Kurti e Abdixhiku takohen për çështjen e presidentit

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ai i LVV-së, Albin Kurti.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, po takohen të martën në përpjekje për të arritur pajtim për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Para takimit që mbahet në ambientet e Kuvendit, Kurti tha shkurt për mediat që do të shohin se si do të ecet përpara me konstituimin e institucioneve, “natyrisht me mirëbesim dhe me atmosferë pozitive si gjithmonë”.

Takimi vjen disa ditë pasi Abdixhiku njoftoi se nuk dëshiron marrëveshje politike me Kurtin për formimin e institucioneve të reja, por shtoi se është i hapur për mbështetjen e një kandidati konsensual, jopartiak për postin e kreut të shtetit.

SHIKONI EDHE:

Abdixhiku: LDK-ja heq dorë nga çdo kërkesë, presidenti të jetë jopartiak

Pas këtij njoftimi të Abdixhikut, Kurti ka kërkuar që partitë të takohen dhe të flasin për emra konkretë për kreun e ri të shtetit.

LVV-ja e Kurtit dhe LDK-ja e Abdixhikut kanë negociuar për një marrëveshje për bashkëqeverisje. Por, Abdixhiku hoqi dorë nga pjesëmarrja në ekzekutiv pasi tha se oferta e Kurtit nuk ishte e pranueshme për të.

LDK-ja kishte kërkuar postin e presidentit dhe pjesëmarrje në qeveri, duke argumentuar se një gjë e tillë do të krijonte balancë institucionale. Por, Kurti i kishte ofruar udhëheqjen e tri ministrive dhe zëvendëskryeministrin, sipas Abdixhikut.

Kosova ndodhet në një krizë të re institucionale pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

SHIKONI EDHE:

Emini: Bllokada i krijon Vetëvendosjes pozitë të favorshme, opozita e dobët dhe e përçarë

Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndonëse afati 30-ditor për përfundimin e këtij procesi ka skaduar më 7 gusht.

LVV-ja ka kërkuar që para vazhdimit të seancës të arrihet një marrëveshje politike, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kërkojnë insistojnë që Kuvendi të konstituohet pa e kushtëzuar këtë proces me çështjen e presidentit.

Pas tërheqjes së kërkesës që ta ketë presidentin, LDK-ja po ashtu ka thënë se më nuk ka arsye që Kuvendi të mos konstituohet dhe të votohet ekzekutivi i ri.

LVV-ja e Kurtit ka fituar mandate të mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe për të votuar Qeverinë e re - duke llogaritur edhe në votat e partive të minoriteteve joshumicë.

Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Kurti ka insistuar që kreu i ri i vendit të jetë një figurë jopartiake dhe konsensuale.

Zgjedhjet e qershorit u shkaktuan pikërisht për çështjen e presidentit, pasi palët nuk arritën konsensus, pasi Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit në prill.