Ndërlidhjet

BE-ja inkurajon Kosovën të luftojë më ashpër krimin ekonomik


Flamuri i BE-së dhe Kosovës. Fotografi ilustruese
Flamuri i BE-së dhe Kosovës. Fotografi ilustruese

Bashkimi Evropian po inkurajon institucionet e Kosovës që të bëjnë edhe më shumë në kuadër të luftimit të korrupsionit, krimit të organizuar, por edhe terrorizmit.

Zyrtarët e BE-së thonë se Kosova duhet të adoptojë vlerat mbi të cilat është ndërtuar projekti evropian, siç janë, ligjshmëria, integriteti, kuptimi i ligjeve dhe zbatimin e tyre.

Labor Chlad, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë thotë se autoritetet në Prishtinë e mbajnë përgjegjësinë për sundimin e ligjit dhe funksionimin e shtetit në të gjitha fushat që janë të rëndësishme për jetën e qytetarëve të Kosovës.

“Ne jemi këtu për t’ju mbështetur juve në përpjekjet e juaja, por pa ju ne nuk mund të ndryshojmë gjërat për ju”, tha Chlad.

Këto komente ai i ka bërë në një konferencë për media të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe Këshilli i Evropës, në kuadër të projektit të përbashkët kundër krimit ekonomik, në të cilin janë dhënë vlerësime rreth përputhjes së ligjeve të Kosovës me standardet evropiane në luftimin e korrupsionit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Ndërkaq, Vahagn Muradyan nga Zyra e Këshillit të Evropës tha se nga zbatimi i ligjeve, përfitojnë qytetarët e Kosovës, pasi u mundësohet që t’i gëzojnë të drejtat e njeriut.

Duke folur për korrupsionin dhe shpëlarjen e parave, Muradyan tha se ky fenomen kompleks luftohet vetëm kur të gjitha institucionet bëhen bashkë dhe adresojnë këto lloje të krimeve.

“Krimet e korrupsionit dhe shpëlarjes së parave janë komplekse dhe si çdo fenomen kompleks, ato kërkojnë përpjekje të përbashkëta të të gjitha institucioneve që të punojnë së bashku, në mënyrë që t’i adresojnë ato”, tha Muradyan.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë se Kosovës kanë ritheksuar përpjekjet e vazhdueshme që ligjet e Kosovës të përshtaten me standardet evropiane në luftimin e këtyre dukurive.

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka konfirmuar se disa nga rekomandimet e zyrave ndërkombëtare në Kosovë janë përmbushur nga autoritetet në vend. Disa nga ligjet, thotë ai, për këto dukuri janë në harmoni më standardet evropiane.

“Si pjesë e Ministrisë së Financave, njësia e inteligjencës financiare është një nga dy institucionet që udhëheqin mbështetjen e të gjitha institucioneve tjera në kuadër të projektit të përbashkët të BE-së dhe Këshillit të Evropës kundër krimit ekonomik”.

“Në këtë drejtim, raporti i vlerësimit të përputhshmërisë së Kosovës, për standardet ndërkombëtare kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit është vegël e çmuar që forcon përpjekjet tona të vazhdueshme për parandalimin e këtyre dukurive”, tha Hamza.

Ndërkaq, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Imri Zeka, tha se viteve të fundit ka pasur rritje të kapaciteteve në zbatimin e ligjeve për parandalimin e këtyre dukurive, konkretisht në luftën kundër terrorizimit.

“Duke pas parasysh rrezikun më te cilin u përball Kosova nga personat e kthyer nga zonat e konfliktit, si dhe personave të përfshirë në vepra penale të terrorizimit, viteve të fundit në vendin tonë, ka pasur rritje të kapaciteteve, në theks të veçantë në ato të zbatimit të ligjit, të cilat kanë luajtur rol kyç në vlerësimin dhe minimizimin e rrezikut të paraqitur nga terrorizimi”, tha Zeka.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, tha pakoja e ligjeve kundër korrupsionit dhe rishikimi i drejtësisë penale, ka paraparë eliminimin e paqartësive dhe efikasitet të plotë në zbatimin e ligjit, ndërsa “Drejtësia 2020” (agjendë për sistemin e drejtësisë) do të përafrojë Kosovën me standardet evropiane në luftën kundër këtyre dukurive.

Me miratimin dhe zbatimin efikas të reformave legjislative, tha ministri Tahiri, Kosova do të jetë vend i sigurt për qytetarët e saj, por adresë e gabuar për ata që pretendojnë të merren me krim të organizuar, pastrim të parave apo financim të terrorizmit.

XS
SM
MD
LG