Ndërlidhjet

Me ndryshimet në Kodin Penal ashpërsohen dënimet


Ilustrim
Ilustrim

Një numër i madh neneve i janë shtuar Kodit Penal të Kosovës. Ministria e Drejtësisë ka thënë se ndryshimet janë bërë për të mundësuar ndjekjen efektive të aktiviteteve kriminale që ndodhin në kontekstin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Megjithatë, kryetarja e Komisionit parlamentar për Legjislacion, Albulena Haxhiu thotë se këto ndryshime nuk mund të prodhojnë rezultat real në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Ndryshimet e fundit, për bindjen tonë janë më shumë sporadike dhe ndryshime sa për t’u hedhur hi syve të qytetarëve se pas këtyre ndryshimeve do të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni institucional”, tha Haxhiu.

Me ndryshimet që janë bërë në Kodin Penal, ata zyrtarë që dënohen për vepra penale të korrupsionit do ta kenë të ndaluar ushtrimin e funksionit në administratën publike apo në shërbimin publik deri në 10 vjet.

Të gjithë ata zyrtarë që përfshihen në veprën penale të dhunës në familje do ta kenë po ashtu të pamundur që të ushtrojnë funksione në administratë publike apo në shërbime publike nga 1 deri në 5 vjet.

“Ne kemi propozuar shumë amendamente. Disa prej tyre janë jashtëzakonisht të vlefshme, sikurse është njëri prej tyre mashtrimi në prokurimin publik, do të thotë që është tashmë një vepër e specifikuar në Kodin Penal. Janë edhe disa ndryshime të tjera që kanë të bëjnë me ndalimin apo penalizmin e personave të cilët hakmerren ndaj sinjalizuesve”, tha deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Në grup punues, përveç institucioneve, kanë qenë të përfshira edhe organizatat e shoqërisë civile në Kosovë.

Genc Nimoni nga Organizata “Çohu” thotë se disa nga ndryshimet që janë bërë në Kodin Penal kanë qenë të nevojshme, sidomos ato për keqpërdorimet në prokurim publik.

“Konsideroj se përfshirja e kësaj vepre penale me katër paragrafë, përveçse sanksionon veprimet e kundërligjshme të atyre që keqpërdorin gjatë ushtrimit të autorizimeve publike, në prokurim publik dhe pjesëmarrëseve të tjerë, do të thotë nga këto, operatorët ekonomikë, gjithashtu është e rëndësishme se do ta ketë efektin parandalues të keqpërdorimit të mëtutjeshëm në këtë fushë”, thotë Nimoni.

Një prej ndryshimeve që është bërë në Kod Penal është edhe rritja e afatit të parashkrimit të veprave penale.

Genc Nimoni nga organizata “Çohu” thotë se janë rreth 20 mijë lëndë penale të parashkruara, porse ka edhe një numër të madh të lëndëve që rrezikojnë parashkrimin.

Zgjatja e afatit të parashkrimit, sipas tij, mund të prodhojë efekt pozitiv në trajtimin e këtyre rasteve.

“Tash me ndryshimet e reja kemi zgjatje të afatit të parashkrimit e cila gjë e pamundëson parashkrimin e veprave penale, pas ikjes së këtij afati i cili ka qenë më i shkurtër. Tash do të këtë mundësi që gjyqtarët të veprojnë në kohë më komode, por natyrisht duke shpresuar që gjyqtarët të bijën në komoditet të kohës dhe t’i lënë në sirtarë rastet”, thotë Nimoni.

Dhuna në familje është futur si vepër e veçantë dhe sipas Kodit të ri Penal. Kushdo që e kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik, psikologjik ose ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënie familjare, do të dënohet.

Për ata të cilët e kryejnë këtë vepër është paraparë dënim me gjobë dhe me burgim deri në 3 vjet.

Dënimi është ashpërsuar edhe për personat që kryen ngacmime seksuale, pasi dënimi mund të jetë nga gjashtë muaj deri në 3 vjet.

Ndryshime kanë pësuar edhe veprat penale që lidhen me terrorizimin.

Mbi 20 nene që kanë të bëjnë me terrorizmin, janë shtuar dhe ato ndërlidhen me fushën e financimit të terrorizmit në atë mënyrë që të spastrojnë rrugën për ndjekje penale të atyre që janë të përfshirë në këtë aktivitet.

Për terrorizëm dënimi është 15 vjet ose me burgim të përjetshëm.

Ndryshimet e Kodit Penal kanë ashpërsuar edhe dënimet për personat që drejtojnë mjetet nën ndikim të alkoolit. Dënimi për këtë vepër është deri në 3 vjet burgim.

Kodi i ri Penal i pritet që të hyjë në fuqi më 1 janar 2019.

XS
SM
MD
LG