Kiev: Vritet një kameraman i kanalit Fox dhe producentja e tij

Kameramani i kanalit Fox News, Pierre Zakrzewski.

Kameramani i kanalit Fox News, Pierre Zakrzewski, është vrarë jashtë Kievit, ashtu sikurse producentja e tij ukrainase, Oleksandra Kuvshynova, ka thënë rrjeti televiziv amerikan.

Zakrzewski është vrarë dhe kolegu i tij, Benjamin Hall është plagosur, pasi makina e tyre është sulmuar të hënën në hyrje të Horenkas, rreth 20 kilometra në veri-perëndim të kryeqytetit, ka thënë shefja e Fox-it, Suzanne Scott.

“Pierre ka qenë fotograf i zonës së luftës, i cili ka mbuluar gati secilin material ndërkombëtar për Fox News, nga Iraku në Afganistanin e Siri, gjatë kohës së tij me ne”, ka thënë ajo.

Hall, korrespodent britanik 39-vjeçar, është duke u trajtuar ende në spital pas incidentit.

Ky lajm vjen pas vdekjes së regjisorit dhe gazetarit amerikan, Brent Renaud të dielën.

SHIKONI EDHE: Vritet një gazetar amerikan në Ukrainë

Gati tre milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina, prej kur presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës tre javë më parë.

Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.