Jordania thotë se rrëzoi disa raketa iraniane që synonin një bazë amerikane

Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) i bëri thirrje Jordanisë që t’i mbyllë bazat amerikane në vend.

Qeveria e Jordanisë tha se ka rrëzuar katër raketa balistike iraniane që synonin një bazë ushtarake amerikane në territorin e saj.

Sulmi ndodhi pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) i bëri thirrje Jordanisë që t’i mbyllë bazat amerikane në vend.

Mediat shtetërore jordaneze, duke cituar një deklaratë të Qeverisë, thanë se raketat u rrëzuan më 14 korrik, pasi hynë në hapësirën ajrore të vendit.

IRGC-ja e konfirmoi sulmin përmes një deklarate të publikuar nga agjencia iraniane e lajmeve Fars, por shtoi se ai nuk kishte për qëllim t’i dëmtonte qytetarët jordanezë.

“Ju e dini shumë mirë se jo vetëm që nuk kemi armiqësi me vendin tuaj, por edhe ju duam - ju, popullin fisnik, që e kuptoni dhimbjen dhe shtypjen e popullit palestinez më mirë se çdo komb tjetër”, thuhet në deklaratën e IRGC-së.

Autoritetet jordaneze thanë se nuk ka raportime për viktima nga rrëzimi i raketave.

Situata në rajon u përkeqësua në fundjavë, kur SHBA-ja dhe Irani rinisën një valë të re sulmesh.

Ushtria amerikane tha se goditi objektiva iraniane me synimin për të garantuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Irani u kundërpërgjigj me sulme ndaj disa vendeve të Gjirit dhe anijeve në këtë rrugë ujore strategjike.

SHIKONI EDHE:

SHBA-ja godet sërish Iranin pas rikthimit të bllokadës në Ngushticën e Hormuzit

Komanda Qendrore e Ushtrisë amerikane (CENTCOM) njoftoi se nga sot do të rikthejë bllokadën detare ndaj porteve iraniane.

Sipas saj, forcat amerikane do të ndalojnë dhe kontrollojnë të gjitha anijet që hyjnë ose dalin nga portet e Iranit, ndërsa do të vazhdojnë të garantojnë lundrimin e sigurt për anijet e tjera në rajon.

Ky vendim vjen një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se SHBA-ja do të bëhet “engjëlli mbrojtës” i Ngushticës së Hormuzit - rrugë ujore strategjike ku Irani ka sulmuar ditëve të fundit disa anije tregtare.

Agjencia britanike për sigurinë detare, UKMTO, njoftoi se një tjetër cisternë u godit nga një raketë më 14 korrik, ndërsa po kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit pranë brigjeve të Omanit.