Ndërlidhjet

Mbështetja e Kinës për Iranin kthehet në qendër të vëmendjes pas bisedimeve bërthamore

Flamujt iranianë valëviten pranë raketave të ekspozuara, ndërsa Kulla Azadi shihet në sfond, gjatë 47-vjetorit të Revolucionit Islamik në Teheran, më 11 shkurt.
Flamujt iranianë valëviten pranë raketave të ekspozuara, ndërsa Kulla Azadi shihet në sfond, gjatë 47-vjetorit të Revolucionit Islamik në Teheran, më 11 shkurt.

Teksa takimi më i fundit i bisedimeve bërthamore përfundoi në Gjenevë më 17 shkurt, Shtetet e Bashkuara janë duke e shqyrtuar shtimin e trysnisë ndaj eksporteve të naftës së papërpunuar iraniane me çmim të zbritur drejt Kinës, të cilat cilësohen si thelbësore për mbijetesën ekonomike të Teheranit.

Më shumë se 80 për qind e eksporteve të naftës së Iranit shkojnë drejt Kinës.

Sipas një raporti të Axios, që citon zyrtarë amerikanë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, janë pajtuar që Uashingtoni do të punojë për ta kufizuar shitjet e naftës iraniane në Kinë, gjë që ka mundësi ta rrisë ndjeshëm trysninë ndaj Teheranit.

E pyetur për raportin, Ministria e Jashtme e Kinës deklaroi më 16 shkurt se “bashkëpunimi normal midis vendeve, i zhvilluar brenda kornizës të së drejtës ndërkombëtare, është i arsyeshëm dhe legjitim dhe duhet të respektohet dhe të mbrohet”.

Mosmarrëveshja thekson se si për Iranin Kina është bërë jetike për t’i bërë ballë trysnisë nga Perëndimi.

Pekini është partneri më i madh tregtar i Teheranit dhe burim gjithnjë e më i rëndësishëm i teknologjisë dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë, duke i bërë blerjet e naftës synim tërheqës për ta riformësuar terrenin e bisedimeve.

Megjithatë, trysnia në rritje nga SHBA-ja dhe reagimi i përmbajtur i Kinës nxjerrin në pah rolin e ndërlikuar të Pekinit.

Derisa Irani përballet me një grumbullim ushtarak amerikan në rajon dhe trysni të ripërtërirë diplomatike pas një shtypjeje vdekjeprurëse të protestave mbarëkombëtare, Kina ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm publik, duke bërë thirrje për stabilitet, por duke shmangur përballjen e drejtpërdrejtë me Uashingtonin.

Në të njëjtën kohë, thellimi i marrëdhënieve nder vite - nga trajnimi policor deri te mbikëqyrja e avancuar - e kanë ndihmuar Teheranin t’i shtypë kundërshtarët dhe ta përballojë njërën prej sfidave më serioze ndaj sundimit të tij klerikal në vite.

“Është një model në të cilin Kina shkëlqen dhe që e ka rafinuar brenda vendit”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) Michael Caster, drejtues i programit global për Kinën në organizatën britanike për të drejtat e njeriut, Article 19.

“Shtetet si Irani nuk kanë nevojë për nxitje për të qenë autoritare, por sigurisht që mund të shohin ndikimin autoritar më efektiv dhe më të aftë të përdorur nga Kina”, shtoi ai.

Huazimi i manualit

Nafta i ka vendosur themelet e marrëdhënieve Kinë–Iran në vitet e fundit. Sanksionet amerikane, të dizajnuara për të frenuar ambiciet bërthamore të Teheranit, janë kompensuar pjesërisht nga blerja e naftës iraniane nga Kina me çmim të zbritur.

Një pjesë e madhe e këtij tregtimi funksionon përmes marrëveshjeve të shkëmbimit, ku nafta iraniane me çmim të ulur shkëmbehet me mallra kineze, teknologji dhe infrastrukturë. Ky sistem ka mbushur tregjet iraniane me produkte të prodhuara në Kinë, si dhe ka ndihmuar në ruajtjen e të ardhurave qeveritare.

Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv më 6 shkurt, përmes të cilit Uashingtoni mund ta rrisë trysninë ekonomike ndaj Iranit dhe potencialisht ta shënjestrojë blerjen e naftës iraniane nga Kina.

Hapa të tillë mund të ndikojnë gjithashtu në rrjedhën e pajisjeve kineze që mbështesin sistemin në zgjerim të censurës në Iran, i cili u mundësoi autoriteteve të shkëpusin pjesën më të madhe të vendit nga interneti gjatë protestave të janarit.

“Sfera digjitale është vendi ku shoqëria civile gjen hapësira në infrastrukturën e kontrollit për t’u mbledhur, për t’u shprehur dhe për të dokumentuar”, tha Caster, bashkautor i një raporti të fundit të Article 19 që tregon se si Kina ka ndihmuar Teheranin ta zgjerojë shtypjen digjitale brenda vendit.

