Kongresisti amerikan: Marrëveshja e paqes Armeni-Azerbajxhan mund të arrihet para përfundimit të mandatit të Trumpit

Kryeministri armen, Nikol Pashinian (djathtas), mirëpret kongresistin amerikan Abraham Hamadeh, në Jerevan, në gusht.

Kongresisti amerikan Abraham Hamadeh thotë se procesi i paqes mes Armenisë dhe Azerbajxhanit po ecën më shpejt nga sa pritej, dhe parashikon se një marrëveshje përfundimtare paqeje mund të arrihet shumë përpara përfundimit të mandatit aktual të presidentit Donald Trump.

Hamadeh, republikan nga Arizona dhe anëtar i Komiteteve të Dhomës së Përfaqësuesve për Forcat e Armatosura dhe Çështjet e Veteranëve, është shfaqur si një ndërmjetës aktiv në Kongres për çështjet që lidhen me Kaukazin Jugor. Ai vizitoi Azerbajxhanin në qershor dhe Armeninë në gusht, ku u takua me udhëheqësit e të dyja vendeve.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 9 shtator, Hamadeh e përshkroi Rrugën Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar (TRIPP) si diçka më shumë se një projekt ekonomik, duke argumentuar se ajo mund t'i lidhë Armeninë dhe Azerbajxhanin politikisht dhe ekonomikisht, si dhe ta hapë Kaukazin Jugor ndaj tregtisë dhe investimeve më të mëdha perëndimore.

TRIPP-i, i prezantuar si pjesë e procesit të paqes të ndërmjetësuar nga SHBA-ja pas luftës mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut, parasheh ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore dhe rrugore, si dhe mundësinë e projekteve për naftësjellës e gazsjellës, fibra optike dhe energji elektrike.

Armenia dhe Azerbajxhani u përballën për më shumë se tri dekada për Nagorno-Karabakun, një rajon i Azerbajxhanit i banuar kryesisht nga armenë etnikë. Normalizimi i marrëdhënieve mori hov pasi Azerbajxhani rimori kontrollin mbi territorin në vitin 2023, ndërsa një samit për paqe në Uashington, në gusht të vitit 2025, ndihmoi në kapërcimin e ngërçit.

Radio Evropa e Lirë: Ju së fundi vizituat Azerbajxhanin dhe Armeninë dhe u takuat me udhëheqësit e të dyja vendeve. Cilat pengesa mbeten ende për shndërrimin e një deklarate për paqe në një paqe përfundimtare dhe të qëndrueshme?

Abraham Hamadeh: Duhet të shohim se ku ishim vetëm një vit më parë. Një vit më parë, në gusht, ishte koha kur [kryeministri armen Nikol] Pashinian dhe [presidenti azerbajxhanas Ilham] Aliyev ishin këtu, në Shtëpinë e Bardhë, me Trumpin. Diçka që askush nuk e kishte parë të vinte, sidomos kaq shpejt, kur patëm këtë marrëveshje për paqe. Dhe, tani jemi në garë.

Besoj se e dini që Trump dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, kanë qenë shumë të rëndësishëm, madje edhe nënpresidenti JD Vance ka qenë në rajon. Duket se zyrtarët e qeverisë amerikane në të gjitha nivelet janë të përkushtuar ndaj kësaj.

Përfshirja ime në këtë proces nisi me takimet e ndara me ambasadorin armen dhe ambasadorin azerbajxhanas, dhe me përpjekjen për t'i afruar ata. Të dy erdhën në Arizona, në shtëpinë e vëllait tim. Të dy kanë marrë pjesë në një aktivitet për mua në Mar-a-Lago. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë, prandaj po përpiqemi të sigurohemi që kjo paqe të konsolidohet.

Pengesat, për të qenë të sinqertë, janë thjesht çështje kohe. Duhet kohë që emocionet të qetësohen pasi ke kaluar një periudhë lufte dhe dekada të tëra konflikti. Prandaj, nga përvoja ime atje, si në Baku, ashtu edhe në Jerevan, gjithçka po shkon shumë mirë dhe të dyja palët janë plotësisht të përkushtuara për të siguruar që Kaukazi Jugor të jetë paqësor dhe i begatë.

Kongresisti amerikan, Abraham Hamadeh.

Radio Evropa e Lirë: Sfida e radhës është zbatimi. Si duhet të duket paqja në terren sa u përket kufijve, transportit, tregtisë, të burgosurve dhe sigurisë?

Hamadeh: Po, sigurisht që ende ka disa sfida. Ka disa të burgosur që armenët duan t'i kthejnë nga Azerbajxhani. Secila palë ka pikëpamjet e veta për të gjitha këto çështje.

Një nga gjërat që besoj se do të ndihmojë nuk është vetëm marrëdhënia mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, por edhe marrëdhënia mes Turqisë dhe Armenisë, e cila mendoj se është nënvlerësuar disi kohët e fundit. Të dyja palët ranë dakord të hapnin kufijtë e tyre dhe të nisnin kalimet diplomatike në vitin 2022. Kjo ende nuk është zbatuar.

Shpresojmë që kufiri i tyre të hapet, në mënyrë që Armenia të ketë një rrugë tjetër për tregti, përveç Rusisë, Gjeorgjisë apo Iranit. Pra, duhet të sigurohemi që kufiri turko-armen të hapet.

Duhet të sigurohemi që TRIPP-i mes Azerbajxhanit dhe Armenisë të ecë mirë. Por, përsëri, ka kaluar vetëm një vit dhe, në aspektin e historisë, kjo është diçka shumë e re. Pra, gjithçka po shkon mirë dhe të dy liderët janë shumë të popullarizuar në vendet e tyre, ndaj duhet të kenë mbështetjen e popullit, gjë që është shumë e rëndësishme.

TRIPP: Shumë më shumë se ekonomi

Radio Evropa e Lirë: Ju e përshkruani TRIPP-in si thelbësor për të ardhmen e rajonit. A e shihni korridorin e propozuar kryesisht si një projekt ekonomik, apo si diçka që në vetvete mund të ndihmojë në garantimin dhe ruajtjen e paqes në rajon? Dhe nëse TRIPP-i vonohet ose bllokohet politikisht, a mund ta rrezikojë kjo procesin e paqes?

Hamadeh: Nuk shoh asnjë arsye pse do të vonohet. TRIPP-i është shumë më shumë se ekonomi. Sigurisht, ai do t'u sjellë përfitime ekonomive të të dyja vendeve, por do t'i konsolidojë dhe do t'i lidhë shumë ngushtë ato në aspektin diplomatik, politik dhe ekonomik.

Ato janë vende fqinje dhe kanë një histori të gjatë mes tyre. Do të duhet kohë që kjo të ndodhë, por jam shumë i bindur për këtë korridor TRIPP – të emërtuar sipas Trumpit, natyrisht – dhe sapo të nisë ndërtimi, sapo të bëhet plotësisht funksional, mundësitë për Kaukazin Jugor do të jenë të jashtëzakonshme.

Arsyeja pse njerëzit nuk flasin shumë për Kaukazin Jugor është se shumë prej tyre as nuk e dinë se ku ndodhet në hartë. Por unë, duke qenë atje dhe duke e studiuar historinë e atij rajoni, e kuptoj se rusët po bëhen gjithnjë e më pak ndikues në Kaukazin Jugor, gjë që është një përfitim i madh për SHBA-në.

Iranianët janë tërësisht të dobësuar; aktualisht janë të shpërqendruar. Kështu që Kaukazi – Gjeorgjia, Armenia, Azerbajxhani, me ndihmën e Turqisë – ka potencial të madh për t'u bërë një urë mes Azisë, veçanërisht Azisë Qendrore, e cila gjithashtu nënvlerësohet shumë, duke i lidhur ato me Kaukazin, përmes Detit Kaspik, përmes korridorit TRIPP dhe më tej, përmes Turqisë, me Evropën.

Aktualisht, Azerbajxhani i siguron Evropës shumë gaz. Gazi eksportohet në 16 deri në 17 vende. Ata sigurojnë 25 për qind të gazit natyror të Italisë. Është vërtet e jashtëzakonshme. Pra, tashmë ka shumë zhvillime. Vetëm imagjinoni se çfarë do të ndodhë kur korridori TRIPP të jetë plotësisht funksional.

SHIKONI EDHE:

Armenia dhe Azerbajxhani nënshkruajnë marrëveshje për paqe në Shtëpinë e Bardhë

Radio Evropa e Lirë: Moska e ka kritikuar gjithnjë e më shumë të ashtuquajturën “rrugë Trump”. Së fundi, zëvendëssekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Aleksei Shevtsov, ka sugjeruar se zbatimi i saj mund t'i mundësojë SHBA-së të vendosë trupa ose kapacitete të inteligjencës në Armeni. Cila është përgjigjja juaj ndaj këtyre pretendimeve?

Hamadeh: Kjo nuk ka të bëjë aspak me praninë ushtarake amerikane. Ne kemi mjaft prani në Lindjen e Mesme dhe në Turqi, por këtu bëhet fjalë për paqen mes dy vendeve, e cila është vonuar prej kohësh.

Kjo është dezinformatë tipike ruse. Ata po përpiqen ta destabilizojnë Armeninë, e cila është demokraci; është një nga demokracitë më të qëndrueshme në rajon. Pra, ata po përpiqen ta diskreditojnë Pashinianin te një pjesë e popullsisë.

Ndikimi rus në Armeni është më i fortë sesa, për shembull, në vendet e tjera të Kaukazit, dhe rusëve nuk mund t'u zësh besë. Aktualisht ata janë shumë të shpërqendruar nga lufta në Ukrainë... dhe po e kuptojnë se ekziston një boshllëk i madh që Shtetet e Bashkuara po e mbushin tani.

Azerbajxhanasit dhe armenët do të preferonin shumë më tepër të ishin partnerë me SHBA-në sesa me rusët; ne jemi shumë më të besueshëm. Ne jemi ata që po e bëjmë të mundur paqen. Rusët kanë pasur ndikimin e tyre në këto vende dhe i kanë zhgënjyer të dyja.

Përfshirja e vazhdueshme e SHBA-së është kyç

Radio Evropa e Lirë: Përtej nënshkrimit të marrëveshjeve, çfarë do ta bënte këtë paqe të pakthyeshme? Cilat janë kushtet konkrete që do t'ju bindnin se konflikti mes Armenisë dhe Azerbajxhanit është vërtet pas nesh?

Hamadeh: Aktualisht, përfshirja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara do të sigurojë që të kemi sy dhe veshë në të dyja vendet. Dhe, Trump ka marrëdhënie të shkëlqyera me Aliyevin dhe Pashinianin. Sapo TRIPP-i të përfundojë, besoj se nuk do të flasim më për luftën.

Mendoni për Armeninë dhe Turqinë tani. Ata tashmë kanë fluturime mes Stambollit dhe Jerevanit dhe, sapo të hapet kufiri mes tyre, sapo të normalizohen marrëdhëniet, kjo do të jetë diçka shumë e madhe.

Pra, po largohemi nga kaq shumë armiqësi që është krijuar ndër breza, dhe shumë prej saj ka ardhur nga ndikimi rus, drejt një bote të re ku potenciali i Kaukazit Jugor sapo ka filluar të shfaqet.

Radio Evropa e Lirë: A lidhet angazhimi i Uashingtonit në rajon me administratën Trump, apo mendoni se ai do të shndërrohet në një angazhim strategjik afatgjatë të SHBA-së?

Hamadeh: Kjo është afatgjatë. Ne kemi një komunitet të madh armen në SHBA. Të gjithë e dimë këtë, por azerbajxhanasit kanë bërë një punë të mirë në përcjelljen e mesazhit se edhe ata duan paqe.

Pra, nuk e shoh këtë si çështje partiake. Kjo do t'i tejkalojë dallimet mes demokratëve dhe republikanëve. Synimi përfundimtar i njerëzve duhet të jetë paqja dhe njerëzit si unë në Kongres janë mbështetës të mëdhenj të Kaukazit Jugor.

Ju siguroj se, në bisedat me kolegët e mi, i inkurajoj ata ta vizitojnë rajonin dhe ta shohin vetë, të shohin se si duket në terren udhëheqja e Shteteve të Bashkuara, udhëheqja “Amerika e Para”.

SHIKONI EDHE:

Ndryshimi i “pabesueshëm” i Karabakut, dy vjet pasi ra në duart e Azerbajxhanit

Irani, Rusia dhe një Kaukaz Jugor në ndryshim

Radio Evropa e Lirë: T'ju pyes për Iranin. Ju e keni përshkruar ndryshimin e ekuilibrit rajonal si një mundësi për të gjithë të përfshirët. A mund ta ndryshojnë rrënjësisht procesi i paqes Armeni-Azerbajxhan dhe TRIPP-i rolin ose pritshmëritë e Iranit në Kaukazin Jugor?

Hamadeh: Po, por iranianët janë kaq të shpërqendruar tani, saqë është e vështirë të thuhet, apo jo? Por, ndikimi i iranianëve nuk është vetëm në Kaukaz. Shikoni Lindjen e Mesme në tërësi. Dua të them, ndikimi i tyre në Liban po zbehet, ndërsa në Siri është zhdukur plotësisht. Pra, iranianët kanë vështirësitë e tyre të brendshme.

Por, kjo është arsyeja pse TRIPP-i është kaq i rëndësishëm për të vazhduar zhvillimin e Azerbajxhanit dhe Armenisë me Perëndimin, në mënyrë që ata të mos kenë më nevojë të mbështeten te mallrat që vijnë nga Irani.

Po, aktualisht e kuptoj që ata ende tregtojnë me Iranin. E kuptoj këtë, por është fqinj i tyre, apo jo? Kjo do të jetë më e kufizuar në të ardhmen, ju siguroj. Njësoj si Rusia, e cila së fundi ka bllokuar shumë mallra armene.

Tani po shihni se si Rusia dhe Irani po përpiqen të përballen me këtë realitet të ri, në të cilin Kaukazi Jugor po ndryshon, por ata vetë kanë luftërat e tyre të brendshme që kanë vazhduar.

Koha e gjithë kësaj është pothuajse e paracaktuar, ku kemi përkushtimin e Trumpit ndaj paqes dhe marrëdhënien e tij të shkëlqyer me të dy liderët e Azerbajxhanit dhe Armenisë. Kemi kaq shumë njerëz të përkushtuar ndaj kësaj, saqë mendoj se Kaukazi Jugor nuk ka pasur kurrë më parë kaq shumë vëmendje nga SHBA-ja dhe kjo vetëm sa do të vazhdojë të rritet.

Radio Evropa e Lirë: Duke pasur parasysh këtë nivel të angazhimit amerikan, a prisni që marrëveshja e paqes mes Armenisë dhe Azerbajxhanit të finalizohet plotësisht para përfundimit të mandatit të presidentit Trump?

Hamadeh: Oh, absolutisht. Mendoj se do ta shihni të ndodhë shumë më shpejt nga sa mendohet.

Intervista është redaktuar për gjatësi dhe qartësi.