Ndërlidhjet

Integrimi i vështirë në shoqëri i ‘luftëtarëve të huaj’


Ilustrim

Autoritetet në Kosovë ende nuk kanë hartuar një program që ndërlidhet me ri-integrimin dhe ri-socializmin e personave të cilët kanë vuajtur dënimin për pjesëmarrje në luftërat e huaja, kryesisht në Siri dhe Irak apo vepra që ndërlidhen me terrorizmin.

Ndërkohë, në Kosovë po lirohen të dënuarit e parë, të cilët tashmë kanë vuajtur dënimin me burg.

Ri-socializmi dhe ri-integrimi institucional i pjesëtarëve që kanë marrë pjesë në luftërat në Siri e Irak pas lirimit nga vuajtja e dënimit me burg nga njohës të fushës shihet si një nevojë imediate.

Profesori i sociologjisë së religjionit Ismail Hasani, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet duhet të tregohen të vëmendshëm karshi ri-integrimit dhe ri-socializmit të këtyre personave.

Programet rehabilituese për këta pjesëtarë të përfshirë në luftën në Siri e Irak, thotë Hasani janë urgjente.

“Personat që kanë qenë të gjykuar për vepra terroriste pas vuajtjes së dënimit i nënshtrohen edhe një traume psiko-sociale në momentin kur ata dalin nga burgu dhe përballen me një realitet i cili mund të jetë i dyfishtë për ta. Të ashtuquajturit njerëzit përkrahës të tyre mund t’i shikojnë ata se kanë kryer misionin dhe kanë dalë që mund të ushtrojë efekt negativ në psiken e tyre sa i takon mos largimit të tyre prej bindjeve prej pikëpamjeve se ata vërtet kanë bërë një vepër të mirë”.

“Në anën tjetër është stigma sociale e njerëzve që i shkojnë me përbuzje, i shikojnë me rezerva për veprat të cilët ata kanë qenë të gjykuar. Kryesisht me këta njerëz duhet të punojnë psikologët klinik, sociologët dhe në bashkëpunim me institucionet shtetërore dikasteret përkatës dhe në bashkëpunim me qendrat e korrektimit në Kosovë”, thotë Hasani.

Rreth 150 prej atyre që shkuan për të luftuar në Siri dhe Irak dhe u kthyen me pas në Kosovë janë në ndërkohë duke u përballur me procese gjyqësore që në disa raste çuan në dënime me burg. Disa prej tyre tashmë janë duke vuajtur dënimet e disa janë liruar.

Liridon Kabashi i cili ka vuajtur dënimin me burg për pjesëmarrje në luftën në Siri ditë më parë ka rrëfyer për Radion Evropa e Lirë problemet me të cilat po përballet në botën jashtë grilave. Ai theksoi se ri-integrimi në shoqëri është një sfidë e madhe për të.

Video: Ri-integrimi pas vuajtjes së dënimit

Riintegrimi pas vuajtjes së dënimit
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:03:33 0:00

“Jam liruar afër tre javë, por deri më tani askush nuk më ka thirr askush as nga Bashkësia Islame as nga shteti. Kam pritur që të më thërrasin të flas më ta. Të gjithë e dinë që jam këtu e din që jam liruar dhe jam në Polac, por nuk e di arsyen pse nuk po më thërrasin. Pak shpirtërisht më kishin qetësuar, njeriu tani ndihet fajtor, tash shteti është kundër teje, por edhe Bashkësia Islame është kundër, po ashtu ka njerëz të cilët të kundërshtojnë është një rrugë me shumë probleme”, tregon Kabashi.

Sidoqoftë, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka tha për Radion Evropa e Lirë se do t’i kushtojnë rëndësi që ata njerëz t’i kthehen jetës normale, zhvillimit e punësimit dhe se janë në përpilim të një drafti i cili do të merret me rehabilitimin këtyre personave.

“Ministria e Punëve të Brendshme respektivisht Divizioni për siguri që është në kuadër të ministrisë është duke punuar për një draft i cili në një formë do të merret me rehabilitimin e këtyre personave. Njëkohësisht në kuadër të Ministrisë jemi duke punuar që të jetë një sektor i veçantë në kuadër të Departamentit për siguri dhe ky sektor do të ketë rol kryesor të trajtimit të këtyre rasteve, por ende specifikacione të sakta nuk kemi sepse është duke u punuar në këtë drejtim”, thotë Zeka.

