Ndërlidhjet

Qytetarët e Kosovës nuk iu besojnë organeve kompetente në vend për të raportuar rastet e dyshuara korruptive, thonë vetë ata, si edhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Hezitimi për të raportuar rastet korruptive thuhet se ndërlidhet me faktin se organet e drejtësisë në të shumtën e rasteve merren me personin që paraqet rastin më shumë se sa me të dyshuarin për korrupsion.

Një nga qytetarët e Prishtinës, që u identifikua vetëm si Bekimi, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk do të pranonte ta raportonte ndonjë rast të korrupsionit, për shkak të mundësisë së hakmarrjes.

Përveç kësaj, ai nuk beson se mund të ketë efekt, edhe në rast të raportimit.

“Mendoj se ka korrupsion, por heshtet dhe fshihet. Mua nuk me ka ndodhur drejtëpërdrejt, por gjërat po shihen, janë pa koment. Këtu problem është mos funksionimi i duhur i gjykatave”, thotë Bekimi.

Ekonomisti Rrustem Abiti nuk e mohon faktin se në Kosovë ka korrupsion, por nuk beson se ekziston në përmasat e paragjykuara.

Ai shprehet në rast se do vërente raste korruptive do t’i raportonte në institucionet kompetente.

“Unë mendoj se realitet ka për këtë çështje, por ne si vend i vogël, në krahasim me vendet tjera, nuk mund të themi se mund të ketë në vlera të mëdha financiare, por edhe kjo është e padrejtë."

"Por, më shumë është një lloji euforie e popullit që e krijojnë një temë dhe ajo globalizohet dhe më pas merren me të”, thekson Abiti.

Në të gjitha raportet ndërkombëtare, përfshirë atë të Indeksit Global të Transparecy International, Kosova është vlerësuar si vendi me shkallën më të lartë të korrupsionit.

Në veçanti, raportet e BE-së e kanë cilësuar si të brishtë sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke e futur në mesin e institucioneve që “janë përfshirë në korrupsion”.

Për ekspertët e fushës, sistemi i drejtësisë në Kosovë ka demotivuar qytetarët për raportim të rasteve të dyshuara korruptive.

Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i tha Radios Evropa e Lirë se pikërisht fakti që për lajmëruesit e rasteve korruptive janë “hapur procedura të ndryshme” ka bërë që qytetarët të mos iu besojnë organeve kompetente.

“Madje në shumë raste kur kanë denoncuar raste, denoncuesit janë bërë telash me denoncimet e tyre, pasi nuk janë ndjekur ata që janë denoncuar, por ndaj denoncueseve janë hapur procedura të ndryshme."

"Absolutisht ka shumë raste në të cilat ata që i kanë denoncuar rastet e korrupsionit janë shantazhuar në forma të ndryshme nga ana e sistemit të drejtësisë, qoftë nga policia, qoftë nga prokuroria”, tha Musliu.

Mos besimi i qytetarëve tek institucionet e drejtësisë është arsye kryesore që qytetarët nuk e raportojnë korrupsionin, thotë edhe Hasan Preteni, udhëheqës i Qendrës për Etikë, Transparencë dhe Integritet.

Preteni, ish drejtor i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, thotë për Radion Evropa e Lirë se mos besimi tek institucionet kompetente ka bërë që qytetarët, konkretisht ata që punojnë në institucione publike, të heshtin për shkak se mund të rrezikojnë edhe me humbjen e vendit të punës.

Ai thotë se ka pasur raste kur organete drejtësisë kanë manipuluar me informacionet, duke lajmëruar personin e dyshuar për korrupsion se nga kush është lajmëruar.

“Ky bashkëpunim i organeve të drejtësisë me persona kundër të cilëve paraqiten kallëzime për korrupsion është i mbrapsht, jo i mirë dhe është shumë politik."

"Këtu edhe lind problemi se kush po i përzgjedh gjyqtarët dhe prokurorët, a po i përzgjedh politika apo kush? Nëse i përzgjedh politika, ata do t’i shërbejnë politikës”, tha Preteni.

Në hulumtimin e fundit të Transparency International, thuhet se më shumë se 50 për qind e qytetarëve të Kosovës mendojnë se korrupsioni është një prej tri problemeve kryesore me të cilat përballet vendi.

Madje, 30 për qind e qytetarëve në Evropë dhe Azinë Qendrore, që kanë marrë pjesë në anketën e këtij institucioni, thonë se një nga problemet kryesore pse nuk e lajmërojnë korrupsionin është frika nga individë të caktuar.

Dy në pesë persona që e kanë lajmëruar korrupsionin kanë qenë viktima të hakmarrjes.

Rastet e natyrave korruptive, pavarësisht a iniciohen nga zyrtarët kompetentë, qytetarë, palë të ndryshme ankuese dhe të tjerë, Policia e Kosovës thotë se “ i trajton me seriozitet të madh” .

Sipas të dhënave nga Departamenti Special i Antikorrupsionit, në Policinë e Kosovës, gjatë këtij viti thuhet se janë trajtuar 41 raste korruptive të nivelit të lartë dhe si rezultat i këtyre hetimeve 12 raste kanë përfunduar me aktakuzë, ndaj 129 personave të profileve të ndryshme.

Përderisa nga Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit e Policisë së Kosovës, vetëm gjatë kësaj periudhe, kanë ndërmarrë veprime aktive, duke realizuar 638 aktivitete në funksion të parandalimit dhe luftimit të korrupsionit.

Nga këto të dhëna, rreth 300 të dyshuarave është ushtruar kallëzim penal, 160 raste janë të hapura dhe 40 persona të arrestuar. (REL)

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG