Si po e kthen Irani varrimin e Khameneit në shfaqje force

Qytetarë të mbledhur teksa makina me arkivolin e Khameneit kalon nëpër një rrugë në Kom më 7 korrik.

Irani po organizon një funeral masiv njëjavor në mbarë vendin për të nderuar udhëheqësin shumëvjeçar suprem, Ali Khamenei, i cili u vra në fillim të luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.

Ceremonitë e mëdha publike, që kanë mbledhur qindra mijëra njerëz, janë shfrytëzuar nga autoritetet për të shfaqur forcë dhe unitet, edhe pse shteti përballet me pakënaqësi të gjera për shkak të krizës së thellë ekonomike dhe rritjes së shtypjes ndaj disidencës.

Mediat shtetërore iraniane e kanë paraqitur pjesëmarrjen e madhe në ceremoninë mortore për Khamenein si dëshmi të asaj që ato e cilësojnë si popullaritet dhe legjitimitet të sundimtarëve klerikalë të Iranit. Megjithatë, disa brenda Iranit, si edhe disa media jashtë Iranit, kanë raportuar për presion ndaj punëtorëve dhe bizneseve për të marrë pjesë në ceremonitë, duke ngritur pikëpyetje mbi gjenden reale.

Khamenei, i cili udhëhoqi me Iranin për më shumë se tri dekada, u pasua në postin e udhëheqësit suprem nga djali i tij, Mojtaba Khamenei, i cili nuk është parë në publik që nga emërimi i tij.

“U mbajt një referendum, mjafton t’i shikoni rrugët”, shkroi agjencia e lajmeve Mehr, që është një media konservatore.

“A nuk kërkuat referendum?”, thuhej në editorialin e kësaj agjencie, duke iu drejtuar kritikëve të autoriteteve, të cilët që një kohë të gjatë kanë kërkuar mbajtjen e një referendumi për çështjet kryesore politike në vend.

“Referendumi nuk mbahet vetëm në kutitë e votimit”.

SHIKONI EDHE:

Irani i jep lamtumirën Khameneit me ceremoni pesëditore

Të njëjtat argumente u parashtruan edhe nga media të tjera shtetërore, përfshirë agjencinë zyrtare të lajmeve IRNA, gazetën konservatore Farhikhtegan dhe agjencinë e lajmeve Fars, e cila është e lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

Por, po aq e rëndësishme është edhe ajo që mediat zyrtare nuk e thonë.

Irani është tronditur nga një valë e protestave masive në vitet e fundit, të fundit të organizuara në janar, teksa janë shtuar thirrjet për mbajtjen e një referendumi dhe hartimin e një kushtetute të re.

Megjithatë, udhëheqësit iranianë, përfshirë edhe Khamenein sa ishte gjallë, e kanë kundërshtuar mbajtjen e një referendumi për çështjet e politikës së brendshme, ekonomisë dhe politikës së jashtme, si mënyrë për të zgjidhur pakënaqësinë publike në vend. Protestat e janarit u shtypën ashpër nga forcat e sigurisë, kur u vranë mijëra njerëz.

Gazeta Keyhan, kryeredaktori i së cilës emërohet nga udhëheqësi suprem, shkroi në një editorial të publikuar më 7 korrik se nuk ka nevojë për referendum, pasi pjesëmarrja në aktivitetet e organizuara nga shteti shërben si një “referendum i përhershëm” për Republikën Islamike.

“Propaganda e regjimit”

Për familjet e iranianëve që ishin viktima të autoriteteve, funerali tregon një histori tjetër.

Ata thonë se ceremonia ekstravagante e varrimit të Khameneit vë në pah pandëshkueshmërinë e autorëve të dhunës shtetërore, e jo unitet kombëtar.

“Jam e tmerruar nga prania e disa qytetarëve të zakonshëm në procesionin mortor të Ali Khameneit”, tha Mihan Rusta, bashkëshorti i së cilës, Reza Esmati, u ekzekutua në vitin 1988 gjatë ekzekutimeve masive të të burgosurve politikë.

“Prania e politikanëve nuk më tmerron – kjo është puna e tyre. Por, prania e njerëzve të zakonshëm i jep këtij regjimi fuqinë për të kryer aktet kriminale që ka kryer deri më tani”, tha ajo për Radio Farda të Radios Evropa e Lirë.

*Video: Ceremonitë mortore për Khamenein

Your browser doesn’t support HTML5

Teksa Irani përgatit varrim madhështor për Khamenein, shumë njerëz e kujtojnë si lider brutal

Të tjerë e lidhën drejtpërdrejt pamundësinë e tyre për të shprehur publikisht pikëllimin e tyre me ceremoninë madhështore mortore për Khamenei, e cila u shty për disa muaj për shkak të luftës.

Soran Mansurnia tha se vëllai i tij, Borhan Mansurnia, u vra me armë zjarri gjatë protestave të nëntorit të vitit 2019 në qytetin perëndimor të Kermanshahut.

“Republika Islamike jo vetëm që na e vrau njeriun tonë të dashur. Ajo nuk na ka lejuar asnjëherë ta vajtojmë publikisht”, tha ai për Radio Farda. “Kur e krahasoj këtë funeral me përvojën time, nuk shoh asgjë tjetër veçse diskriminim”.

Ceremonia mortore duket se ka zbehur, të paktën për disa ditë, pakënaqësinë e gjerë ndaj mënyrës se si regjimi e ka menaxhuar ekonominë. Kriza ekonomike ishte aq e rëndë sa nxiti protestat masive në fillim të vitit, të cilat më pas u shndërruan në një lëvizje të gjerë kundër Qeverisë, që tronditi udhëheqjen e vendit.

Familja e Mohammad Erfan Faraji, i cili u vra me armë zjarri gjatë protestave të janarit në Teheran, e quajti ceremoninë mortore të Khameneit “propagandë të regjimit”.

Xhaxhai i tij, Majid Moqaddasi, tha se familjarët e viktimave të dhunës shtetërore nuk kanë mundur të organizojnë as ceremonitë mortore për të afërmit e tyre, qoftë për shkak të vështirësive financiare, qoftë për shkak të presionit nga autoritetet.

“Është shumë e hidhur të shohësh këto ceremoni kaq madhështore”, tha ai për Radio Farda.

Përgatiti: Mimoza Sadiku