Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha pas takimit mbi tre orësh me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, se nuk kanë arritur një marrëveshje për krijimin e institucioneve.
"Marrëveshje politike nuk kemi. Diskutuam për qasje të ndryshme, për mundësitë që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike, e cila respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron edhe në kontribut për stabilitet institucional dhe funksionim të Republikës", tha Kurti.
Ai shtoi se koha për arritjen e një marrëveshjeje është shkurtuar dhe pa të, vendi rrezikon sërish të shkojë në zgjedhje.
Ndërkaq, duke hyrë në Kuvend, Kurti deklaroi se ai ka mbështetje të mjaftueshme për Kuvendin dhe Qeverinë, por “për zgjedhjen e presidentit nuk ka përgjegjësi vetëm mazhoranca, por edhe opozita”.
LDK-ja ka thënë se është e gatshme të ndihmojë në krijimin e institucioneve të reja. Megjithatë, partia e Abdixhikut ka thënë se dëshiron marrëveshje për tri institucionet: Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën.
Abdixhiku, ndërkaq, nuk është prononcuar për media se çfarë pret nga ky takim.
Ai ishte i shoqëruar nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, dhe ish-presidentja Vjosa Osmani.
Takimi vjen dy ditë para mbajtjes së seancës konstituive për legjislaturën e njëmbëdhjetë.
Më herët, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se në takimin me Abdixhikun po shkonte me “me vullnet të mirë, me gatishmëri për marrëveshje”.
Kurti po ashtu tha se në takim do të ishte edhe anëtari i kryesisë së LVV-së, Hekuran Murati.
“Synimi ynë është që të bëhet konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të. Fatkeqësisht, dy partitë e tjera nuk e konsideruan të nevojshme apo të arsyeshme që të takohemi. Unë mendoj ndryshe. Përderisa me Aleancën nuk jemi takuar fare, besoj që ka pasur shumë nevojë që të takohemi përsëri me kryetarin e PDK-së. Tash, unë do të shkoj atje me ministrin e Financave, që njëkohësisht është anëtar i Kryesisë së Vetëvendosjes, Hekuran Muratin”, tha Kurti më herët gjatë 4 gushtit.
Kurti u dërgoi ftesa një ditë më parë edhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, dhe atij të Aleancës, Ardian Gjini, por që të dy refuzuan takimin me të.
Kryeministri në detyrë tha se dëshiron që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe vendi të ketë president të ri, duke përsëritur qëndrim se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja.
Pikërisht mosarritja e konsensusit për çështjen e presidentit nxiti zgjedhjet e 7 qershorit – të tretat që nga shkurti i vitit 2025.
LVV-ja ka fituar 58 mandate dhe së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë ka votat e mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re, pasi për to kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 deputetësh.
Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.
Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.
Prandaj çështja e presidentit pritet të jetë në qendër të bisedimeve mes Kurtit e Abdixhikut.
Kjo është hera e dytë që Kurti takohet me Abdixhikun, pasi ai më 10 korrik kishte takuar ndaras atë, dhe kreun e PDK-së.
Pas takimit, Bedri Hamza i PDK-së kishte thënë se partia e tij do të mbetej në opozitë. Ndërkaq, Abdixhiku i LDK-së ishte shprehur i gatshëm për takime të reja.