Katër persona janë ndaluar për 48 orë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, njoftoi Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës dhe dorasi i dyshuar është ish-kunati i saj, i cili gjendet në paraburgim.
Sipas njoftimit, N.S. dhe D.S janë ndaluar nën dyshimet për veprën penale të “ndihmës në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”, ndërkaq M.P. dhe G.B. dyshohen për “dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.
Ndonëse autoritetet i identifikuan vetëm me iniciale të ndaluarit, mediat lokale në Kosovë kanë raportuar se në mesin e të ndaluarve janë ish-vjehrra dhe ish-kunati i Arlinda Zekajt, të cilët dyshohen për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë për të kuptuar nëse në mesin e të arrestuarve janë edhe ish-vjehrra dhe ish-kunati i Zekajt, por ende nuk ka marrë përgjigje.
“Gjatë zhvillimit të veprimeve hetimore, janë siguruar prova materiale të cilat mbështesin dyshimin e bazuar se personat e lartcekur kanë qenë të përfshirë në kryerjen e veprave penale për të cilat dyshohen”, thanë autoritetet, duke shtuar se për katër të ndaluarit do të kërkohet caktim i masës së paraburgimit.
SHIKONI EDHE:
Si dështuan institucionet ta mbronin Arlinda Zekajn?Një varg pezullimesh për rastin e vrasjes së Arlinda ZekajtVrasja e Arlinda Zekajt nxiti reagime të shumta institucionale dhe zemërim të opinionit publik për faktin se ajo para se të vritej kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.
Kuvendi i Kosovës e ka themeluar një komision parlamentar për të hetuar nëse kishte mungesë veprimesh nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në lidhje me vrasjen e Zekajt, teksa autoritetet i kanë pezulluar 13 zyrtarë që ishin marrë me rastin e saj për dhunë në familje.
Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, pesë ditë pas rastit dha dorëheqje për arsye morale.
Thirrjet e Arlinda Zekajt drejtuar institucioneve
Zekaj kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet. Më 22 tetor, ajo i kishte shkruar një letër kryeprokurores, tashmë të pezulluar, të Pejës, Lumturije Vuçetaj, duke u ankuar për mënyrën se si ishte trajtuar rasti i saj dhe për moszbatimin e vendimit gjyqësor.
Thirrjet drejt institucioneve ajo i kishte nisur qysh në dhjetorin e vitit të kaluar, kur kishte raportuar se bashkëshorti i saj, prej të cilit ishte ndarë, e kishte kërcënuar me jetë.
Më vonë, autoritetet kishin lëshuar një urdhër mbrojtjeje dhe kishin vendosur që përkohësisht kujdestaria e fëmijës së mitur të çiftit t’i kalonte Zekajt.
Autoritetet po ashtu kishin urdhëruar që bashkëshorti të mos i afrohej, teksa kishin vendosur se ajo mund të qëndronte në shtëpinë e përbashkët të çiftit.
Pas vrasjes së saj, Prokuroria Themelore në Pejë tha se, prokurori kujdestar vlerësoi se kthimi i menjëhershëm në shtëpi mund t'ia rrezikonte jetën. Ai e udhëzoi të qëndronte te vëllezërit dhe planifikon që kthimi i saj në shtëpi të bëhej me shoqërim policor.
SHIKONI EDHE:
Tetë gra të vrara këtë vit: Pse po dështon shteti në parandalim?Në ditën kur u vra, Zekaj kishte bërë denoncim për dhunë në familje. Bashkëshorti i saj u ndalua nga policia, teksa ajo kishte këmbëngulur që në përputhje me vendimin gjyqësor të kthehej në shtëpinë e përbashkët.
E pyetur nëse ndihet e sigurt në shtëpi, duke qenë se aty ndodheshin familjarët e bashkëshortit, ajo e kishte pranuar se siguria e saj mbetej e cenuar, por kishte këmbëngulur në të drejtat e saj.
Pak minuta pasi Policia e shoqëroi në shtëpi, Arlinda Zekaj dyshohet se u vra me sëpatë nga ish-kunati i saj.
Ish-kunati i saj më pas u arratis, por u arrestua në Deçan në orët e vona të 27 tetorit dhe më pas gjykata i shqiptoi masën e paraburgimit prej një muaji.
Arlinda Zekaj është gruaja e tetë që është vrarë gjatë këtij viti.