Kodi i ri Penal, avancim në luftën kundër krimit dhe korrupsionit 

Ilustrim.

Pas një pune të gjatë në plotësimin e tij, Kodi i ri Penal i Kosovës pritet të nisë së zbatuari brenda dy muajve të ardhshëm, ka konfirmuar ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri. Sipas tij, me ndryshimet që janë bërë në legjislacion, askush nuk do të mund të shmangë drejtësinë për veprimet e paligjshme që kryen.

Ministri Tahiri, tha se me Kodin e ri Penal, do të ketë dënime të ashpra për keqpërdoruesit e parasë publike.

Ai tha po ashtu se me fillimin e zbatimit të këtij kodi, do të ketë një qasje të re në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

"E them me përgjegjësi se nga ndryshimet e bëra, askush nuk mundi t'i ikë ballafaqimit me drejtësinë. Askush nuk mund të llogarisë se pasuria e fituar me vepër penale mund të shfrytëzohet nga ana e tij. Pra, është një avancim jashtëzakonisht i madh", tha Tahiri.

Ai tha se Kodi i ri Penal dhe Kodi i Procedurës Paraprake, janë hartuar në përputhje më legjislacionin e Bashkimit Evropian, dhe se siç tha ai, fillimin i punë së gjyqtarëve me kodin e ndryshuar, do të nisë pasi gjyqtarët do të njoftohen me të.

"Prej momentit kur është publikuar në Gazetën Zyrtare, nevojitet që t'i njoftojmë institucionet që zbatojnë ligjin për ndryshimet e bëra në Kodin e ri Penal dhe absolutisht jemi në kohën e duhur. Normalishtm do të ishte më mirë sikur në Kuvendin e Kosovës do të kishim mundur ta miratonim më herët", tha Tahiri.

Lexoni edhe këtë: Me ndryshimet në Kodin Penal ashpërsohen dënimet

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi tha për Radion Evropa e Lirë, se në këtë drejtim, është e rëndësishme që po bëhen ndryshimet e duhura në ligjet të cilat janë të domosdoshme për sistemin e drejtësisë.

"Me rëndësi është që është parë e nevojshme që të ndryshohet Kodi Penal sepse ka pasur disa vërejtje e mangësi. Shpresoj që tashmë në këtë kod do të eliminohen ato mangësi apo zbrazëtira që kanë ekzistuar", tha idrizi.

Sipas zyrtarëve në sistemin e drejtësisë, ndryshimet në Kodin Penal u japin një përgjigje të fuqishme kërkesave për parandalimin e veprave korruptive.

Amendamentimi i këtij kodi ka qenë edhe një nga rekomandimet e BE-së për procesin e liberalizmit të vizave.

Por, drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftraj, thotë se Kosova asnjëherë nuk ka vuajtura nga mungesa e ligjeve.

Sipas tij, për të ndryshuar gjendje në vend, e sidomos në sistemin e drejtësisë, duhet të ketë zbatim të ligjeve në praktikë.

"Është e vërtet se Kodi Penal, i cili do të hyjë në fuqi së shpejti, ka disa risi që ndërlidhen kryesisht me politiken ndëshkimore për vepra penale apo vepra të tjera penale karakteristike. Sidoqoftë, me vetë faktin se të gjeturat e IKD-së në rastet e korrupsionit kanë përcaktuar se në tre vitet e fundit nuk kemi asnjë zyrtar të lartë të dënuar për vepra penale korruptive, atëherë ngritja apo ashpërsimi i politikave ndëshkimore në praktikë nuk mund të ndryshojë asgjë", tha Miftaraj.

Lexoni edhe këtë: Ligjet joefikase përballë kriminalitetit të profilit të lartë

Miftaraj tha se si rezultat i mungese të vullnetit dhe mosguximit nga sistemi i drejtësisë, ka bërë që për tre vjet të mos ketë asnjë konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.

"Kodi i ri Penal dhe legjislacioni i aplikueshëm penal do të kenë vlerë vetëm atëherë kur policia, prokuroria dhe gjykatat do të kenë guximin dhe do t'i ndjekin penalisht të gjithë personat në mënyrë të drejtë, të barabartë dhe nuk do të nisen nga fakti se kush është personi i cili dyshohet për vepra penale korruptive apo për krim të organizuar", tha Miftaraj.

Njohësit e sistemit të drejtësisë thonë se çfarëdo ndryshime dhe plotësime të legjislacionit, me të njëjtit akterë të sistemit të drejtësisë, gjyqtarë e prokurorë të cilët nuk kanë guxim të hetojnë, Kodi i ri Penal do të jetë i zbatueshëm për pjesën e popullatës së varfër dhe për ata të cilët nuk kanë lidhje me politikën.

Sido që të jetë, gjashtë nga 22 ministrat e Qeverisë së Kosovës, janë me aktakuza nga organet e drejtësisë, nën dyshime të ndryshme si, keqpërdorim i detyrës, posedim i armëve dhe punësime të paligjshme.