Kushtetuesja: Dekreti i Osmanit s’ka efekt juridik, Kuvendi ka 34 ditë për zgjedhjen e presidentit

Gjykata Kushtetuese, fotografi nga arkivi.

Ligjvënësit në Kosovë kanë mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, pasi gjykata më e lartë në vend e rrëzoi të mërkurën një dekret të presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjidhjes së presidentit në një seancë më 5 mars. Dekreti, sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk ka efekt juridik.

Gjykata Kushtetuese e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me dekretin e Osmanit të nxjerrë më 6 mars, duke vendosur se në rast se brenda 34 ditësh, nga sot kur ka hyrë në fuqi aktgjykimi, deputetët nuk zgjedhin presidentin, Kuvendi shpërndahet.

Sipas vendimit, pas shpërndarjes 'ex constitutione' (shpërndahet në mënyrë automatike në bazë të Kushtetutës) së organit ligjvënës, Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Në aktgjykimin e saj, Kushtetuesja tha se Kuvendi i Kosovës shpërndahet në tri raste: nëse brenda 60 ditësh nga data e caktimit të mandatarit nga presidenti nuk formohet Qeveria, nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë 2/3 e të gjithë deputetëve dhe nëse brenda 60 ditësh nga data e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Kosovës.

“Gjykata marrë për bazë kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, vlerësoi se Kuvendi nuk ka pasur gjashtëdhjetë 60 ditë në dispozicion, brenda të cilës periudhë duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e presidentit”, u tha në vendim të Kushtetueses.

Sipas Gjykatës Kushtetuese procedura për zgjedhjen e presidentit, “që nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë”, duhet të përfundojë “ jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual".

“Këto dy afate janë të ndërlidhura, në atë mënyrë që procedura duhet të zhvillohet brenda kufirit prej 60 ditësh dhe të përfundojë me zgjedhjen e presidentit jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”, u tha në vendim.

Presidentja Osmani ende nuk ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen pasi në fillim të këtij muaji Kushtetuesja e kishte pezulluar përkohësisht deri më 31 mars dekretin e presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit.

Ajo ia kishte ndaluar çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe punën e Kuvendit deri në përfundim të pezullimit.

Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit ishte dorëzuar nga kryeministri i Albin Kurti në emër të Qeverisë.

LVV: Gjykata konfirmoi se dekreti i Osmanit ishte në kundërshtim me Kushtetutën

Pas publikimit të vendimit, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, tha se Gjykata konfirmoi se dekreti i presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit ishte në kundërshtim me Kushtetutën.

“Veprimet në pozitat institucionale duhet të kryhen me përgjegjësi të lartë dhe pa inate personale. Ky moment duhet të shërbejë për reflektim dhe për angazhim të të zgjedhurve të popullit, në mënyrë që vendi të mos futet në një krizë të re dhe në një cikël të përsëritur zgjedhjesh”, shkroi Nagavci në Facebook.

Sipas saj, në ditët në vijim, LVV-ja do të angazhohet që të zgjidhet presidenti i ri dhe të shmangen zgjedhjet e reja, që i cilësoi “të panevojshme dhe të padrejta”.

Vendimi i gjykatës më të lartë në vend, nxiti reagime edhe nga njohës të zhvillimeve politike dhe juridike.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, shkroi në Facebook se vendimi nxori në pah se nuk ka normë kushtetuese e as praktikë gjyqësore që detyron deputetët të qëndrojnë në sallë gjatë zgjedhjes së presidentit.

Ndërkaq, njohësi i zhvillimeve politike, Ilir Deda, shkroi se Kushtetuta sqaroi “njëherë e përgjithmonë” çështjen e zgjedhjes së presidentit.

“Shkurt e shqip, nëse nuk mund të merreni vesh - pa imponim, shkohet në zgjedhje”, tha ai.

Si erdhi deri këtu?

Në seancën e 5 marsit, partia në pushtet i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, pasi bisedimet paraprake mes Kurtit dhe dy partive kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për një emër të pranueshëm, nuk kishin dhënë fryt.

Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi, pasi ishte braktisur nga partitë opozitare.

Një ditë pas ndërprerjes së seancës më 5 mars, Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe e mbajti menjëherë një takim partitë politike për të folur për datën e zgjedhje të parakohshme

Në takim morën pjesë kryetarë të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por jo edhe partia e kryeministrit Kurti.

SHIKONI EDHE: Presidentja shpërndan Kuvendin, LVV-ja e çon dekretin në Kushtetuese

Osmani e arsyetoi dekretin e saj, duke thënë se 5 marsi ishte afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës – meqë mandati i saj përfundon më 4 prill – por që deputetët kishin dështuar t’i përmbushnin afatet ligjore.

Por, Partia në pushtet nguli këmbë se dekreti i Osmanit nuk kishte bazë, meqë procedurat për zgjedhjen e presidentit i kishte nisur më 5 mars dhe se kishte afat prej 60 ditësh për ta përfunduar procesin, prandaj edhe u ankua në Kushtetuese.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Për partitë opozitare, dy emrat e paraqitur nga partia në pushtet ishin të papranueshëm dhe ato këmbëngulën në marrëveshje politike ose të paraqitej një emër i pranueshëm për të gjithë.

Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo ajo nuk gëzoi mbështetjen e partive.

Për partinë në pushtet, ajo nuk i kishte votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit.