Kos paralajmëron nënshkrimin e traktatit të anëtarësimit me Malin e Zi verën e ardhshme

Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, dhe kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, në një konferencë për shtyp pas takimit të tyre në Podgoricë, më 16 janar 2025.

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka paralajmëruar mundësinë që Mali i Zi ta nënshkruajë traktatin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian gjatë verës së vitit të ardhshëm.

Ajo ka thënë se pjesa teknike e negociatave me Malin e Zi mund të përfundojë deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa ka theksuar që Komisioni tashmë është duke përgatitur traktatin e anëtarësimit, që mund të nënshkruhet verën e ardhshme.

“Pastaj vijon procesi i ratifikimit, i cili mund të zgjasë nga një deri në dy vjet, varësisht nga ajo që do të ndodhë në shtetet anëtare veç e veç. Kjo do të thotë se Mali i Zi mund të bëhet anëtari i 28-të i BE-së në vitin 2028”, deklaroi Kos para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET).

Mali i Zi është vendi kandidat më i avancuar në procesin e anëtarësimit. Në negociatat për anëtarësim, tashmë ka mbyllur përkohësisht më shumë se gjysmën e kapitujve. Aktualisht, ka gjithsej 18 kapituj të mbyllur përkohësisht, nga gjithsej 33 sa janë në procesin negociues për anëtarësim. Mali i Zi ende synon t’i përfundojë negociatat deri në fund të këtij viti.

Mali i Zi do të jetë i pari që do t’i ndiejë rregullat e reja të Komisionit Evropian, që më 6 tetor miratoi propozimin për vendet e ardhshme anëtare.

SHIKONI EDHE:

Rregulla të reja për zgjerimin e BE-së: Qasje më e hershme në programe, por me klauzola më të gjata mbrojtëse

Komisioni ka theksuar se qasja e re fillimisht do të zbatohet për marrëveshjet e anëtarësimit në Marrëveshjen me Malin e Zi, e më pas edhe për traktatet e ardhshme të anëtarësimit.

Zgjerimi i BE-së do të jetë në qendër të diskutimeve të krerëve të shteteve dhe qeverive evropiane në samitin që do të mbahet më 15 dhe 16 tetor në Bruksel. Liderët e 27 shteteve anëtare do të shqyrtojnë edhe perspektivat për përfundimin e negociatave me Malin e Zi.

“Këshilli Evropian mirëpret punën që po zhvillohet për hartimin e traktatit të anëtarësimit me Malin e Zi dhe vëren synimin e presidencës së Këshillit të BE-së për t’i mbyllur të gjithë kapitujt negociues deri në fund të këtij viti”, thuhet në draftin e konkluzioneve të samitit, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë.

Komisioni Evropian në fund të tetorit do të paraqesë udhërrëfyesit kuadër për katër vendet që konsiderohen më të avancuara në procesin e anëtarësimit: Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën.

Kusht është që këto vende ta ruajnë ritmin e reformave. Udhërrëfyesit nuk paragjykojnë rezultatin dhe as dinamikën e negociatave, por shërbejnë si bazë për punën e Këshillit të BE-së.

SHIKONI EDHE:

Komisioni Evropian propozon kufizimin e të drejtave për anëtarët e ardhshëm të BE-së