Komisioni Evropian propozon kufizimin e të drejtave për anëtarët e ardhshëm të BE-së

Selia e Bashkimit Evropian në Bruksel, Belgjikë.

Komisioni Evropian do të propozojë kufizimin e disa të drejtave për anëtarët e ardhshëm të Bashkimit Evropian (BE), si dhe kalimin në vendimmarrje me shumicë të kualifikuar, në vend të unanimitetit, në një numër fushash, përfshirë edhe zgjerimin.

Këto janë elementet kryesore të strategjisë për zgjerimin që KE-ja do ta miratojë dhe publikojë më 7 tetor.

Qëllimi i këtyre dy propozimeve është që pranimi i anëtarëve të rinj të mos e vështirësojë edhe më tej procesin tashmë të komplikuar të vendimmarrjes brenda bllokut evropian.

KE-ja në strategji do të theksojë se zgjerimi duhet të përgatitet mirë, për përfitim të ndërsjellë. Nga njëra anë, kandidatët për anëtarësim duhet të jenë të gatshëm dhe të përmbushin kushte të rrepta, ndërsa nga ana tjetër, edhe BE-ja duhet të jetë institucionalisht, financiarisht dhe politikisht e gatshme që të mbetet funksionale edhe pas zgjerimit.

Sipas draftit të dokumentit, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë (REL), mekanizmat për anëtarët e ardhshëm, që po përgatit Komisioni, do të synonin kufizimin e mundësisë për bllokimin e vendimeve gjatë viteve të para të anëtarësimit, ndërsa shtetet anëtare ekzistuese do të kishin në dispozicion instrumente për të reaguar nëse anëtaret e reja, pas anëtarësimit, devijojnë nga detyrimet e marra përsipër.

SHIKONI EDHE:

Spanja mund ta pengojë integrimin e Malit të Zi në BE

Anëtarët e ardhshëm pa të drejtë vetoje

Elementi më i ndjeshëm i draftit ka të bëjë me kufizimin e së drejtës së vetos, që në dokument quhet në mënyrë simbolike “detyrim i përkohshëm lidhur me vendimmarrjen në Këshillin e BE-së dhe Këshillin Evropian”.

Sipas këtij propozimi, anëtarët e ardhshëm do të zotoheshin të mos kundërshtonin vendimet e Këshillit në fushat në të cilat kërkohet unanimitet.

Ky propozim do të zbatohej për çështjet institucionale dhe çështjet që lidhen me zgjerimet e ardhshme.

Në këmbim, siç thuhet në draft, institucionet evropiane do të angazhoheshin për të gjetur një zgjidhje të kënaqshme kur një anëtar i ri t’i referohej interesave thelbësore kombëtare.

Marrëveshjet e reja, sipas burimeve të REL-it të njohura me përmbajtjen e dokumentit, do të përfshiheshin në një deklaratë të përbashkët që do t’i bashkëngjitej Traktatit të Anëtarësimit. Deklarata do të miratohej para Traktatit të Anëtarësimit.

Ky vit është shënuar nga një sërë nismash joformale të shteteve anëtare, përmes të cilave BE-ja po përgatitet për pranimin e anëtareve të reja, me përpjekje për ta thjeshtuar vendimmarrjen në bllok, ku vetoja e secilit shtet anëtar shpesh e vështirëson procesin dhe e cenon unitetin.

Komisioni Evropian në mars paraqiti tre skenarë (status quo-në, integrimin gradual dhe anëtarësimin “e kundërt”), të cilat u refuzuan nga shumica e shteteve.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, në maj propozoi statusin e vëzhguesit për Ballkanin Perëndimor dhe anëtarësimin e asociuar pa të drejtë vote për Ukrainën.

Në prag të samitit në Tivat, Franca dhe Gjermania paraqitën propozimin për integrim gradual para anëtarësimit, ndërsa pesë shtete paraqitën propozimin për kufizimin e të drejtave të anëtareve të reja pas anëtarësimit, duke e ngushtuar kështu edhe mundësinë që ndonjëra prej tyre të përdorë veton kundër kandidatëve të ardhshëm.

Në shtator, njëmbëdhjetë shtete kërkuan kalimin nga unanimiteti në vendimmarrje me shumicë të cilësuar, gjë që mbështetet edhe nga presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.

Megjithatë, për çdo ndryshim të mundshëm, vendimi përfundimtar u takon shteteve anëtare, të cilat vendosin në mënyrë unanime.

Klauzolat mbrojtëse

Përveç mekanizmave ekzistues që kanë vlejtur për anëtaret e mëparshme, KE-ja do të propozojë shtimin e dy mekanizmave të rinj, që lidhen me çështjet financiare dhe institucionale.

Mekanizmi financiar mbrojtës do t’i mundësonte KE-së që, për një periudhë të kufizuar pas anëtarësimit, të propozojë masa proporcionale nëse ka prova të qarta ose rrezik serioz se mangësitë në sundimin e ligjit po rrezikojnë menaxhimin financiar të buxhetit të BE-së ose mbrojtjen e interesave të tij financiare.

Klauzola institucionale do të zbatohej në rast të një “shkeljeje veçanërisht të rëndë”, kur Këshilli i BE-së do të mund të miratonte masa të përshtatshme dhe proporcionale, përfshirë pezullimin e përkohshëm të disa të drejtave që rrjedhin nga anëtarësimi.

Komisioni, përmes këtij dokumenti, do të paralajmërojë gjithashtu forcimin e masave në rast të përkeqësimit të sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave themelore pas përfundimit të negociatave të anëtarësimit.

SHIKONI EDHE:

“Treni ka ikur”: A ka ende rrugë për Kosovën drejt BE-së?

Ndryshime të propozuara edhe në institucionet e BE-së

Duket se anëtarësimi në BE nuk do të nënkuptojë që anëtaret e ardhshme do të kenë automatikisht edhe komisionarët e tyre, pasi sipas propozimit të ri kjo nuk do të vlejë as për anëtarët ekzistues.

Komisioni, në fakt, propozon që numri i komisionarëve, i cili aktualisht korrespondon me numrin e shteteve anëtare, të reduktohet në dy të tretat e numrit të shteteve anëtare, me rotacion rreptësisht të barabartë.

Komisioni mbështet gjithashtu zbatimin më të gjerë të votimit me shumicë të cilësuar, si dhe bashkëpunimin e shtuar të një grupi shtetesh kur nuk ka unanimitet.

Drafti, ndër të tjera, propozon që vendimmarrja me shumicë të cilësuar të zbatohet në hapat ndërmjetës të procesit të zgjerimit, siç janë hapja dhe mbyllja e kapitujve, ndërsa unanimiteti do të vlente vetëm për vendimin përfundimtar për pranimin e një anëtareje të ardhshme në BE.

Komisioni Evropian, me shumë gjasë, në kuadër të pakos së zgjerimit, të cilën do ta publikojë në fund të tetorit, do të dalë edhe me një hartë individuale të rrugës për kandidatët që janë në procesin e negociatave për anëtarësim.

Edhe pse në grupin e zgjerimit janë dhjetë shtete (Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Gjeorgjia, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Kosova, Turqia dhe Ukraina), burimet e REL-it konfirmuan se KE-ja me shumë gjasë do ta publikojë hartën e rrugës për Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë.

Bëhet fjalë për shtetet e vetme nga grupi i zgjerimit që deri tani po përparojnë në procesin e anëtarësimit.