Ndërlidhjet

Haradinaj: Vrasja e Ivanoviqit të mos shfrytëzohet për agjenda politike


Pamje nga vendi ku u vra Oliver Ivanoviq
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:49 0:00

Lideri i iniciativës qytetare "Liria, Demokracia, Drejtësia" [SDP] në Kosovë, Oliver Ivanoviq, nuk u ka mbijetuar plagëve, pas sulmit ndaj tij me armë zjarri, në mëngjesin e së martës.

Vdekjen e Ivanoviqit, e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Shyqri Syla, kryeprokuror i Prokurorisë në Mitrovicë.

“Ivanoviq është vrarë para selisë së partisë së tij dhe nga plagët e marra, ai ka vdekur” ka thënë Syla.

Sulmi ndaj Ivanoviqit kishte ndodhur para zyrës së Ivanoviqit. Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin.

Zheljko Bojiq, shef i operativës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se incidenti me armë zjarri ka ndodhur para selisë së partisë së Ivanoviqit, në rrugën Sutjeska, rreth orës 8 e 10 minuta.

“Me këtë rast është plagosur Oliver Ivanoviqi. Viktima, menjëherë është dërguar në spitalin e Mitrovicës së Veriut, ku është tentuar t’i bëhet reanimimi, pas së cilës mjekët kujdestarë kanë konstatuar se ai ka vdekur”, ka thënë Bojiq.

Ai ka shtuar se një incident tjetër ka ndodhur, po ashtu në Mitrovicën e Veriut, rreth një orë pas incidentit ku u qëllua Ivanoviq, duke thënë se policia po i heton të dyja rastet, për të shikuar nëse eventualisht ato kanë ndërlidhje.

“Rreth orës 9 e 15 minuta, në rrugën Vojvoda Putnik është gjetur e djegur një veturë e tipit ‘Opel Astra’, pa tabela regjistrimi. Policia, aktualisht është duke dyshuar se ky rast mund të jetë i ndërlidhur me rastin e vrasjes së Ivanoviqit. Hetimet ende janë duke vazhduar”, ka thënë Bojiq.

Policia ka rrethuar vendin ku është qëlluar për vdekje Oliver Ivanoviq
Policia ka rrethuar vendin ku është qëlluar për vdekje Oliver Ivanoviq

Për identifikimin sa më të shpejt të kryerësve të aktit kriminal, Policia e Kosovës ka kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për zbardhjen e rastit. Policia e Kosovës ka ofruar 10 mijë euro shpërblim, për cilindo qytetar, i cili mund të jep informacione, të cilat shpien në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti.

Mjekët ligjorë, të cilët kanë bërë autopsinë e Ivanoviqit, kanë gjetur gjashtë plumba në trupin e tij. Pas autopsisë, trupi i pajetë i Ivanoviqit është bartur tek selia e partisë që kishte drejtuar.

Vrasjen e Oliver Ivanoviqit, e kanë dënuar zyrtarët e institucioneve të larta të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri, Ramush Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Pas mbledhjes, kryeministri Haradinaj, ka theksuar që institucionet e Kosovës në tërësi, e dënojnë vrasjen e Ivanoviqit dhe i ka shprehur ngushëllime familjes Ivanoviq. Por, siç ka thënë ai, institucionet e Kosovës e dënojnë edhe çdo tendencë që ky akt kriminal të shfrytëzohet për agjenda politike dhe të tjera nga kushdo qoftë.

“Institucionet e Kosovës janë vërtetë në krye të detyrës, pra, policia. Por, po ashtu, policia e Kosovës ka marrëdhënie të mira me plotë organizata simotra. Sikur ne ta ndjejmë nevojën për ndihmesë në hetime, mund ta ftojmë FBI, që është shumë i besueshëm. Nuk i mirëpresim deklarimet e askujt për ndërhyrje në rend dhe ligj në veri. Mendojmë se edhe ky krim, por edhe zhvillime të caktuara kriminale që ndodhin në veri, janë po ashtu rezultat i përfshirjeve ilegale që ndodhin në veri nga instanca tjera jashtë Kosovës”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Vetura e djegur në Mitrovicë
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:34 0:00

Deklarata e kryeministrit Haradinaj, ka ardhur pas deklaratës që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka bërë lidhur me vrasjen e Ivanoviqit.

Vuçiq, ka mbajtur mbledhje urgjente me Këshillin për Siguri Kombëtare. Ai e ka cilësuar vrasjen e Ivanoviqit si akt terrorist.

“I kemi dërguar letrën organeve të EULEX-it dhe UNMIK-ut, me kërkesën tonë, jo dëshirën, por kërkesën, që organet shtetërore të Republikës së Serbisë të marrin pjesë në zhvillimin e hetimit në territorin e Kosovës, sepse jemi të bindur që pjesëmarrja e organeve të drejtësisë të Serbisë do të nënkuptonte zbulimin e të vërtetës për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ka thënë Vuçiq.

Ai ka shtuar se nëse kërkesa e shtetit serb për pjesëmarrje në hetime nuk miratohet, atëherë Serbia do të kryejë një hetim të veçantë.

Llidhur me vrasjen e Ivanoviqit, kanë reaguar edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë.

Ambsadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie e ka dënuar fuqishëm “vrasjen e dhunshme” të politikanit serb, Oliver Ivanoviq, dhe ka shprehur shprehu ngushëllimet më të thella të ambasadës amerikane për familjen e tij.

“U bëj thirrje të gjitha institucioneve të drejtësisë në Kosovë – sidomos tash që policia, prokurorët dhe gjykatat janë të integruara – ta hetojnë këtë incident me shpejtësi dhe profesionalizëm dhe të sjellin autorët përpara drejtësisë”, ka thënë Delaëie.

Ngjashëm ka reaguar edhe Ambasada e Britanisë së Madhe, lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, duke shprehur “shqetësimin e thellë”.

“Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjen dhe miqtë e tij. Ashtu si për çdo vrasje, i bëjmë thirrje policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera të sundimit të ligjit që të hetojnë tërësisht këtë incident dhe t'i sjellin kryesit e veprës para drejtësisë sa më parë”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Britanisë së Madhe.

Ndryshe, ndonëse Oliver Ivanoviq kishte paralajmëruar pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare bë Kosovë, të qershorit të vitit 2017, ai kishte hequr dorë për shkak të numrit të madh të subjekteve politike nga bashkësia serbe, duke thënë se kjo do të sillte deri te shpërndarja e votave.

Fotografia e politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviq, e vendosur në ndërtesën e zyrës së tij në Mitrovicë
Fotografia e politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviq, e vendosur në ndërtesën e zyrës së tij në Mitrovicë

​Gjatë fushatës për zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, disa kandidatë për këshilltarë komunalë nga subjekti i tij politik, ishin tërhequr nga lista për shkak të kërcënimeve se do t’i humbnin vendet e punës. Beogradi zyrtar, me këtë rast kishte mbështetur vetëm Listën Serbe.

Në fillim të vitit 2014, Ivanoviq ka qenë një prej kandidatëve për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, kur edhe ishte arrestuar. Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2017, kishte vendosur për gjykimin e sërishëm të Oliver Ivanoviqit, pasi që në vitin 2016 ishte dënuar me 9 vjet burg për krime të luftës ndaj shqiptarëve të Kosovës, gjatë viteve 1999 dhe 2000. Gjykimi i sërishëm kishte nisur me 24 mars të vitit 2017 dhe me 21 prill, Ivanoviqit i ishte hequr masa e arrestit shtëpiak dhe i ishte mundësuar mbrojtja nga liria.

Ivanoviq pas vetes ka lënë bashkëshorten Milenën dhe katër fëmijë.

XS
SM
MD
LG