Shumicën e pasditeve, pas përfundimit të mësimit, një studente e vitit të parë të dizajnit grafik shëtit rrugëve të qendrës së Teheranit. Nganjëherë, ajo ndalet në ndonjë kafene në rrugën e frekuentuar “Iranshahr”, ku takohet me miqtë.
“Në takimet tona, ne kryesisht flasim për hallet tona. Lëre që ne nuk mund të blejmë veturë, por as patentë shoferi nuk kemi mundësi të marrim”, tha studentja për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë.
Studentja, sikurse shumë të tjerë që folën për Radion Farda, kërkoi që të mos i publikohej emri nga frika se autoritetet mund t’i hakmerren. Ajo tha se marrja e patentë shoferit do t'i kushtonte pothuajse sa e gjithë paga mujore prej 95 dollarësh.
Të shtatë miqtë e grupit, të moshës 18 deri në 22 vjeçe, kanë mësuar ta ngasin veturën, por asnjëri prej tyre nuk ka mundësi të paguajë për ta marrë patentë shoferin. Tash, edhe kjo mundësi e vetme për t'u takuar e për të kaluar kohën me njëri-tjetrin, po u rrezikohet.
Kultura e kafeneve
Kur u pyetën se si e kalojnë kohën e lirë, të rinjtë përmendën vetëm kafenetë, ku festojnë ditëlindjet, ndajnë ushqimin dhe bisedojnë duke pirë çaj e kafe. Vajzat e grupit dalin në rrugë dhe kafene pa e vendosur hixhabin e detyrueshëm, megjithëse në universitet duhet të mbajnë pallto dhe shami në kokë.
Muajt e fundit, policia dhe gjyqësori kanë shtuar kontrollet në rrugët “Sanaei” dhe “Iranshahr”, të njohura për numrin e madh të kafeneve. Në korrik, autoritetet mbyllën shtatë kafene në këto dy zona qendrore, ndër të tjera, për shkak se klientët mblidheshin në trotuare dhe në rrugë.
Në tetor, drejtuesi i policisë së Teheranit, e cila është përgjegjëse për mbikëqyrjen e ambienteve publike, e cilësoi praninë e të rinjve në këto zona si “bredhje pa ndonjë qëllim”.
Mbrëmjen e 30 tetorit, teksa të rinjtë ishin mbledhur në rrugën “Iranshahr” për të festuar Halloween-in, pjesëtarë të milicisë Basij dhe agjentë civilë u përballën me ta. Në fund, kafenetë u detyruan të mbylleshin.
Më 10 nëntor, agjencia e lajmeve Mizan, e cila është në pronësi të gjyqësorit, raportoi për arrestime në rrugën “Iranshahr”, pa bërë të ditur numrin e të arrestuarve. Ajo i akuzoi ata se “promovonin hapur heqjen e mbulesës dhe shthurjen morale”.
Prokuroria e Teheranit thotë se aksionet kundër asaj që e cilëson si “promovim të lakuriqësisë dhe shthurjes morale” do të vazhdojnë.
Ushtrimi i trysnisë
Shtypja e të rinjve po ndodh në një qytet ku ajri është i papërshtatshëm për frymëmarrje gjatë pjesës më të madhe të vitit, hapësirat e gjelbra po pakësohen vazhdimisht dhe banorët, pas dy rundeve të luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin më 2025 dhe 2026, jetojnë me frikën e rifillimit të luftimeve.
Në indeksin e vitit 2026 të Njësisë së Inteligjencës së revistës “The Economist” për qytetet më të përshtatshme për jetesë, Teherani u rendit i 164-ti nga 173 qytete, dy vende më poshtë se një vit më parë. Në kategorinë e kulturës dhe mjedisit, e cila merr parasysh kufizimet shoqërore dhe fetare, censurën dhe mundësitë për argëtim, qyteti mori vetëm 37 nga 100 pikë.
Sipas Kompanisë për Kontrollin e Cilësisë së Ajrit në Teheran, kryeqyteti pati vetëm gjashtë ditë me ajër të pastër gjatë vitit iranian që përfundoi në mars, ndërsa në 178 ditë cilësia e ajrit ishte e pashëndetshme.
Kjo vjeshtë ka qenë më e mirë: gjatë 45 ditëve të para të sezonit u regjistruan pesë ditë me ajër të pashëndetshëm, krahasuar me 28 ditë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Një studim i fundit zbuloi se ndërtimet dhe zëvendësimi i kopshteve me ndërtesa kishin shkatërruar rreth 27 për qind të vegjetacionit të analizuar në Teheran ndërmjet viteve 2006 dhe 2016.
Një 36-vjeçare, e cila punon si stiliste e thonjve, jeton në juglindje të qytetit dhe punon në veri të tij. Ajo thotë se çdo të dytën mbrëmje shkon për shëtitje në parkun “Pardisan”, në veriperëndim të Teheranit, pasi në afërsi të vendbanimit të saj nuk ka hapësira ku mund të shëtisë e qetë.
Ajo thotë se kalon deri në tri orë e gjysmë në ditë duke udhëtuar, përmes trafikut që e cilëson si “të pambarim”. Pas punës, shëtit për një ose dy orë, derisa të lirohen rrugët, e pastaj niset për në shtëpi.
Argëtimi kushton shtrenjtë
Çlodhja pas punës, e cila shpesh pasohet nga një udhëtim i gjatë për në shtëpi, kushton.
Sanksioneve shumëvjeçare ndërkombëtare, inflacioni i vazhdueshëm dhe zhvlerësimi i pandërprerë i rialit iranian, kanë goditur rëndë ekonominë e Iranit. Vështirësitë ekonomike ishin një nga shkaqet kryesore të protestave të janarit, të cilat autoritetet i shtypën me një operacion të përgjakshëm. Presioni ekonomik është shtuar edhe më shumë qëkurse Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit më 28 shkurt.
Paga minimale e përcaktuar nga Ministria e Punës për një punëtor të pakualifikuar është 82 dollarë në muaj, përfshirë shtesat, ndërsa punonjësit e administratës shtetërore fitojnë mesatarisht nga 86 deri në 90 dollarë.
Këtë vjeshtë, një grup muzikor nga Azerbajxhani mbajti një koncert në një qendër kulturore në jug të Teheranit. Çmimet e biletave shkonin nga 75 centë deri në 3,75 dollarë. Njëra nga pjesëmarrëset në koncert, një nëpunëse shtetërore që kishte ardhur me familjen e saj nga veriperëndimi i qytetit, pagoi nga tre dollarë për secilën biletë.
Ajo kishte dalë pa hixhabin e detyrueshëm dhe tha se në mesin e publikut kishte më shumë gra pa mbulesë sesa me të. Sipas saj, në vendin e punës ajo e mban mbulesën, por zakonisht jo në hapësirat e tjera publike.
Në malet në veri të kryeqytetit, qendra e skijimit, Tochal, ofron një mundësi për t'i shpëtuar mjegullës së ndotur.
Një 26-vjeçar, i cili këtë vit ka filluar të merret me skijim, shpenzoi rreth 300 dollarë për ski, çizme, veshje, syze dhe doreza. Çdo vizitë i kushton 6,75 dollarë, pa përfshirë ushqimin dhe pijet. Tochal është qendra më e lirë e skijimit, ndërsa të tjerat kërkojnë deri në 11 dollarë.
“Argëtimi kushton shtrenjtë”, tha ai.
“Nuk kemi kohë as të marrim frymë”
Në rrugën “Khavaran”, në jug të Teheranit, kamionët e rëndë e rëndojnë edhe më shumë ajrin. Një mekanik 38-vjeçar punoi për dhjetë vjet në një punishte të marrë me qira në atë zonë, derisa puna filloi t'i pakësohej pas luftës 12-ditore në qershor të vitit 2025.
Fillimisht, ai u dha fund marrëdhënieve të punës me praktikantët e tij. Disa muaj më vonë, kur nuk pati më mundësi ta paguante qiranë, hoqi dorë edhe nga lokali.
Tani punon në një kabinë të parafabrikuar me përmasa tre metra katror, të cilën e ka blerë vetë. Për tokën ku ndodhet kabina paguan 131 dollarë qira në muaj.
“Është sikur ‘Khavarani’ të jetë mbuluar me tokë të vdekur. Nuk ka klientë, nuk ka para”, tha ai. “Sa hap e mbyll sytë, vjen sërish koha e pagesës së qirasë. Nuk kemi kohë as të marrim frymë”.