Konstituimi i Parlamentit serb: Çfarë pritet të sjellë shumica e re?

Përfaqësues e Listës Studentore gjatë një konferencë për media në Parkun e Pionierëve në Beograd, Serbi, më 29 tetor 2026.

Shkurtimisht

  • Përbërja e re e Parlamentit të Serbisë do të konstituohet më 17 nëntor.
  • Një forcë e re politike, Lista Studentore, hyn në Parlament dhe do të ketë shumicën me 140 deputetë.
  • Legjislatura e re do të ketë dy blloqe të mëdha parlamentare: Listën Studentore dhe listën opozitare të udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe (SNS).
  • Në Parlaement do të përfaqësohen edhe partitë e pakicave.
  • Pas 14 vjetësh në pushtet, SNS-ja do të kalojë në opozitë.

Me seancën konstituive, Asambleja Kombëtare e Serbisë po ashtu po mirëpret një forcë të re politike.

Lista Studentore do të dominojë legjislaturën e re pas 14 vjetësh të pushtetit të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) dhe ish-presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Në total, 140 deputetë nga Lista Studentore do të hyjnë në Parlament për herë të parë pasi lëvizja mposhti SNS-në në zgjedhjet e tetorit.

Millan Bogunoviq, deputet i zgjedhur nga Lista Studentore, veterinar dhe fermer nga Banatsko Karagjorgjevo në provincën multietnike të Vojvodinës, i tha Radios Evropa e Lirë se po hyn në Parlament i vendosur që të adresojë “problemet më të rëndësishme me të cilat përballet shoqëria”.

“Sundimi i ligjit, sigurimi i respektimit të ligjit dhe që sistemi të funksionojë siç duhet. Gjithçka që ka dështuar të funksionojë përgjatë viteve duhet të rregullohet”, tha ai.

Edhe një tjetër deputet, që është zgjedhur për herë të parë, është 35-vjeçari Mirza Ramusoviq, avokat nga Novi Pazari në jugperëndim të Serbisë, ku shumica e popullsisë është boshnjake.

“Është nder i madh që të jem pjesë e kësaj përpjekjeje, që padyshim do të jetë historike për vendin dhe shoqërinë tonë”, i tha ai Radios Evropa e Lirë.

Në të njëjtën kohë, ai tha se ndien përgjegjësi të madhe.

“Pas 14 vjetësh të stagnimit politik dhe humbjes së shpresës ne kemi një mundësi të re për të zbatuar reforma dhe për t’i dhënë Serbisë një drejtim të ri”, shtoi ai.

SHIKONI EDHE:

Vuçiq u mposht. Çka e pret Serbinë tani?

Lista Studentore doli nga lëvizja e studentëve të cilët për dy vjet udhëhoqën protesta të mëdha antiqeveritare.

Lëvizja ka kërkuar përgjegjësi për shembjen e strehës prej betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, kur humbën jetën 16 persona.

Platforma e saj është e përqendruar në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, garantimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe prokurorisë dhe ruajtjen e lirisë së medias.

Përbërja e re e Kuvendit të Serbisë

Edhe partitë e minoriteteve do të jenë pjesë e Parlamentit të ri.

Koalicioni Shqiptar dhe Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës kanë siguruar nga dy mandate, ndërkaq nga një mandat do të kenë lista Rasim Lajiq – Njerëzisht, Usame Zukurlliq – Lëvizja për Bashkim dhe SDA – Rojet e Sanxhakut.

Votim i hapur për kryeparlamentarin dhe nënkryetarët

Lista Studentore ende nuk ka treguar se kush do të jetë kryetari i ri i Parlamentit serb.

Por, ajo ka njoftuar se kryetari i Kuvendit, nënkryetarët do të zgjidhen me shumicë votash gjatë seancës konstituive, kur do të bëhen publikë edhe emrat e tyre.

Gjatë konsultimeve para seancës inauguruese, të gjitha grupet parlamentare janë pajtuar që votimi të jetë i hapur.

Për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Parlamentit kërkohet shumica prej 126 deputetësh.

Kryetari i ri i Parlamentit do të jetë edhe ushtrues detyre i presidentit të Serbisë pasi ish-presidenti Aleksandar Vuçiq dha dorëheqje në mënyrë që të garonte në zgjedhjet parlamentare.

Lista Studentore ka deklaruar se publiku do të informohet me kohë nëse disa nga zëvendëskryetarët e Parlamentit do të jenë nga grupet e tjera parlamentare.

Deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Parlamentit, seanca konstituive do të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër, matematikani Stojan Radenoviq, që është zgjedhur nga lista “Serbia e Bashkuar”.

Në udhëheqjen e seancës ai do të ndihmohet nga katër deputetët më të rinj që vijnë nga grupe të ndryshme parlamentare.

Pika të rendit të ditës të seancës konstituive përfshijnë verifikimin e mandateve të deputetëve, zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, emërimin e sekretarit të përgjithshëm dhe zgjedhjen e anëtarëve të komisioneve parlamentare dhe delegacioneve të përhershme në institucionet ndërkombëtare.

Kush do të jetë në pushtet?

Nebojsha Vlladisavleviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, i tha Radios Evropa e Lirë se shumica qeverisëse mbështetet te një lëvizje më e gjerë shoqërore.

“Lista Studentore është një listë e përbërë nga ekspertët, një lloj liste teknokratike, me një numër të madh doktorësh shkencash dhe profesorësh universitarë”, tha ai.

I pyetur se si mungesa e përvojës parlamentare, dhe në shumë raste e përvojës politike, mund të ndikojë në punën legjislative, Vlladisavleviq tha se në fakt kjo ka qenë përparësi e tyre gjatë fushatës.

“Qytetarët qartazi ishin të pakënaqur me mënyrën se si kishin vepruar politikanët opozitarë me përvojë. Megjithatë, tani po hyjmë në një fazë tjetër ku përvoja ka rëndësi. Sigurisht, përvoja fitohet shpejt”, tha ai.

Fitorja e Listës Studentore ka nxitur pritje të mëdha nga publiku.

Vlladisavleviq tha se pret që të gjitha procedurat parlamentare të respektohen dhe si ekzekutivi, po ashtu edhe legjislativi, të operojnë brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore.

“Shpresojmë që ky të mos jetë vetëm fundi i një regjimi autoritar, por edhe fillimi i ringjalljes demokratike dhe vendosjes së sundimit të ligjit”, tha ai.

SHIKONI EDHE:

Pushteti i ri serb synon rishikimin e marrëveshjeve me Kosovën, komunikim me Listën Serbe përmes ndërkombëtarëveA i ndryshon humbja e Vuçiqit raportet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën?Çfarë ka ndryshuar në Serbi në pesë ditët e para pas fitores së Listës Studentore?

I pyetur për prioritetet e tij, deputeti i ardhshëm Millan Bogunoviq tha se do të përqendrohet te bujqësia.

“Përballemi me disa probleme kyç: mungesën e një strategjie, parandalimin e largimit të të rinjve nga zonat rurale, rregullimin e tregut dhe adresimin e ndryshimeve klimatike”, u shpreh ai.

Kolegu i tij, Mirza Ramusoviq, tha se deputetët e Listës Studentore do të përqendrohen në zbatimin e platformës së lëvizjes.

“Natyrisht, si dikush që vjen nga Novi Pazari dhe që përfaqëson një pakicë kombëtare në listë, do t’u kushtoj vëmendje të veçantë të drejtave të boshnjakëve dhe situatës në Novi Pazar dhe në rajonin e Sanxhakut”, shtoi ai.

Politologu Dushko Radosavleviq tha se anëtarët e Listës Studentore kanë arritur rezultate të larta në fushat e tyre respektive.

“Kur të diskutohen ligje kyç, qoftë në fushën e arsimit, shëndetësisë apo bujqësisë, do të ketë shumë njerëz që i kuptojnë vërtet këto çështje”, tha ai.

Ai u shpreh se beson që në Kuvend mund të rikthehet kultura e dialogut për projektligjet e propozuara.

Çfarë thotë opozita?

Ish-presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili udhëhoqi listën “Serbia e Bashkuar”, do të drejtojë grupin e tij parlamentar.

Gjatë 15 viteve të fundit, ai ka mbajtur kryesisht postin e presidentit ose të kryeministrit të Serbisë.

Duke folur në televizionin Pink më 14 nëntor, Vuçiq tha se grupi i tij do ta përqendrojë veprimtarinë në Kuvend në mbrojtjen e interesave të qytetarëve.

“Do të sillemi me dinjitet dhe përgjegjësi dhe do t’i qëndrojmë besnikë vetvetes. Do të përfaqësojmë interesat e të gjithë qytetarëve të Serbisë”, deklaroi Vuçiq.

Partia Përparimtare Serbe nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment lidhur me prioritetet e grupit të saj parlamentar.

Kjo parti po ashtu nuk u përgjigj nëse do t'i mbështesë disa projektligje, siç janë ato që lidhen me integrimin evropian apo miratimin e buxhetit të shtetit.

Në paraqitjet e mëparshme, Vuçiqi kishte thënë se “Serbia e Bashkuar” do të vepronte si një opozitë shtetformuese dhe do t’i mbështeste masat që janë në dobi të qytetarëve.

“Nëse keni bërë diçka pozitive në rrugën e Serbisë drejt Evropës, pa i rrezikuar interesat tona kombëtare, ne do ta mbështesim”, kishte deklaruar ai.

I pyetur se si mund të duket përbërja e ardhshme e Parlamentit, politologu Dushko Radosavleviq argumentoi se SNS-ja nuk ka mësuar kurrë se si të sillet në mënyrë parlamentare.

“Kur e kontrollonte Parlamentin, e kishte kthyer atë në një cirk”, tha ai.

Shumica e mëparshme parlamentare është akuzuar shpesh për mosrespektim të procedurave parlamentare.

Përgjatë viteve, nuk është miratuar asnjë projektligj apo amendament i propozuar nga opozita.

Gjatë drejtimit të seancave parlamentare, ish-kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, është kritikuar shpesh për anshmëri, zbatim selektiv të rregullores së punës dhe kufizim të së drejtës së deputetëve të opozitës për të folur.

Nebojsa Vlladisavleviq tha se beson se udhëheqja e SNS-së e ka humbur besimin shumë kohë më parë.

“Besoj se fillimisht do të duhet të përballen me organet hetimore, në vend që të shtiren si një opozitë legjitime”, tha ai.

SHIKONI EDHE:

Njerëzit e Vuçiqit në rrugë, studentët në pushtet: Çfarë e pret Serbinë?

Çfarë pritet?

Në programin e saj me 11 pika, Lista Studentore është zotuar se do të çrrënjosë korrupsionin dhe pasurinë e përfituar në mënyrë të paligjshme.

Ajo ka premtuar një sistem të pavarur gjyqësor, polici dhe sektor të pavarur mediatik, si dhe rishqyrtimin e projekteve të mëdha shtetërore.

Lëvizja po ashtu ka deklaruar se politika ekonomike duhet të nxisë prodhimin vendor dhe vendet e qëndrueshme të punës, në vend që të shpërblejë interesat që janë të privilegjuara dhe të lidhura politikisht.

Ajo është zotuar se fondet publike do të shpenzohen me përgjegjësi dhe se kontratat do të jenë transparente.

Ndër prioritetet e saj janë arsimi më i qasshëm dhe me cilësi më të lartë, si dhe kujdesi shëndetësor.

Politologu Nebojsha Vlladisavleviq tha se Lista Studentore mori mandat për ndryshime të thella shoqërore dhe politike.

“Besoj se njerëzit do ta vlerësojnë përparimin kryesisht në bazë të efektivitetit të trajtimit të problemeve madhore, e jo të shpejtësisë me të cilën zgjidhen ato, pasi është e qartë se përballja me këto sfida do të kërkojë vite kohë”, tha ai.

Sipas tij, puna e qeverisë së re nuk mund të vlerësohet sipas kriterit tradicional të 100 ditëve të para.

“Kjo sepse mandati i saj është shumë më i gjerë dhe problemet me të cilat përballet janë shumë më të mëdha se zakonisht në vendet demokratike”, shtoi ai.

Me konsitutimin e Kuvendit serb nis afati 90-ditor për zgjedhjen e ekzekutivit të ri të Serbisë.

Ende nuk është bërë e ditur se kush do ta drejtojë qeverinë e re dhe kush do të ketë poste ministrore.