Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.
Një marrëveshje politike mes partive për t’i shtyrë përpara proceset për formimin e institucioneve të reja të Kosovës ende nuk duket në horizont. Vëzhguesit politikë thonë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të fokusohen më shumë në programin qeverisës, sesa në ndarjen e posteve. Çfarë peshe ka kërkesa e LDK-së që ta ketë postin e presidentit në arritjen e një marrëveshjeje?
Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.
Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!
Konstituimi i Kuvendit, si hap i parë në procesin e formimit të institucioneve të reja të Kosovës, nuk u përmbyll siç pritej, në paraditen e 6 gushtit.
Seanca konstituive e së enjtes u shty nga kryesuesi i saj, pas betimit të deputetëve të rinj, me kërkesë të kryetarit të partisë më të madhe, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), për t’i dhënë kohë arritjes së një marrëveshjeje politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Teksa afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit – që do të hapte rrugën për formimin e qeverisë dhe për zgjedhjen e presidentit të shtetit – skadon të premten në mesnatë, dy partitë ende nuk duken afër një ujdie.
Për më tepër, procesin negociues mund ta ndërlikojë kërkesa e shprehur publikisht e LDK-së që ta ketë postin e presidentit.
Për LVV-në e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, presidenti i ri i vendit duhet të jetë një figurë jopartiake dhe konsensuale, ndërkaq për LDK-në kushdo që i ka 80 vota.
Vëzhgues politikë e vlerësojnë si legjitime kërkesën e partisë së Lumir Abdixhikut - e vetmja që ka pranuar të negociojë me LVV-në - që ajo ta ketë presidentin, për të siguruar një balancë në ndarjen e pushteteve.
Por, politologu Dritëro Arifi e sheh si “kërkesë të ngushtë” dhe “jovizionare” ngulmimin e LDK-së vetëm për Presidencën, duke argumentuar se vizioni duhet të fokusohet në politika qeveritare në një qeveri të mundshme mes dy partive.
Sipas tij, posti i presidentit nuk ka kompetenca ekzekutive, dhe nuk do t’i mundësonte LDK-së të ndikonte në politikat qeveritare.
“Vetëm pozita e presidentit... besoj që nëse LVV-ja është pak inteligjente, ajo do ta pranonte, sepse nuk do të thotë asgjë. Pra, as për LVV-në. Shumë pak ka peshë, por për LDK-në fare, hiç”, thotë Arifi për Radion Evropa e Lirë (REL).
Programi qeverisës para ndarjes së posteve
Njohësi i çështjeve politike, Ilir Deda, vlerëson se marrëveshja duhet të ndërtohet mbi programin qeverisës, duke përmendur si çështje kyç qasjen e ekzekutivit ndaj serbëve në veri të Kosovës, përmirësimin e raporteve me aleatët, dhe përfshirjen në projektet e energjisë që mbështeten nga Uashingtoni.
“Në qoftë se nuk ka ndryshim të politikës, dhe qeveri potenciale LVV-LDK, atëherë duhet ta pyesim LDK-në pse ka qëndruar në opozitë tërë këto vite, nëse e pranojnë mbajtjen e kursit aktual politik”, thotë Deda për REL-in.
Arifi vlerëson se LDK-ja duhet të tregojë se po imponon disa politika të saj në negociatat për marrëveshje, në të kundërtën del humbëse. Ai mendon se Kurti është në pozicion më të mirë se LDK-ja “në secilin variant që po analizojnë”.
Por, kërkesa e LDK-së për postin e presidentit ngre pyetjen kyç se sa e mundshme është arritja e një marrëveshjeje mes dy partive.
A e ndërlikon ajo procesin e negociatave, dhe a e rrit mundësinë për zgjedhje të reja, që do të ishin të katërtat në gati dy vjet? Për Dedën, përgjigja është po.
Presidenti i ri: Figurë e pavarur apo partiake?
Sipas Dedës, kompromis rreth çështjes së presidentit mund të arrihet, nëse LDK-ja do të propozonte një figurë të fuqishme politike, por jopartiake, në të cilën ka besim.
Deda thotë se presidenti i ri duhet të jetë një figurë që ndërton konsensus të brendshëm, duke vlerësuar se presidentët partiakë në historinë e re të Kosovës nuk “kanë ditur dhe nuk kanë dashur të ndërtojnë konsensus politik dhe shoqëror”.
Nga LDK-ja nuk kanë treguar nëse duan që presidenti i ri të jetë nga radhët e partisë së tyre, apo një figurë jopartiake.
Sipas Dedës, LDK-së – që në zgjedhjet e fundit e paraqiti ish-presidenten Vjosa Osmani si kandidate për kreun e shtetit – nuk “i takon” që, si fuqi e tretë, të propozojë një anëtar partiak për këtë post në vend të një figure të pavarur, që sipas tij do ta përmbushte edhe kërkesën e LVV-së.
Deda thotë se LVV-ja e ka “betonuar” qëndrimin që presidenti i ri të jetë një figurë konsensuale dhe jopariake, duke e vlerësuar atë si “pozicion të drejtë”. Prandaj, ai nuk beson se LVV-ja do ta pranonte Osmanin si presidente.
Arifi, ndërkaq, konsideron se asnjëra palë nuk ka parime, dhe kujton se Kurti e kishte përkrahur Osmanin për presidente në mandatin e parë, andaj vlerëson se ai, “varësisht nga interesi personal, po i ndryshon qasjet”.
Sipas tij, edhe nëse LDK-ja e merr postin e presidentit, ajo prapë “do të dalë parti humbëse”.
Negociatat LVV-LDK po zhvillohen në kohën e përplasjeve në partinë e Abdixhikut, i cili ditë më parë i mbijetoi një mocioni për rrëzimin e tij nga kreu i LDK-së.
Por, Arifi beson se deputetët e LDK-së do të unifikonin votat, nëse vazhdohet me narracionin e ngushtë për postin e presidentit.
Ndërsa partitë politike po përpiqen të shmangin thellimin e krizës institucionale, qytetarë të anketuar nga REL-i thanë se janë të lodhur nga zgjedhjet e njëpasnjëshme.
Por, pa një marrëveshje për presidentin, Kosova mund të rikthehet përsëri në fushatë zgjedhore - një skenar që nuk e kanë përjashtuar as Kurti, as Abdixhiku.
Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).
Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:
- A i duhen Kosovës lobistë në SHBA?
- “Jemi lodhur nga zgjedhjet”
- Të akuzuarit për Masakrën e Reçakut, në Serbi promovojnë mohimin e krimit
Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.