Ndërlidhjet

Kërkohet luftë e ashpër ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar


Ilustrim

Ambasadori i Shteteve të Bashkuar të Amerikës në Kosovës, Greg Delawie, ftoi të shtunën prokurorët që të vazhdojnë punën e tyre të pakompromis në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ambasadori Delawie në konferencën vjetore të prokurorëve tha se dy prej prioriteteve të tij që ta ndihmojë Kosovën është sundimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit.

Populli i Kosovës nuk beson që institucionet e sundimit të ligjit punojnë seriozisht për ta luftuar korrupsionin. Ju duhet të punoni në mënyrë vendimtare dhe ta ndryshoni këtë, sepse fundja ju i prini kësaj lufte dhe sytë e qytetarëve janë në ju".

"Korrupsioni ndal zhvillimin e demokracisë, ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik dhe thekson pabarazinë sociale. Ju nxis të gjithëve që profesionalisht t’i ndiqni penalisht të gjitha rastet e korrupsionit me profesionalizëm dhe përkushtim”, tha Delawie.

Ambasadori Delawie u bëri thirrje prokurorëve që për rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, në veri të Mitrovicës, të hetohet me profesionalizëm.

Kurse, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se para sistemit prokurorial ende ka sfida, por ato, sipas tij, duhet të eliminohen bashkërisht.

"Këto vështirësi duhet t'i zgjidhim së bashku duke përmirësuar performancë, duke rritur llogaridhënien, duke forcuar vetëdijen e çdo prokurori për rëndësinë e rolit e tij në ndjekjen hetimin dhe ndëshkimin e krimit në mënyrë që të rrisim besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë", tha Lumezi.

Kryeprokurori Lumezi tha se në vitin 2018 pret një angazhim të madh të të gjithë prokurorëve në, siç tha ai, sfidat kryesore si korrupsioni i nivelit të lartë, krimi i organizuar, terrorizmi, krimet e luftës dhe vrasjet e pandriçuara të figurave publike para, gjatë dhe pas luftës.

"Duhet t'i ndjekim të gjithë kryesit e veprave penale që deri tash i kanë ikur drejtësisë. Ata duhet të identifikohen, hetohen dhe ndëshkohen në përputhje me ligjin. Prandaj, ne duhet t'i adresojmë këto shqetësime në drejtim të zbardhjes së këtyre rasteve të ndjeshme. Sfidat që ka Kosova në zbulimin dhe ndëshkimin e këtyre veprave penale, do të na përcjellin edhe gjatë procesit për liberalizmin e vizave dhe integrimet evropiane", u shpreh Lumezi.

Siç u tha, Prokuroria e Shtetit gjatë vitit të kaluar ka zgjidhur gjithsej 66.235 lëndë të natyrave të ndryshme.

Për këtë, thanë zyrtarët nga kryeprokuroria,dëshmon fakti se 87% të aktakuzave kanë përfunduar me aktgjykime dënuese.

Prokuroria e Shtetit, theksoi Lumezi, ka treguar performancë të mirë edhe në trajtimin e rasteve të terrorizmit dhe si rezultat i punës së përbashkët me institucionet e tjera, pjesëmarrja e shtetasve të Kosovës në luftërat e huaja, është ulur në mënyrë radikale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG