Irani do ta nisë kufizimin e furnizimit me rrymë, teksa bota pret lëvizjen e radhës nga Trumpi

Teherani është përballur shpesh me mungesa të energjisë elektrike dhe ndërprerje të rrymës, pavarësisht se zotëron rezerva të mëdha të naftës dhe gazit.

Për shkak të pasigurisë për hapin e ardhshëm të presidentit amerikan, Donald Trump – nëse do të vazhdojë me bisedime apo do të urdhërojë sulme të reja – Irani do të nisë nga 22 nëntori kufizimin e furnizimit me energji elektrike.

Kjo ndodh vetëm pak ditë pasi autoritetet iraniane nisën zbatimin e masave për menaxhimin e blerjes së bukës, për shkak të mungesave.

“Duke pasur parasysh gjendjen e furnizimit të vendit me karburante, sektori i energjisë elektrike do të detyrohet të vendosë kufizime në shpërndarjen e rrymës nga e diela”, tha më 21 nëntor për televizionin shtetëror Mohammad Allahdad, drejtues i kompanisë kombëtare të energjisë elektrike në Iran.

Sipas Allahdadit, ndërprerjet e energjisë pritet të zgjasin deri në dy orë në ditë, varësisht nga zona.

SHIKONI EDHE:

Irani kufizon blerjen e bukës së subvencionuar, kritika edhe nga mediat pranë pushtetit

Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, tha se sulmet amerikane dhe izraelite ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit, që nisën në fund të shkurtit, i kanë përkeqësuar problemet me furnizimin me energji, pikërisht në prag të muajve të ftohtë.

“Sulmet ndaj infrastrukturës së gazit të vendit e kanë përkeqësuar situatën, prandaj duhet të presim vështirësi këtë dimër”, tha Pezeshkian, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, ISNA.

Pavarësisht se Irani zotëron disa nga rezervat më të mëdha të naftës dhe gazit në botë, ai prej kohësh përballet me vështirësi për t’i përmbushur kërkesën e brendshme për energji. Kjo gjendje rëndohet nga rrjeti i vjetruar elektrik, në të cilin nuk është investuar për vite me radhë, si dhe nga sanksionet perëndimore.

SHIKONI EDHE:

Çmimet e larta dhe kontrollet policore ua vështirësojnë jetën të rinjve në Teheran

Ndërkohë, autoritetet iraniane kanë nisur ta kufizojnë sasinë e bukës së subvencionuar që mund të blejnë familjet në të paktën tri provinca. Pasi ta shpenzojnë kuotën mujore, konsumatorët duhet ta paguajnë bukën me një çmim rreth pesë herë më të lartë.

Zyrtarët kanë dhënë versione kontradiktore për atë që po ndodh, ndërsa masa ka nxitur kritika nga ekonomistët, madje edhe nga mediat e linjës së ashpër.

Skema e Ministrisë së Brendshme, e quajtur “menaxhimi i blerjes së bukës”, është aktivizuar përmes lexuesve të kartelave në furrat e bukës në provincat Markazi, Khuzestan dhe Zanjan. Sipas raportimeve të mediave iraniane më 18 nëntor, masa hyri në fuqi pa ndonjë njoftim publik dhe as furrtarët, as konsumatorët nuk ishin informuar paraprakisht.

Marrëveshje “e përhershme” me “grupin e tretë”

Në frontin diplomatik, Trumpi i tha televizionit Fox News se dëshiron të arrijë një marrëveshje “të përhershme” me Teheranin, të cilën nuk do të mundë ta shfuqizonte asnjë president i ardhshëm amerikan.

SHIKONI EDHE:

Ministri i Jashtëm iranian: Ka argumente të arsyeshme për ndryshimin e doktrinës bërthamore

Trumpi tha se, pas eliminimit të dy grupeve të udhëheqësve iranianë nga sulmet ajrore amerikane dhe izraelite, tani po negocion me një “grup të tretë” udhëheqësish, të cilët, sipas tij, ka gjasa të jenë më të arsyeshëm se paraardhësit e tyre.

Në një intervistë për Fox News më 21 nëntor, Trumpi tha se ndryshimi i regjimit nuk ka qenë asnjëherë shqetësimi i tij kryesor, madje as pas vrasjes së udhëheqësit suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei, dhe shumë zyrtarëve të tjerë të lartë në ditët e para të sulmeve ajrore.

“Disa njerëz flasin për ndryshimin e regjimit, por duhet të shpjegojnë se çfarë nënkuptojnë me këtë, sepse unë tashmë kam eliminuar dy regjime. Eliminova grupin e parë, pastaj edhe të dytin. Tani po merremi me grupin e tretë”, tha ai.

Në një intervistë telefonike për televizionin izraelit News 12, Trumpi tha se “nuk po ngutet” të marrë ndonjë vendim për Iranin.

“Do të shohim se çfarë do të ndodhë pas fillimit të vitit të ri”, tha ai.

SHIKONI EDHE:

Trump sheh pak gjasa për sulme të reja ndaj Iranit nëse bisedimet japin rezultate

Një javë më parë, Trumpi kishte thënë se ishte “mjaft e pamundur” që të urdhëronte sulme të reja ndaj Iranit, përderisa negociatat po vazhdonin. Megjithatë, disa media, duke cituar burime, kanë raportuar se presidenti mund ta rishqyrtojë këtë mundësi.

Televizioni CBS, duke iu referuar burimeve, raportoi se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e ndërmarrjes së sulmeve të reja ndaj Iranit, pasi negociatat e ndërmjetësuara për muaj të tërë nga Katari dhe Omani nuk kanë sjellë përparim.

Lufta me Iranin u konsiderua nga shumë vëzhgues si një nga faktorët kryesorë që ndikuan në humbjen e thellë të Partisë Republikane në zgjedhjet e fundit afatmesme në SHBA.

Tani që këto zgjedhje kanë përfunduar, mbetet e paqartë nëse Trumpi do ta shfrytëzojë këtë moment për të urdhëruar sulme të reja apo do të përmbahet nga veprimet ushtarake, duke pasur parasysh se konflikti është jopopullor në mesin e publikut amerikan.