Kuvendi i Kosovës i bën nderime kongresistit të ndjerë amerikan, Eliot Engel

Një fotografi e kongresistit të ndjerë amerikan, Eliot Engel, qëndron para foltorës së Kuvendit të Kosovës, teksa në prapavijë shihen kryeministri Albin Kurti, dhe u.d. e presidentit Albulena Haxhiu, gjatë një seance në nderim të tij, 24 prill.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës i kanë bërë nderime në një seancë përkujtimore të premten ish-kongresistit amerikan, Eliot Engel, i cili vdiq më 10 prill në moshën 79-vjeçare.

Një fotografi e Engelit – njërit prej mbështetësve më të mëdhenj të Kosovës – u vendos pranë foltores së Kuvendit nga ku zyrtarë të lartë e deputetë të Kosovës shprehën respekt dhe vlerësim të lartë për figurën e tij.

Eliot u përkujtua si zëri i lirisë, çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës.

SHIKONI EDHE:

Vdiq Eliot Engel, mbështetësi i madh i Kosovës në Kongresin amerikan

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, tha se e kujton Engelin si një figurë që i doli përkrah Kosovës në ditët më të vështira.

“Ai kërkoi liri për popullin të Kosovës, duke shpërfaqur kështu virtytet e larta njerëzore të një politikani të rrallë dhe të një njeriu të madh. Në vitet e ’90-ta, kur shqiptarët e Kosovës po vuanin nën regjimin e [ish-liderit serb Sllobodan] Millosheviqit dhe bota ende hezitonte të vepronte, Eliot Engel ngriti zërin”, tha Haxhiu.

Engel, demokrat, kishte përfaqësuar pjesë të Bronksit - një lagje e qytetit të Nju Jorkut me një popullsi të madhe dhe politikisht aktive shqiptare - që nga viti 1989.

Kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë kosovarë mbajnë një minutë heshtje në nderim të kongresistit të ndjerë amerikan, Eliot Engel, në një seancë përkujtimore kushtuar atij të premten, më 24 prill.

Ai kishte qenë ndër ligjvënësit e parë amerikan që i ka bërë thirrje administratës së Bill Clintonit të ndërhyjë, në vitin 1998, për të ndaluar veprimet e forcave jugosllave dhe serbe në Kosovë.

Një dekadë më vonë, ai ishte edhe më i zëshmi në Kongres për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga SHBA-ja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e lartësoi Engelin si “mik dhe mbështetës të madh të shqiptarëve në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti”.

“Ai nuk hezitoi asnjëherë të ngrejë zërin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pozicionohej në anën e drejtë të historisë. Për më tepër, ai avokoi dhe u angazhua pa u kursyer që të drejtat të triumfojnë”, theksoi Kurti.

SHIKONI EDHE:

Engel: Serbia të mos ia ngulë thikën pas shpinës Kosovës

Kurti e vlerësoi Engelin si shërbyes të përkushtuar të qytetarëve amerikanë dhe përfaqësues të fuqishëm për të drejtat e njeriut dhe ato civile “kudo në botë e sidomos për ne” për më shumë se tri dekada në Kongresin amerikan.

“Kongresisti Engel i qëndroi besnik angazhimit për kombin tonë, që kur u njoh për së afërmi me të”, shtoi ai.

Kurti gjithashtu e citoi një deklaratë të Engelit nga një ceremoni për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës më 2018 në Kuvendin e shtetit “të cilin kongresisti Engel ishte i bindur se do të bëhej”

“Ai tha, po citoj: ‘Dua ta shoh Kosovën të njohur nga secili shtet në botë, dua ta shoh Kosovën të anëtarësuar në Kombet e Bashkuara, dua ta shoh Kosovën në NATO dhe dua ta shoh Kosovën në Kombet e Bashkuara’”, citoi Kurti Engelin.

Mbështetja e palëkundur për Kosovën, gjatë dekadave të tëra, e ka bërë Engelin të famshëm në Kosovë.

Kosova ka emëruar një rrugë dhe një autostradë për nder të Engelit dhe, madje, ka lëshuar një pullë postare me fotografinë e tij.

SHIKONI EDHE:

Engel i përgjigjet admiralit Foggo: Rruga e Serbisë e mbyllur derisa s’e njeh Kosovën

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Vlora Çitaku, e vlerësoi Engelin si një njeri që kishte ndërtuar “ura të padukshme, por të fuqishme mes një vendi të vogël dhe një bote të madhe”.

“Eliot Engel e kishte bërë atë që pak njerëz arrijnë ta bëjnë në politikë: kishte lënë gjurmë në ndërgjegjen e njerëzve. Atëherë e kuptova që misioni im ishte shumë më i lehtë, nuk kisha detyrë vetëm të krijoja miq, por t’i nderoja miqësitë që Engel i kishte krijuar për ne”, tha Çitaku, duke iu referuar kohës së vet si ambasadore e Kosovës në Uashington nga viti 2015 deri në vitin 2021.

“Engel ishte zëri që mbështeti Kosovën në ditët më të errëta të okupimit. Ai ishte zëri që mbështeti luftën tonë çlirimtare, pavarësinë e Kosovës dhe njohjet e reja”, shtoi ajo.

Jehona Lushaku e Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se vendi ndien dhe ndan dhimbjen për humbjen e Engelit, duke e quajtur atë “zë të fuqishëm të lirisë sonë në momentet më të vështira të historisë së vendit tonë”.

“Kur gjenocidi serb po e sundonte vendin tonë, një dritë e një zyre rrinte gjithmonë ndezur në Kongresin amerikan në Uashington: ishte drita e kongresistit Eliot Engel”, tha Lushaku.