Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje nga posti më 30 tetor, pesë ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt - rast që nxiti protesta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar dorëheqjen e Hoxhës dhe e ka liruar atë nga detyra, bëri të ditur Zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi.
Në vend të tij, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të Policisë u caktua Fehmi Hoti, me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon kontributin dhe angazhimin e z. Hoxha përgjatë mandatit të tij”, thuhet në njoftim.
Qeveria nuk dha arsye për dorëheqjen e Hoxhës, ndërsa ai nuk iu përgjigj thirrjeve të Radios Evropa e Lirë për të marrë një koment deri në publikimin e këtij lajmi.
Largimi i Hoxhës vjen në kohën kur institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë po përballen me kritika për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj.
Një ditë para dorëheqjes së Hoxhës, Policia e Kosovës pezulloi nga detyra 11 zyrtarë policorë në lidhje me trajtimin e këtij rasti.
Në mesin e të pezulluarve janë: ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i hetimeve rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i stacionit policor, drejtues të tjerë policorë dhe katër hetues.
Masa u ndërmorën edhe në sistemin prokurorial.
Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurorja që kishte trajtuar rastin, Arlinda Nallbani Gacaferri, u pezulluan nga detyra.
Vrasja e Zekajt nxiti protesta në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës, ku qytetarët kërkuan drejtësi për viktimën dhe përgjegjësi nga institucionet që e kanë trajtuar rastin.
Çfarë lëshimesh u zbuluan në trajtimin e rastit Zekaj?
Sipas gjetjeve preliminare të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Policia nuk e kishte dokumentuar zbatimin e një urdhri për mbrojtjen e Arlinda Zekajt nga bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, të lëshuar më 7 shtator nga Gjykata Themelore në Pejë, pas raportimeve për dhunë në familje.
Një vendim tjetër i Gjykatës, i 16 tetorit, që ndër të tjera i mundësonte Zekajt kthimin në shtëpinë e përbashkët dhe kujdestarinë e përkohshme të djalit, ishte ekzekutuar nga Policia me gjashtë ditë vonesë, sipas IPK-së.
IPK-ja konstatoi gjithashtu se zinxhiri komandues i Policisë nuk kishte trajtuar një kërkesë të hetuesit policor për rivlerësimin e rastit dhe shtimin e masave mbrojtëse, përfshirë vizitat e patrullave policore në shtëpinë e Zekajt.
Më 29 tetor, Kuvendi i Kosovës themeloi një komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në këtë rast.
Po atë ditë, Zyra e Kryeministrit njoftoi se kishte pranuar raportet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Ministrisë së Drejtësisë, të cilat do të shqyrtoheshin për të identifikuar lëshimet dhe përgjegjësitë institucionale.
Kush është Gazmend Hoxha?
Gazmend Hoxha ishte emëruar drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës më 8 mars 2023, pas propozimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai e mori zyrtarisht detyrën më 13 mars të atij viti, duke pasuar Fehmi Hotin, i cili kishte udhëhequr Policinë si ushtrues detyre.
Hoxha iu bashkua Policisë së Kosovës në vitin 2000 dhe gjatë karrierës mbajti disa pozita drejtuese, përfshirë atë të kreut të Departamentit kundër Krimit të Organizuar, drejtorit të Divizionit të Sigurisë Publike dhe drejtorit të Departamentit të Operacioneve.
Sipas biografisë së tij zyrtare, Hoxha ishte përfshirë në drejtimin dhe planifikimin e disa operacioneve policore, përfshirë ato për zbatimin e vendimeve për targat e automjeteve, mbylljen e rrugëve ilegale dhe luftimin e aktiviteteve të paligjshme në Kosovë.
Hoxha largohet nga drejtimi i Policisë pas më shumë se tre vjetësh e gjysmë në këtë pozitë.