Kosova dhe Shqipëria do të nënshkruajnë unifikimin doganor më 26 nëntor

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Marrëveshja për unifikimin doganor në mes të Kosovës dhe Shqipërisë pritet të nënshkruhet më 26 nëntor, në mbledhjen e përbashkët të këtyre dy qeverive që do të mbahet në Pejë, kurse do të fillojë së zbatuari nga janari i vitit të ardhshëm, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave në Qeverinë e Kosovës, njëherësh këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë për dogana dhe tatime, tha për Radion Evropa e Lirë se për këtë çështje, të dy qeveritë janë në fazat e fundit të harmonizimit të dokumentacioneve të nevojshme për mallrat që qarkullojnë mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai tregon se më këtë marrëveshje planifikohet që të mos kërkohen dokumente të panevojshme, por të njihen në mënyrë reciproke dokumentet e të dyja shteteve.

“Qëllimi është që të harmonizohen të gjitha këto procedura, të eliminohet kontrolli i dyfishtë që kemi pasur dhe e kemi ende deri në hyrjen në fuqi të këtij protokolli. Paralelisht, jemi duke punuar që Zyrën Doganore në Durrës, ta avancojmë dhe të harmonizohet komplet me këtë protokoll dhe të harmonizohet me procedurat e reja që do të aplikohen në vendkalimin doganor, Morinë- Vermicë”, tha Rafuna.

Për të lehtësuar transportin e mallrave në mes dy shteteve, në muajin korrik është përuruar pika e përbashkët kufitare Morinë - Vërmicë që lidh Kosovën me Shqipërinë. Me këtë projekt që është financuar nga Bashkimi Evropian me më shumë se një milion euro, është bërë modernizimi i pajisjeve.

Edhe njohës të kësaj çështjeje, konsiderojnë se bizneset e të dyja shteteve do të përfitojnë nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje.

Ish-drejtori i doganave, Naim Huruglica, njëherësh ligjërues për çështjet doganore dhe transportin ndërkombëtar, tha për Radion Evropa e Lirë se çdo shkurtim i procedurave të pritjes në kufi, ulë koston e të bërit biznes.

“Në mes të Kosovës dhe Shqipërisë është unifikim i procedurave në kuptimin e orareve, formave, punës në një objekt të përbashkët, për të mos pasur nevojë të ushtrohen dy kontrolle, pasi mund të bëhet një kontrollë e vetme me ekipe të përbashkëta. Kjo është një fazë më e avancuar sesa të kesh kontroll plotësisht të veçantë doganor”, thekson Huriglica.

“Kjo lehtëson sepse shkurtimi i kohës dhe procedurave ulë koston e transportit, ulë koston e të bërit biznes dhe automatikisht kjo e bën fuqinë tonë konkurruese pasi jemi në gjendje të dalim më lirë në treg me ato produkte që i kemi”, thotë tutje ai.

Për përfaqësues të komunitetit të biznesit, një vendim i tillë do të lehtësonte qarkullimin e mallrave të dy shteteve dhe do rriste mundësinë e investimeve të përbashkëta.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë për Radion Evropa e Lirë se më këtë vendim do të konkretizohen në praktikë marrëveshjet në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Do të pranohen doganat e dy vendeve, do të unfikohet kontrolli i përbashkët dhe shumë produkte që do vijnë në Portin e Durrësit apo të Vlorës do të kenë mundësi të doganohen atje dhe pastaj drejtë do të vijnë në Kosovë. Kjo është risi që deri më tani nuk ka ekzistuar", tha Shahini.

Ndryshe, marrëdhëniet dypalëshe që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës me shtetin e Shqipërisë janë rritur nga viti në vit. Kjo vërehet edhe me rritjen e vëllimit të shkëmbimeve tregtare në mes këtyre dy shteteve. Sipas të dhënave zyrtare, vlera e importit të produkteve nga Shqipëria në vitin 2008 ka qenë rreth 60 milionë euro përderisa në vitin e kaluar kjo shifër është rritur në 151 milionë euro.

Ndërkaq, vlera e produkteve të Kosovës që eksportohen në Shqipëri në vitin 2008 ka qenë në mbi 21 milionë euro dhe në vitin 2017 vlera e këtyre produkteve ka arritur më 60 milionë euro.

Madje, institucionet e ndryshme të Shqipërisë dhe të Kosovës kanë vendosur një bashkëpunim reciprok. Këto marrëdhënie janë konkretizuar me firmosjen e mbi 50 marrëveshjeve.

Megjithatë, vlerësohet se këto dy shtete gjatë shkëmbimeve tregtare, disa herë kanë hasur në vështirësi dhe konsiderohet se nuk kanë arritur të kenë marrëdhenie tregtare në nivel të kënaqshëm.