Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti, ka thënë të dielën se ministrat dhe funksionarët e partisë që udhëheq ai, kanë dhënë dorëheqje nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se vendimi për dorëheqje është marrë “duke u nisur nga kushtëzimi i opozitës [VMRO DPPMNE-së] se do t’i votonte ndryshimet kushtetuese nëse Bashkimi Demokratik për Integrim del nga Qeveria”.
Por, kreu i BDI-së, ka thënë se dorëheqjet e zyrtarëve të partisë së tij do të hyjnë në fuqi pasi të votohen ndryshimet kushtetuese.
“Duke qenë se Bashkimi Demokratik për Integrim dhe unë, mbetemi të përkushtuar në përcaktimin se integrimi euroatlantik, me të drejta të plota të shtetit, përpos se në NATO, edhe në Bashkimin Evropian, si dhe aleanca e pashkëputur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë, janë dhe mbeten interesi më madhor i të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare e fetare, ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japin dorëheqje nga postet që aktualisht janë duke i ushtruar! Dorëheqjet, materializohen me automatizëm në momentin kur opozita t’i votojë ndryshimet kushtetuese”, ka thënë Ahmeti në njoftimin publik drejtuar kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski.
SHIKONI EDHE: A do t’ia ndryshojnë ndërkombëtarët mendjen opozitës për ndryshimet kushtetuese?VMRO DPMNE: Dorëheqjet të jenë të parevokueshme
Përmes një komunikate për media, VMRO DPMNE-ja e ka përshëndetur njoftimin e bërë nga kryetari i BDI-së, por ka thënë se kërkon që dorëheqjet të jenë të parevokueshme dhe menjëherë të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Mirë është që BDI-ja pas 20 viteve të të qëndruarit në pushtet po shprehet e gatshme të kalojë në opozitë prej nga do të përgjigjet për kriminalitetin. Dorëheqjet duhet të jenë të parevokueshme dhe menjëherë të mbahen zgjedhjet. Gjithçka tjetër është humbje kohe dhe lojë në kurriz të qytetarëve dhe shtetit”.
LSDM: U plotësuan të gjitha kërkesat e Mickoskit
Nga Lidhja Social-Demokratike e kryeministrit Dimitar Kovaçevski, kanë thënë se pas vendimit të BDI-së, opozita duhet t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese.
“Duke vënë interesin e shtetit para interesit partiak, BDI-ja tregoi përgjegjësi ndaj qëllimit kryesor strategjik, të ardhmes evropiane të vendit dhe të të gjithë qytetarëve. Hristijan Mickoski duhet të tregojë nëse ka kapacitetin e një burri shteti dhe nëse i intereson e ardhmja evropiane e vendit të mbështesë amendamentet kushtetuese. Votimi i tyre është votë për Evropën, për një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme”.
Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka thënë pas një takimi me Kovaçevskin, më 7 qershor, se “VRMO-ja është e gatshme të mbështesë ndryshimet kushtetuese, nëse do të formohej një qeveri e re, pa BDI-në, si dhe nëse ndryshimet kushtetuese hyjnë në fuqi vetëm pasi të kenë përfunduar bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian”.
Por, një kërkesë e tillë e VMRO-së është refuzuar edhe nga Bashkimi Evropian, pasi ndryshimet kushtetuese duhet të hyjnë në fuqi para se të nisin bisedimet me BE-në për kapitujt e anëtarësimit.
Ndryshimet në kushtetutë duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues dhe bazohen në atë që njihet si “propozim francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.
Në rast se kjo nuk ndodh, atëherë Sofja mban të drejtën e përdorimit të vetos, apo bllokimit të bisedimeve, ashtu siç bëri edhe në vitin 2020.
Opozita maqedonase është kundër ndryshimeve, pasi sipas saj, “pala bullgare nuk do të ndalet me kushtëzimet e saj edhe sikur të miratohen këto ndryshime”.
Debati parlamentar për ndryshimin e kushtetutës ka nisur më 25 korrik, ndërsa seanca plenare është caktuar të mbahet më 18 gusht.