“Duke fituar kontroll total mbi domenin digjital përmes teknologjive dhe taktikave të reja nga Kina, Irani është në gjendje të ushtrojë një nivel të ri kontrolli”, sipas tij.

Ky bashkëpunim u bë i dukshëm ndërsa iranianët dolën në rrugë për shkak të krizës së përkeqësuar ekonomike. Autoritetet ndalën qasjen në internet me një shpejtësi të paparë, duke izoluar qytetarët nga bota e jashtme dhe duke kufizuar përhapjen e informacionit.

Dëshmitarë thanë se u përdorën dronë për t’i kontrolluar protestuesit dhe, në disa raste, për të qëlluar mbi turma. Të tjerë raportuan se teknologjia u përdor për t’i identifikuar demonstruesit në rrugë dhe në shtëpitë e tyre pasi brohoritën kundër Qeverisë.

Raporti i Article 19 thotë se teknologjitë e mbikëqyrjes të zbatuara fillimisht në rajonin kinez të Xinjiangut kundër popullsisë ujgure tani po përdoren në Iran, gjë që, sipas Caster, tregon se si Teherani huazon nga “manuali autoritar digjital” i Pekinit.

“Kemi parë dokumentim që prej një dekade e gjysmë për transferime teknologjie midis Kinës dhe Iranit,” tha Caster. “Por një nga pjesët thelbësore të historisë që shpesh anashkalohet janë kushtet e kornizës normative, ose strategjia e përdorimit të këtyre teknologjive për qëllime shumë të sofistikuara autoritare digjitale”.

Thellimi i partneritetit në siguri

Partneriteti është zhvilluar gradualisht, dhe gjigantë kinezë të teknologjisë si Huawei, ZTE, Tiandy dhe Hikvision kanë nënshkruar marrëveshje për ta furnizuar Teheranin me pajisje dhe ekspertizë.

Këto transferime kanë vazhduar pavarësisht sanksioneve amerikane dhe kanë ndihmuar në avancimin e Rrjetit Kombëtar të Informacionit (NIN) të Iranit, një internet i brendshëm i kontrolluar nga shteti dhe i vëzhguar tërë kohën, i cili po shkon drejt fundit.

Forcat iraniane të sigurisë filluan të stërviten nga homologët kinezë për taktika të kontrollit të turmave dhe teknologji vëzhgimi që në vitin 2005, bashkëpunim që është thelluar përmes dekadash shkëmbimesh dhe marrëveshjesh.

Irani iu bashkua Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), një bllok rajonal sigurie dhe tregtie, në vitin 2023 me mbështetjen e Kinës. Ai priti trupa nga Kina, Rusia dhe shtatë vende të tjera për stërvitje kundër terrorizmit të organizuara nën SCO në dhjetor.

Pak javë më vonë, më 25 dhjetor, vetëm disa ditë para shpërthimit të protestave në Iran, ambasadori i Iranit në Kinë vizitoi Universitetin e Sigurisë Publike të Popullit në Pekin, ku u zotua të vazhdojë “bashkëpunimin pragmatik në zbatimin e ligjit dhe sigurisë”.

Në vitin 2021, Irani dhe Kina njoftuan një marrëveshje 25-vjeçare bashkëpunimi ekonomik për të rritur bashkëpunimin teknik dhe për të ndërtuar infrastrukturë të gjerë si autostrada të reja dhe hekurudha të shpejta.

Soheil Azadi, anëtar i bordit editorial të faqes persiane për verifikimin e fakteve FactNameh me bazë në Kanada, tha për REL-in se versionet e rrjedhura të marrëveshjes tregojnë klauzola të dizajnuara posaçërisht për bashkëpunim në siguri dhe transferime teknologjike.

Ai thotë se disa nga këto fusha përputhen me adoptimin nga Irani të pajisjeve kineze të mbikëqyrjes dhe me konsultimet për ndërtimin e NIN.

Deri më tani, marrëveshja ka prodhuar rezultate të kufizuara, me investimet kineze që mbeten kryesisht të kufizuara brenda Iranit të goditur rëndë nga sanksionet.

Një studim i janarit mbi marrëdhëniet Kinë–Iran nga Instituti Brookings në Uashington e quajti marrëveshjen “një përpjekje për ta mbajtur ekonominë e Iranit mbi ujë përballë sanksioneve amerikane”, në përputhje me qasjen pragmatike të Pekinit ndaj Iranit, ndërsa ai vazhdon të përballet me presionin e SHBA-së dhe paqëndrueshmërinë e brendshme.

“Kina është shumë më e rëndësishme për Iranin sesa anasjelltas”, thuhet në raport.

“Për Kinën, interesat e saj në Iran do të përqendrohen në mbrojtjen e stabilitetit, sigurimin e qasjes së vazhdueshëm në eksportet iraniane të naftës dhe në përpjekjen për të parandaluar shfaqjen e një regjimi proamerikan në Teheran”.

Përgatiti: Ekrem Idrizi
XS
SM
MD
LG