pasi u përpoq të mos zemërojë as Perëndimin dhe as Rusinë nëse kishte ndonjë çështje konflikti. Sidoqoftë, tani më duket se kjo po ndryshon", tha Novakoviq.

Si shembuj të kësaj ai citoi postimin e Ambasadës së Kinës në Podgoricë, përmes së cilit, zyrtarëve amerikanë iu dërgohej porosi të kujdeseshin për punët e tyre me Malin e Zi dhe të shqetësoheshin më pak për bashkëpunimin midis Kinës dhe Malit të Zi.

Një çështje tjetër, analisti Novakoviq përmend propozimin e rezolutës së Kinës dhe Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më 22 korrik për heqjen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë (OHR), propozim ky që nuk u miratua.

"Jemi duke parë një pozicionim gjithnjë e më konfrontues të Kinës ndaj Perëndimit. Për këtë, Pekinit gjithashtu i konvenon bashkëpunimi me Rusinë, e cila ka qenë e pranishme këtu në rajon dhe ka treguar një sjellje të tillë për shumë vite", tha Novakoviq.

Bashkimi Evropian disa herë i ka dërguar Serbisë paralajmërime për rëndësinë që ky vend të përafrojë politikën e jashtme me BE-në.

Serbia nuk ka mbështetur disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për dënimin e Rusisë dhe Kinës dhe vendeve të tjera autokratike në lidhje me shkeljen e të drejtave të njeriut. Beogradi llogarit në mbështetjen e këtyre vendeve në mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Stefan Vladisavlev, nga Fondi për Ekselencë Politike, një organizatë joqeveritare me seli në Beograd, i tha Radios Evropa e Lirë se në Serbi krahas pranisë së vendeve të BE-së ekziston edhe prania e vendeve nga Lindja.

"Ne trashëgojmë atë që njihet si katër shtyllat e politikës së jashtme. Pra, ne u përmbahemi shtyllave që i referohen Moskës dhe Pekinit, dhe u mundësojmë atyre që të zhvillojnë bashkëpunimin e tyre të ndërsjellë në Serbi", tha Vladisavljev.

Politika e jashtme e bazuar në katër shtylla - Bashkimi Evropian, Rusia, Shtetet e Bashkuara (SHBA) dhe Kina, u krijua nga ish -presidenti serb, Boris Tadiq, i cili drejtoi vendin nga vitit 2004 deri më 2012.

Pasi Partia Përparimtare Serbe mori pushtetin në vitin 2012, presidenti serb Aleksandar Vuçiç përsëriti se Serbia është në rrugën drejt anëtarësimit në BE, por se ajo po ndërton marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën.

Projektet e Serbisë me Kinën dhe Rusinë

Ka kohë që Serbia zhvillon shumë projekte infrastrukturore me Kinën dhe Rusinë.

Ministrja e Minierave dhe Energjisë, Zorana Mihajlloviq, e cila më 22 korrik bisedoi me përfaqësuesit e Shanghai Electric në Beograd për projektet e mundshme për ndërtimin e termocentraleve me gaz në Serbi, tha se vlera e projekteve të përbashkëta të infrastrukturës midis Serbisë dhe Kinës është rreth 15 miliardë euro.

Disa nga projektet janë: Korridori rrugor 10 dhe Korridori 11, Ura Mihajlo Pupin në Beograd, pastaj kompanitë kineze kanë blerë hekurishten në Smederevë dhe kompleksin e minierave Bor.

Me Rusinë, Serbia gjithashtu ka zhvilluar shumë projekte të përbashkëta infrastrukturore, të tilla si hekurudha Stara Pazova-Novi Sad, e cila është një pjesë e hekurudhës Beograd-Novi Sad, si dhe projekte energjetike, siç është tubacioni i gazit nga Bullgaria deri në kufirin me Hungarinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG