Ndërlidhjet

Engel i përgjigjet admiralit Foggo: Rruga e Serbisë e mbyllur derisa s’e njeh Kosovën


Eliot Engel
Eliot Engel

Kongresisti Eliot Engel, kryetar i Komitetit për Çështje të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, i shkroi letër komandantit të Forcave Detare të SHBA-së në Evropë, në lidhje me një intervistë të tijën që adreson politikën amerikane ndaj Serbisë.

Duke cituar një raport të Departamentit amerikan të Mbrojtjes, Engel shfaqi shqetësimin se komentet e fundit të admiralit James Foggo nuk e reflektojnë plotësisht politikën amerikane ndaj Serbisë.

“Ndaj të njëjtën shpresë me ju se Serbia, një ditë, mund t’i bashkohet NATO-s, por ajo ditë nuk është afër. Dhe, rruga e saj drejt Bashkimit Evropian po ashtu mbetet e mbyllur derisa nuk e njeh dhe nuk bën paqe me Kosovën. Prandaj, ju bëj thirrje që në komentet e ardhshme për Serbinë, t’i balanconi më me kujdes deklaratat, në mënyrë që ato të shprehin me saktësi shqetësimet e SHBA-së për rrugën e Beogradit dhe për marrëdhëniet e tij alarmuese me Moskën”, shkroi Engel në letrën drejtuar admiralit Foggo.

Në nëntor të vitit të kaluar, Radio Evropa e Lirë ka siguruar një raport të Departamentit amerikan të Mbrojtjes, ku është vlerësuar se bashkëpunimi i Serbisë me Rusinë është rritur prejse Partia Përparimtare Serbe e presidentit Aleksandar Vuçiq ka marrë pushtetin në Serbi në vitin 2012.

“Serbia ofron mjedisin më të butë për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor”, ka vlerësuar Departamenti amerikan i Mbrojtjes, duke përmendur një sërë marrëveshjesh të nënshkruara midis Beogradit dhe Moskës.

Engel, në letrën dërguar admiralit Foggo, u bën jehonë gjetjeve të këtij raporti dhe thotë se para se Vuçiq dhe partia e tij të merrnin pushtetin, marrëdhëniet dypalëshe ushtarake të Serbisë me Rusinë kanë qenë të vogla.

“Diplomatët e Shteteve të Bashkuara, për kohë të gjatë, kanë shprehur pakënaqësi me gatishmërinë e Beogradit për të anuar kah Lindja dhe Perëndimi. Serbia nuk e ka harmonizuar politikën e saj të jashtme me Bashkimin Evropian, edhe pse këtë e kërkon procesi i saj i anëtarësimit në BE, dhe ajo vazhdon të refuzojë një sërë prioritetesh të përbashkëta SHBA-BE”, tha Engel.

Në intervistën dhënë për ueb-faqen e lajmeve European Western Balkans në Beograd, në dhjetor të vitit 2019, Foggo ka thënë se i përket Serbisë të vendosë për bashkëpunimin e saj me NATO-n.

“Unë shoh se bashkëpunimi është duke u përmirësuar. Tani për tani, ato [v.j. Serbia dhe NATO-ja] janë partnere dhe vendi juaj është shumë i lumtur për këtë. Kjo është e shkëlqyeshme. Edhe ne jemi në rregull me këtë”, ka thënë Foggo.

“Ju do të zgjidhni se çfarë dëshironi të bëni dhe sa larg dëshironi ta çoni këtë marrëdhënie dhe ne do të jemi aty për ju”, ka shtuar ai.

“Në fund të fundit do të ishte mirë të shohim që Serbia dëshiron të bëhet anëtare e NATO-s”.

“Ka 1,600 gjëra që mund të zgjidhni nga ato që mund të bëni me NATO-n”, ka thënë Foggo.

Serbia, e cila në vitin 1999 është bombarduar nga NATO-ja për shkak të dhunës së saj në Kosovë, këmbëngul se statusi i saj ushtarak është neutral.

Foggo po ashtu ka thënë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm dhe ka shfaqur shpresën se dy vendet do t’i rikthehen këtij procesi.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG