Një grup dypartiak ligjvënësish amerikanë po kërkon që një takim për sigurinë evropiane i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të mbahet vitin e ardhshëm në Karolinën e Jugut, e jo në Serbi.
Kjo nismë e tyre nxjerr në pah mospajtimet mes republikanëve në Kongresin amerikan, si dhe marrëdhëniet e ndërlikuara të Uashingtonit me Serbinë.
Kongresisti republikan Joe Wilson do ta paraqesë të premten një rezolutë të përbashkët të 41 kongresistëve, e cila kërkon që sesioni vjetor i vitit 2027 i OSBE-së të mbahet verën e ardhshme në Çarlston, në shtetin e tij të Karolinës së Jugut, dhe jo në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, që favorizohet nga republikanë të tjerë me ndikim.
Reuters raportoi se e ka parë një kopje të rezolutës para publikimit të saj.
Çarlstoni dhe Beogradi janë kandidatë për të pritur këtë mbledhje vjetore të shteteve anëtare të OSBE-së nga Evropa, Azia Qendrore dhe Amerika e Veriut, një organizatë që vitet e fundit është përqendruar në menaxhimin e pasojave të pushtimit rus të Ukrainës.
Asambleja Parlamentare e OSBE-së ka pranuar ofertën e Asamblesë Kombëtare të Serbisë për të pritur sesionin vjetor në vitin 2027 në Beograd, i cili duhet të mbledhë më shumë se 300 anëtarë të parlamentit nga parlamentet e 57 shteteve anëtare të OSBE-së.
SHIKONI EDHE:
Vuçiq e lavdëron Trumpin: Serbia mund të jetë përparësi strategjike për SHBA-nëEdhe pse ligjvënësit amerikanë në të dyja anët e debatit kanë paraqitur argumente të ndryshme logjistike dhe praktike për vendin që parapëlqejnë, disa prej të cilave kanë pak lidhje me gjeopolitikën, mosmarrëveshja pasqyron gjithashtu një debat më të gjerë në Uashington lidhur me Serbinë, e cila mban marrëdhënie të ngushta si me Moskën, ashtu edhe me administratën Trump.
Disa ligjvënës, të shqetësuar nga lidhjet e thella ekonomike të Beogradit me Rusinë, kanë kërkuar një qasje më kundërshtuese ndaj Serbisë, e cila është blerëse e rëndësishme e energjisë ruse dhe ka refuzuar t'u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër kundërshtarit të Shteteve të Bashkuara.
Ligjvënës të tjerë kanë theksuar nevojën për angazhim të vazhdueshëm me qeverinë serbe, me qëllim që vendi – i cili synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian – të rreshtohet plotësisht me Perëndimin.
Në një intervistë, Wilson, i cili është bashkëkryetar i një organi pothuajse kongresional të fokusuar në Evropë, i njohur si Komisioni i Helsinkit, theksoi se mbajtja e takimit në Shtetet e Bashkuara do të dërgonte një sinjal të përkushtimit të Amerikës ndaj aleatëve të saj në OSBE.
Ai e kritikoi gjithashtu Serbinë për qëndrimin e saj armiqësor ndaj Kosovës, aleates së Shteteve të Bashkuara, pavarësinë e së cilës Beogradi vazhdon ta kundërshtojë.
Mes ligjvënësve që kanë bashkënënshkruar rezolutën e Wilsonit është edhe William Keating, demokrati më i lartë në nënkomitetin për Evropën të Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili e ka kritikuar publikisht Qeverinë serbe për çështje të ndryshme.
Në një deklaratë, Keating tha se sesioni vjetor duhet të mbahet në SHBA, "për të theksuar rolin e rëndësishëm që Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë në institucionet shumëpalëshe".
Gjeopolitika kundrejt politikës lokale
Wilson tha se ndër ata që kundërshtojnë organizimin e takimit në Çarlston është senatori republikan Roger Wicker, kryetar i Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura.
Sipas Wilsonit, Wicker i kishte thënë se fondet e Kongresit të nevojshme për organizimin e takimit në Çarlston mund të mos siguroheshin, një shqetësim që Wilson e hodhi poshtë.
Wicker, i cili është gjithashtu senatori kryesor në Komisionin e Helsinkit, do të kishte ndikim të madh në përcaktimin nëse samiti vjetor mund të zhvillohet në SHBA.
Në intervistë, Wilson tha se Karolina e Jugut do të ishte vend i përshtatshëm për mbajtjen e takimit, pjesërisht sepse djali i tij, kandidati republikan për guvernator të shtetit, do të ndihmonte që delegatët të priteshin mirë.
Disa nga bashkënënshkruesit e rezolutës së tij janë gjithashtu nga Karolina e Jugut.
Nuk është e qartë nëse rezoluta e Wilsonit do të marrë dritën jeshile. Edhe pse ajo ka mbështetjen e disa nënshkruesve me peshë nga të dyja partitë, Kongresi është vetëm pak ditë larg fillimit të pushimit veror, i cili do të zgjasë deri në shtator.