Kuvendi i Kosovës i ka ratifikuar të premten marrëveshjet e vendit me Bashkimin Evropian dhe Bankën Botërore, në vlerë të rreth 1 miliard eurove.
Deputetët nuk kanë arritur pajtueshmëri për projektligjin për buxhetin, andaj pas konsultimeve mes shefave të grupeve parlamentare, seanca është shtyrë për të hënën në orën 10:00.
Sipas projektbuxhetit, që e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, buxheti i përgjithshëm i shtetit për vitin 2026 është rreth 4 miliardë euro.
Nga shuma totale prej 3.955.595,904 miliardësh, 998 milionë euro janë ndarë për investime kapitale, ndërsa pjesa më e madhe e buxhetit, apo mbi 1.3 miliard euro, parashihet të shpenzohen për subvencione dhe transfere.
Mbi 980 milionë euro janë ndarë për pagat dhe shtesat e mbi 91 mijë punonjësve të sektorit publik. Mallrat dhe shërbimet do të kushtojnë 509 milion euro, kurse shpenzimet komunale mbi 35 milionë euro.
Partitë shqiptare në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), por edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e kanë kritikuar votimin e projektligjit për buxhetin, duke thënë se nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për ta lexuar gjithë dokumentin.
Sipas tyre, për disa ministri as nuk është planifikuar buxhet.
SHIKONI EDHE: “Kurti 3” - nga zotimi për reduktim te zgjerimi i kabinetitOpozita ka kërkuar tri ditë shtesë për ta shqyrtuar projektligjin, si dhe e kanë ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që të jetë prezent në sallë për të diskutuar.
Deputetët opozitarë e kanë arsyetuar mosvotimin e tyre, duke thënë se një ditë më parë e kanë mbështetur propozimin e Qeverisë për zgjatjen buxhetore për muajin mars nga buxheti i vitit të kaluar.
Kjo zgjatje ka qenë e domosdoshme që të mos ketë ndërprerje në pagat e punëtore të sektorit publik dhe pagesave të tjera.
SHIKONI EDHE: Deputetët miratojnë zgjatjen buxhetore për muajin marsMinistri Murati e ka pranuar se disa ministri të reja nuk kanë buxhet, mirëpo e ka përmendur urgjencën e miratimit të projektligjit të ri dhe është zotuar se do të ketë ndryshime e rishikime të buxhetit gjatë javëve e muajve në vazhdim.
Marrëveshjet ndërkombëtare
Në nisje të seancës, deputetët janë pajtuar për një shmangie nga procedurat që parashihen nga Kuvendi për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, për shkak të rëndësisë së miratimit të tyre sa më parë që është e mundur.
Marrëveshja e miratuar mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian kap vlerën e 882 milionë eurove.
Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor – për periudhën 2024-2027 - është në vlerë të 6 miliardë eurove. Nëse analizohen ndarjet buxhetore, Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro – 253 milionë si grant dhe 629 milionë euro në formë të kredisë – që do të thotë se përfiton më së shumti fonde në rajon për kokë banori.
Kuvendi i ka ratifikuar të dyja marrëveshjet e nevojshme për t’i siguruar fondet: atë që e mundëson paketën e planit dhe planin e reformave dhe tjetra për marrëveshjen e kredisë.
Pas votimit në Kuvend, Zyra e BE-së në Kosovë ka mirëpritur ratifikimin e marrëveshjeve që lidhen me Planin e Rritjes.
“Kjo i hap rrugë Kosovës që të përfitojë nga 882 milionë euro në grande dhe kredi të favorshme të orientuara drejt zbatimit të reformave për avancimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane”, ka thënë kjo zyrë në një postim.
Kosova i ka ratifikuar edhe tri marrëveshjet me Bankën Botërore. Afati i fundit për miratimin e një pjese të fondeve ka qenë pikërisht e premtja e 13 shkurtit.
Tri marrëveshjet parashohin programe në sfera të ndryshme:
- njëra në vlerë të 90.3 milionë eurove është për financim të politikave zhvillimore, efektivitet fiskal, konkurrueshmëri dhe rritje të gjelbër,
- dy tjerat, secila në vlerë në 18.6 milionë eurove parashohin forcimin e sistemit të shëndetësisë dhe edukimin në fëmijërinë e hershme, si dhe kujdesin për kapitalin njerëzor të Kosovës.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se marrëveshjet me Bankën Botërore janë ndër më të favorshmet për vendin, pasi kanë normë interesi 0 për qind.
Për këto marrëveshje, dhe rrezikun e humbjes së këtyre fondeve, është folur gjithë vitin e kaluar, meqë Kosova ka qenë pa institucione funksionale për t’i çuar ato përpara.
Qeveria e re, në krye me kryeministrin Albin Kurtin, i ka fituar votat e nevojshme më 11 shkurt, pas konstitutimit të Kuvendit të Kosovës.
SHIKONI EDHE: Kurti rikthehet pas gati një viti në detyrëKurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, ka fituar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend.