Pse Kosova po del kaq dobët në PISA?

5 pyetje është podkast i Radios Evropa e Lirë, ku një temë sqarohet me ndihmën e profesionistëve dhe ekspertëve, përmes përgjigjeve që kapin thelbin. Nga shëndeti e ekonomia, deri te politika dhe ligji, çdo episod sjell bisedë të qartë, verifikim faktesh dhe sqarime të nevojshme.

Mbi 80 për qind të nxënësve 15-vjeçarë në Kosovë, të cilët iu nënshtruan testeve të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, i njohur si PISA, nuk arritën as nivelin bazë në matematikë, shkencë dhe lexim.

Rezultatet e PISA-s për vitin 2025 e renditën sërish Kosovën ndër vendet me performancën më të dobët - e 8-ta nga fundi në mesin e 91 vendeve dhe ekonomive që morën pjesë - dhe nxitën diskutime për gjendjen e sistemit arsimor në Kosovë.

Agon Ahmeti, nga organizata joqeveritare ETEA, e cila fokusohet në përmirësimin e arsimit parauniversitar, thotë se Kosova ka shënuar regres të vazhdueshëm në katër herët që ka marrë pjesë në PISA dhe se, gjatë kësaj periudhe, nuk janë parë reforma apo iniciativa që do të mund të sillnin përmirësim të rezultateve.

“Fatkeqësisht, në vitin 2025 kemi rezultate më të dobëta krahasuar me 10 vjet më herët, kur jemi bërë pjesë e këtij studimi”, shprehet Ahmeti në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë.

Mospërputhja mes notave të nxënësve dhe rezultateve të PISA-s

Një nga problemet që Ahmeti veçon është dallimi i madh mes vlerësimeve që marrin nxënësit në shkolla dhe rezultateve në testimet ndërkombëtare.

Ahmeti kritikon qasjen e sistemit arsimor në vend, ku, sipas tij, theksi vazhdon të jetë te mësimi përmendësh dhe matja e memories së nxënësve.

▶️ Shiko podkastin:

🎧 Dëgjo podkastin:

Your browser doesn’t support HTML5

Pse Kosova po del kaq dobët në PISA?

“Vlerësohet memoria e nxënësve, se sa është arritur të mbahen mend ca data, ca numra, ca formula, e kështu me radhë”, shprehet ai.

Ndërkaq, pyetjet që janë në studimin PISA, thotë Ahmeti, matin logjikën dhe mendimin kritik, ndërsa 15-vjeçarët kosovarë as një mbledhje të thjeshtë nuk arrijnë ta zbërthejnë.

“Kemi një situatë ku - t’i biem shkurt e shqip - këta nxënës, rreth 85 për qind të tyre, janë analfabetë funksionalë”, thotë ai në 5 pyetje.

"Nxënësit nuk kanë faj"

Ahmeti thotë se përgjegjësia për rezultatet e dobëta nuk duhet t'iu atribuohet nxënësve.

“Nxënësit, në fakt, nuk kanë aspak faj. Nxënësve u është servuar ky sistem”, shprehet ai.

Sipas Ahmetit, përgjegjësia duhet të ndahet mes institucioneve, shkollave, mësimdhënësve, prindërve dhe shoqërisë, në përgjithësi.

Ai veçon edhe rolin e prindërve, duke thënë se, sipas të dhënave të PISA-s, ka pasur rënie prej 10 deri në 15 për qind të interesimit të prindërve për vijimësinë e shkollimit të fëmijëve, nga viti 2022 në vitin 2025.

Arsimi si urgjencë kombëtare

Përballë rezultateve të dobëta, Ahmeti thotë se hapi i parë duhet të jetë shpallja e arsimit si urgjencë kombëtare.

Sipas tij, institucionet duhet të dakordohen për një qasje të përbashkët, dhe të ndërtojnë një “pakt shoqëror” për arsimin.

Ai propozon që të përcaktohen tri deri në pesë objektiva afatgjata, të cilat do të mbeteshin prioritete, pavarësisht ndërrimit të qeverive.

“Është sektor i tillë, pra do punë sot, për t’i parë frytet ndoshta pas pesë ose dhjetë vjetësh”, thotë Ahmeti.

Ai paralajmëron se pasojat e rezultateve të dobëta në arsim shkojnë përtej sistemit shkollor.

“Këta 15-vjeçarë, pas 15 vjetësh do të jenë në pozita, sepse nuk kemi popull tjetër”, thotë Ahmeti, duke shtuar se arsimi është bazë për sigurinë, mirëqenien dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Podkastin mund ta dëgjoni edhe në Apple Podcasts dhe në Spotify.

Autore: Flaka Zogu | Realizimi teknik: Rrahman Osmani