Udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij heq dorë nga çdo kërkesë për postin e kryeparlamentarit, presidentit dhe pjesëmarrjes në Qeveri, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje mund t’i mbajë të gjitha.
“Meqë LVV-ja nuk po e konsideron se ka nevojë për LDK-në si partnere, atëherë nuk do ta ketë dekor as për pushtetin e saj. Ne do të qëndrojmë në opozitë dhe do ta ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet”, tha Abdixhiku në një konferencë për media.
Megjithatë, Abdixhiku tha se LDK-ja do të kontribuojë për çështjen e presidentit, duke thënë se kanë kushte për kreun e ri të shtetit.
Sipas tij, presidenti i ri duhet ta mbrojë Republikën dhe kushtetueshmërinë.
“Nga ky moment, LVV mund ta zgjedhë stabilitetin përmes një presidenti që e zgjedhim bashkëshkrish ose mund ta çojmë vendin drejt një krize të re”, tha ai, duke e akuzuar LVV-në e Albin Kurtit se nuk po pranon “kompromis minimal”.
Ai tha se LDK-ja do të jetë pjesë e zgjedhjes së presidentit sepse nëse s’marrin pjesë në votim, vendi shkon në zgjedhje për shkak se me 61 votat e LVV-së “s’mund të zgjidhet” presidenti.
“Ta zgjedhim një president që i shërben Republikës, jopartiak, e jo një president karate”, tha ai, duke shtuar se propozimet partiake do të refuzohen.
“Propozimet e njëanshme janë të refuzueshme”, tha ai, duke shtuar se emri i presidentit të ri duhet të dalë pas diskutimeve të detajuara mes partive.
LDK ishte partia e vetme që pranoi të negocionte me LVV-në, fituesen e zgjedhjeve të qershorit.
Por, edhe pas disa takimesh, Kurti e Abdixhiku s'arritën një marrëveshje.
Abdixhiku tha se Kurti i ofroi atij postin e zëvendëskryeministrit dhe tri ministri, por oferta nuk është pranuar, duke shtuar se LDK-ja kishte kërkuar postin e presidentit dhe pjesëmarrje në ekzekutiv.
“Meqë LVV-ja nuk po e konsideron se ka nevojë për LDK-në si partnere, atëherë nuk do ta ketë dekor as për pushtetin e saj”, tha Abdixhiku.
Ai kërkoi që Kuvendi të konstituohet pa vonesë dhe LVV-ja të formojë Qeverinë e re të vendit.
Kosova ndodhet në një ngërç të ri institucional pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.
Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndonëse afati 30-ditor për përfundimin e këtij procesi ka skaduar më 7 gusht.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që para vazhdimit të seancës të arrihet një marrëveshje politike, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca insistojnë që Kuvendi të konstituohet pa e kushtëzuar këtë proces me çështjen e presidentit.
Kurti ka insistuar që kreu i ri i vendit të jetë një figurë jopartiake dhe konsensuale.
Zgjedhjet e qershorit u shkaktuan pikërisht për çështjen e presidentit, pasi palët nuk arritën konsensus, pasi Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit në prill.
LVV-ja e Kurtit ka fituar mandate të mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe për të votuar Qeverinë e re - duke llogaritur edhe në votat e partive të minoriteteve joshumicë.
Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.