Ndërlidhjet

A do të heqë dorë Irani nga programi raketor në këmbim të një marrëveshjeje?

Një bilbord në Teheran në tetor të vitit 2024 që shfaq raketa iraniane duke sulmuar Izraelin dhe ku shkruan në farsi: "Nëse do luftë, ne jemi mjeshtër të luftës". Dhe, në gjuhën hebraike thuhet ky mesazh: "Izraeli duhet të zhduket nga faqja e dheut dhe kjo është pikënisja".
Një bilbord në Teheran në tetor të vitit 2024 që shfaq raketa iraniane duke sulmuar Izraelin dhe ku shkruan në farsi: "Nëse do luftë, ne jemi mjeshtër të luftës". Dhe, në gjuhën hebraike thuhet ky mesazh: "Izraeli duhet të zhduket nga faqja e dheut dhe kjo është pikënisja".

Presidenti amerikan, Donald Trump, publikisht ka folur për diplomacinë me Iranin pas takimit që zhvilloi më 11 shkurt me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Por, ekspertët thonë se mosmarrëveshja më e thellë mund të mos përqendrohet në programin bërthamor të Iranit, por të zgjerohet edhe në kapacitetet raketore të Republikës Islamike.

Pas takimit, Trump sinjalizoi se negociatat me Teheranin do të vazhdojnë. Netanyahu, megjithatë, Netanyahu kërkoi që zyrtarisht programi raketor i Iranit të përfshihet në çdo marrëveshje, diçka që Teherani vazhdimisht e ka refuzuar.

Rundi i ri i bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit pritet të zhvillohet më 17 shkurt në Gjenevë.

Duke folur për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë, Hossein Aryan, analist i mbrojtjes me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, argumentoi se objektivi strategjik afatgjatë shkon përtej çështjes bërthamore.

“Nëse e shikojmë këtë çështje në një panoramë më të gjerë, qëllimi i Izraelit është që të reduktojë në mënyrë drastike kapacitetet mbrojtjes të Iranit, si nën Republikën Islamike dhe madje edhe në periudhën pas saj”, tha ai.

Sipas Aryanit, Izraeli e sheh arsenalin raketor të Iranit si asetin më të rëndësishëm ushtarak të tij dhe si “kapacitetin e tij të vetëm parandalues”.

Edhe pse shtete të tjera në rajon posedojnë raketa balistike, ai tha se zyrtarët izraelitë e shohin programin iranian si të ndryshëm, pasi ai është bërë gjithnjë e më shumë i prodhuar brenda shtetit dhe i vetëqëndrueshëm.

Vlerësimet izraelite sugjerojnë se, nëse nuk kontrollohet, Irani mund të zgjerojë arsenalit e tij deri në 8.000 deri më 2028. Projeksione të tilla ndihmojnë për të shpjeguar shqetësimet izraelite lidhur me sulme të mundshme masive në të ardhmen, që do të mund të vendosnin presion të madh ndaj sistemeve të mbrojtjes raketore.

“Kjo është pikërisht pse fokusi i Netanyahut aktualisht nuk është në programin bërthamor, sepse ata besojnë se ajo pjesë është nën kontroll ose për momentin nuk është në fazë kritike. Fokusi i tij kryesor është që të ndalë ushtrinë e Iranit dhe makinerinë e raketave”, tha Aryan.

Programi bërthamor i Iranit pësoi një goditje të madhe pas fushatës së përbashkët ajrore të SHBA-së dhe Izraelit kundër Republikës Islamike në qershor të vitit 2025, fushatë që kishte për shënjestër ndërtesat bërthamore në Fordo, Isfahan dhe Natanz.

S’ka traktat për ndalimin e raketave

Çështja e raketave përbën një pengesë të madhe diplomatike. Teherani insiston se programi i tij i raketave konvencionale është i pa negociueshëm dhe Aryan theksoi se nuk ekziston asnjë traktat detyrues ndërkombëtar që ndalon shprehimisht zhvillimin e raketave.

Korniza si Regjimi i Kontrollit të Teknologjisë së Raketave (MTCR) dhe Kodi i Sjelljes i Hagës janë marrëveshje vullnetare, e jo ndalime që ligjërisht duhet të zbatohen.

Njëkohësisht, Aryan tha se lëvizjet ushtarake të SHBA-së pranë Iranit sugjerojnë plane rezervë në rast se negociatat dështojnë. Ai i përshkroi dislokimet si pjesërisht si masë parandalimi, pjesërisht taktikë për presion.

“Një pjesë e kësaj është formësim mediatik, dhe një pjesë tjetër është presioni – për ta shtyrë Irani drejt diplomacisë dhe për të nxjerrë koncesione maksimale”, tha Aryan. Megjithatë, ai shprehu dyshime se një presion i tillë do ta detyronte Republikën Islamike të zvogëlojë ose të heqë dorë nga programi i saj raketor.

“Operacion mashtrimi”

Teksa Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu ndajnë qëllimin e përbashkët për të ndaluar që Irani të ketë armë bërthamore, ata kanë qëndrime të ndryshme sa i përket një marrëveshjeje të fundit – të paktën publikisht. I shqetësuar se një marrëveshje e ngushtë bërthamore, Netanyahu udhëtoi për në Uashington për të siguruar që raketat të jenë një pjesë e panegociueshme e çdo propozimi amerikan.

Disa analistë këshillojnë për kujdes në interpretimin e optimizmit publik të Trumpit për diplomacinë.

“Në pikëpamjen time, deklaratat e Trumpit nuk tregojnë domosdo diçka konkrete dhe nuk mund të mbështetesh me siguri tek ato”, tha Mohammad Ghaedi, ligjërues në Universitetin George Washington.

Ai sugjeroi se dallimet e dukshme midis SHBA-së dhe Izraelit mbi atë që konsiderohet një marrëveshje e pranueshme mund të jenë mesazhe strategjike.

“Këto deklarata mund të pasqyrojnë dallime midis SHBA-së dhe Izraelit, por po ashtu mund të konsiderohen si një operacion mashtrimi, që do të thotë se flitet për dallime dhe mosmarrëveshje ndërkohë që një sulm befasues po përgatitet”, tha Mohammad Ghaedi.

Edhe pse SHBA-ja e ka forcuar praninë e saj ushtarake në rajon, Ghaedi vlerësoi se mundësia e sulmeve të menjëhershme mbetet relativisht e ulët.

Në vend të sulmeve të menjëhershme, ai parashikoi përshkallëzim të sanksioneve dhe presion ekonomik. Ai përmendi deklaratat e Scott Bessent në Forumi Ekonomik Botëror në Davos, ku Bessent vlerësoi se sanksionet e kanë dobësuar ekonominë e Iranit dhe kanë nxitur pakënaqësi të brendshme.

Megjithatë, Mohammad Ghaedi tha se Trumpi, potencialisht i ndikuar nga aktorë rajonalë si Katari dhe Turqia, mund të pranojë një marrëveshje të përkohshme, edhe pse Netanyahu këmbëngul se çdo marrëveshje e mundshme duhet të jetë e përhershme dhe të përfshijë kufizime mbi programin raketor të Iranit.

Irani dhe SHBA-ka zhvilluan bisedime më herët këtë muaj në Oman, dhe rundi i ri është paralajmëruar për të martën. Por, Teherani mban qëndrimin se diskutimet mund të përqendrohen vetëm te programi i tij bërthamor. Më 11 shkurt, Ali Shamkhani, këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem iranian, theksoi përsëri se “çështja e raketave nuk është brenda kompetencës së negociatorëve”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG