Pasi u fejua vitin e kaluar, Ramini, një shitës iranian i produkteve farmaceutike, kishte planifikuar të martohej këtë vit. Por, teksa inflacioni i lartë ka përmbysur jetën e përditshme në Iran, synimi i çiftit tani është “vetëm të mbijetojë”.
Me një të ardhmen të pasigurt, mes luftës së zgjatur të vendit me Shtetet e Bashkuara dhe presionit në rritje ekonomik, të dy vendosën t’i lënë pezull planet për jetën martesore dhe të vazhdojnë të jetojnë veçmas me familjet e tyre, tha Ramini për Radion Farda, shërbim në gjuhën persiane i Radios Evropa e Lirë (REL).
Pavarësisht se fiton 35 milionë tomanë (rreth 150 dollarë) në muaj – pak mbi atë që disa studiues të tregut vlerësojnë se është pragu kombëtar i varfërisë për një familje në Iran – ai tha se tashmë s’ka më kënaqësi të thjeshta sikurse blerja e një dhurate për të fejuarën apo dalja me të në një kafene.
Ashtu si edhe personat e tjerë të intervistuar për këtë artikull, Ramin kërkoi të identifikohej me pseudonim për arsye sigurie.
Pas vitesh sanksionesh ndërkombëtare, iranianët janë mësuar të jetojnë pa shumë gjëra. Teksa lufta me SHBA-në – e cila nisi më 28 shkurt – po zgjatet, gjithnjë e më shumë njerëz i kanë thënë REL-it se situata ekonomike po bëhet “e padurueshme”.
Sipas Tejarat News, një ueb-faqe që mbulon çështjet ekonomike në Iran, indeksi i vështirësive ekonomike në vend, që përfshin shumën e normave të inflacionit dhe papunësisë (të publikuara nga Qendra iraniane e Statistikave), arriti në 96 për qind në qershor-korrik.
Me shifra që variojnë nga 83.5 për qind në kryeqytet deri në 120.6 për qind në provincën perëndimore Ilam, ky është niveli më i lartë që indeksi ka arritur deri më tani këtë vit.
Ndërkohë, pasi Uashingtoni njoftoi në gusht atë që zyrtarët amerikanë e kanë përshkruar si disa nga sanksionet më të ashpra deri më tani ndaj Teheranit, monedha iraniane ra në nivele të reja rekord, duke u tregtuar me më shumë se 200.000 tomanë për një dollar.
Video: Iranianët shesin gjësende për të mbijetuar
“Nuk mund të përballojmë çmimet e nesërme”
Karen, një 18-vjeçar iranian që po përgatitet të nisë universitetin, e përshkroi situatën ekonomike në vend si “katastrofike”.
Ajo që mund të kishte qenë një fillim emocionues i jetës së tij studentore është lënë në hije nga mungesa e perspektivës në Iran, teksa planet dhe aspiratat e tij janë kthyer në ëndrra të paarritshme, tha ai.
“Dikur mendoja se asgjë nuk mund të më ndalonte të arrija atë që doja. Tani as nuk mund të mendoj për ato gjëra. Ato janë kaq larg dhe të paarritshme”, tha Karen. “Sado që punon, nuk mund të përballosh çmimet e së nesërmes”.
“Pjesa më e keqe është se njerëzit janë mësuar me këtë”, shtoi ai.
Teksa rritja e çmimeve në Iran ka kaluar nga një ngjarje mujore në një dukuri ditore, madje edhe orë pas ore, disa iranianë janë detyruar të ndalojnë së bleri gjëra të domosdoshme dhe të ndryshojnë ndjeshëm mënyrën e të ushqyerit.
Solmaz, një punonjëse e një agjencie qeveritare që jeton në Teheran, tha se familja e saj e ka përgjysmuar konsumin e mishit, përfshirë mishin e shpendëve, duke shtuar se peshku tashmë është hequr nga menyja e familjes së saj dhe është i përballueshëm vetëm për familjet me të ardhura të larta.
Kohët e fundit, shitësit e mëdhenj iranianë online, Snapp dhe Digikala, kanë zgjeruar planet e tyre të pagesës me këste për të përfshirë edhe produktet ushqimore, duke u mundësuar blerësve që të blejnë me këste edhe produkte bazë, sikurse mishi dhe vaji i gatimit.
Përveç shkurtimit të shpenzimeve për ushqim, Solmaz tha se ka ndaluar plotësisht takimin me miqtë në kafene dhe më nuk shkon në palestër. Çdo udhëtim nga qendra e Teheranit në pjesën perëndimore të qytetit i kushton rreth 300.000 tomanë, tregoi ajo.
“Të gjithë jemi bërë njësoj”
Ndërsa Irani është tronditur këtë vit nga shtypja brutale e protestave mbarëkombëtare kundër Qeverisë në janar, që u nxitën nga përkeqësimi i situatës ekonomike, dhe nga lufta e mëvonshme me Shtetet e Bashkuara, zemërimi për rritjen e çmimeve tani duket se i tejkalon ndarjet e brendshme politike.
Faranoosh, 18 vjeçe, vajza e një familjeje fetare që mbështet qeverinë islamike, tha se “të gjithë qytetarët” preken nga kushtet ekonomike në vend dhe janë goditur “rëndë” nga to.
Ajo shtoi se edhe pse mbështetësit e regjimit “nuk e fajësojnë” qeverinë, ata “janë lodhur me çmimet e larta”.
Ata “besojnë se një [numër i kufizuar] njerëzish brenda establishmentit janë përgjegjës për vjedhjet, përvetësimet dhe joefikasitetin e qeverisë dhe po përpiqen të krijojnë pakënaqësi”, shpjegoi Faranoosh, ndërsa “ata që e kundërshtojnë qeverinë thonë se i gjithë sistemi dhe struktura janë me të meta dhe të korruptuara nga koka te këmbët”.
Pavarësisht nëse e mbështesin regjimin apo jo, ajo tha se gjysma e njerëzve që shkojnë në kafene nuk porosisin ushqim – nuk kanë para: “Dikur ishte e vështirë dhe e turpshme ta thoshe këtë. Por, tani të gjithë jemi bërë njësoj”.