Në anën tjetër, Skënder Perteshi, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë thotë se lehtësimi i ri-integrimit të këtyre personave do të duhej të bëhet përmes autoriteteve lokale në bashkëpunim me ato qendrore dhe qendrave tjera sociale.

Por, sipas tij, deri më tani, përveç policisë që i mbikëqyr personat e liruar nëse ata ende mund të jenë të rrezikshëm për shoqërinë, nuk ka një sistem shtetëror të organizuar dhe të qëndrueshëm që mund të merren më çështjet që ndërlidhen me ri-integrimin e tyre në komunitetet.

“Nuk po dëshirojmë të tregojmë këtu se personat që kanë dalë nga burgu dhe gjenden në komunitet janë rrezik apo nuk janë rrezik. Vetë prezenca e tyre në konflikte të huaja shpërfaq rrezik të përgjithshëm përgjithësi në komunitet, por unë po besoj fuqishëm që institucionet si policia dhe institucionet tjera kanë bërë një vlerësim të rrezikut për individët që kanë qenë pjesë të luftërave të huaj dhe tani janë të lirë dhe këta kanë një mbikëqyrje. Por, duhet të ekzistojë patjetër një program për ri-integrim që zbatohet në komunitet, në terren dhe që e bënë më të lehtë ri-integrimin e tyre”, thotë ai.

Në kuadër të masave për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm fetar që shpie në terrorizëm, Kosova hartoi në vitin 2015 një ligj që sanksionin pjesëmarrjen në luftërat e huaja me dënime deri në 15 vite burgim.

Qeveria e Kosovës po ashtu pati miratuar Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm.

Por sipas Perteshit, autoritetet do të duhej se përveç programeve të de-radikalizmit dhe ri-integrimit që janë në burgje, programet e tilla për këta persona duhet të bëhen edhe në komunitet.

“Një program i përgjithshëm i ri-integrimit duhet të përfshijë prej hapave të parë që nga momenti i arrestimit, futja në burg pastaj duke i kuptuar edhe arsyet pse është radikalizuar, përcjellja e personit të caktuar se a ka hequr dorë nga idetë e dhunshme e deri në lirimin e tij dhe integrimin e plotë në komunitet. Përveç programit aktual që është duke u zbatuar në burgje nuk ka asnjë gjë konkrete që është duke u ofruar në terren as me familjet e pjesëtarëve, por as për të burgosurit e parë që kanë dal nga burgu”, thotë Perteshi.

Së fundi autoritetet e Kosovës kanë vendosur që të angazhojnë edhe imamë në deradikalizmin e të dënuarave për veprën penale të terrorizmit nëpër burgje. Por, një veprim i tillë nuk konsiderohet i qëlluar nga sociologu i religjioneve Ismail Hasani.

“Dërgimi i imamëve që janë përzgjedhur të mbajnë leksione për ndërrimin e bindjeve të këtyre njerëzve cilët akoma vuajnë dënimet për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm është vendim i gabuar i Ministrisë së Drejtësisë dhe Bashkësisë Fetare, pasi që sado që janë profesionalë këta njerëz, atyre të burgosurave është e nevojshme terapia psiko-sociale”, thotë Hasani.

Sidoqoftë, zbatimi i programeve për de-radikalizim dhe ri-integrim konsiderohet të jetë jetik nëse Kosova do që qytetarët e saj të dënuar për pjesëmarrje në luftëra të huaja të mos kthehen më atje.

Ndryshe, që nga rasti i parë i shkuarjes së qytetarëve të Kosovës në luftën në Siri dhe Irak, në vitin 2012, e deri më tani, janë regjistruar mbi 300 luftëtarë nga Kosova që kanë shkuar në atë zonë për të luftuar për Shteti Islamik. Mbi 70 persona janë vrarë, por shumë gra dhe fëmijë vazhdojnë të mbesin në atë zonë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG