Irani e Rusia zhvillojnë stërvitje detare teksa SHBA-ja rrit praninë ushtarake në Detin Arabik

Anije gjatë stërvitjes së përbashkët detare të Iranit dhe Rusisë në Iranin jugor, 19 shkurt 2026.

Irani dhe Rusia kanë nisur stërvitje të përbashkëta detare në ujërat jugore të Iranit më 19 shkurt, derisa Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë ta zgjerojnë praninë e tyre ushtarake në Detin Arabik.

Stërvitjet po zhvillohen kryesisht në Ngushticën e Hormuzit, në Gjirin e Omanit dhe në pjesën veriore të Oqeanit Indian.

Të njohura si “Brezi i Sigurisë Detare”, këto ushtrime vjetore mbahen që nga viti 2019 dhe zakonisht kanë përfshirë edhe Kinën, megjithëse Pekini nuk duket të jetë i përfshirë në stërvitjet e tanishme.

Admirali i marinës iraniane, Hassan Maqsudlu, u tha gazetarëve se një nga qëllimet e stërvitjeve është “parandalimi i çdo veprimi të njëanshëm në rajon”, me gjasë duket duke iu referuar rritjes së pranisë ushtarake amerikane.

Stërvitjet e përbashkëta Iran-Rusi

Sipas mediave iraniane, marinat e Iranit dhe Rusisë zhvilluan ushtrime të vëzhgimit ajror dhe praktikuan formacione taktike si dhe manovrime në kuadër të stërvitjes.

SHIKONI EDHE: Mbështetja e Kinës për Iranin kthehet në qendër të vëmendjes pas bisedimeve bërthamore

Ushtrimet përfshinë gjithashtu skenarë të formacioneve ofensive, me qëllim përmirësimin e koordinimit taktik, forcimin e komandës dhe kontrollit të përbashkët, si dhe simulimin e reagimit të shpejtë në kushte operacionale, ku njësitë praktikuan teknika të kombinuara dislokimi dhe manovrimi.

Forcat pjesëmarrëse përfshinin njësi nga marina iraniane dhe marina e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) - si anije luftarake, anije me raketa, helikopterë, ekipe të operacioneve speciale dhe mjete të shpejta sulmuese - së bashku me korvetën ruse Stoikiy dhe avionë luftarakë të Forcave Ajrore Iraniane.

IRGC-ja, e cila i zhvilloi stërvitjet e veta detare në Ngushticën e Hormuzit më 16–17 shkurt, pritet të shpallet zyrtarisht organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian këtë javë.

Vendimi për ta futur IRGC-në në listën e zezë u mor muajin e kaluar.

Nga pala ruse, duket se vetëm një anije luftarake mori pjesë në stërvitje.

“Të vogla dhe simbolike”

Duke e theksuar praninë e kufizuar të Rusisë, ish-oficeri i marinës iraniane, Mohammad Parsi, i përshkroi stërvitjet si “të vogla dhe simbolike”.

“Nuk mund ta paramendoj Rusinë duke ofruar mbështetje reale në një përballje të drejtpërdrejtë mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara”, i tha ai Radios Farda, duke shtuar se Moska ka gjasa ta përdorë Teheranin si “mjet presioni” në përballjen e saj më të gjerë me Perëndimin, në vend që të angazhohet për mbrojtje të ndërsjellë.

Stërvitjet po zhvillohen ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Irani po i vazhdojnë bisedimet për një marrëveshje të mundshme që do të kufizonte programin bërthamor të Iranit dhe do të shmangte luftën.

SHIKONI EDHE: Shtëpia e Bardhë paralajmëron Iranin që të arrijë marrëveshje me SHBA-në

“Irani do tregonte mençuri duke arritur marrëveshje”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, më 18 shkurt, pasi rundi i dytë i bisedimeve SHBA–Iran në Gjenevë përfundoi pa ndonjë përparim.

Uashingtoni ka rritur praninë e tij ushtarake në Lindjen e Mesme javët e fundit dhe së fundmi ka dërguar aeroplanmbajtësen e dytë në Detin Arabik.

Sipas disa raportimeve, fuqia ajrore amerikane në rajon ka arritur tani nivelin më të lartë që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003.