Ndërlidhjet

Deputetët miratojnë zgjatjen buxhetore për muajin mars

Kuvendi i Kosovës më 11 shkurt gjatë votimit të Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti.
Kuvendi i Kosovës më 11 shkurt gjatë votimit të Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti.

Deputetët e legjislaturës së dhjetë kanë mbështetur propozimin e Qeverisë për zgjatjen buxhetore për muajin mars nga buxheti i vitit të kaluar.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se për shkak të mosmiratimit të buxhetit të ri për këtë vit, kjo zgjatje është e nevojshme që të mos ketë ndërprerje në pagat e punëtore të sektorit publik dhe pagesave të tjera.

Propozimi u përkrah nga 99 deputetë të Kuvendit.

Më herët gjatë ditës, Qeveria e re e zgjedhur një ditë më parë procedoi në Kuvend projektbuxhetin për këtë vit. Megjithatë, ai ende nuk është shqyrtuar nga legjislatura e re.

Kjo është hera e dytë brenda pak muajsh që shteti ka financuar pagat përmes zgjatjeve buxhetore. Nëntorin e vitit të kaluar, bazuar në Ligjin për menaxhimin e financave publike, u aktivizua një nen i këtij ligji që shteti të ketë buxhet për dy muajt e parë të vitit 2026.

Ky nen u aktivizua pasi u shpallën zgjedhjet dhe ligji parasheh ndarje buxhetore kur ka zhvillohen zgjedhje më pak se katër muaj para vitit të ri fiskal, apo 1 janar.

Ndërkaq, buxheti i ri i shtetit për vitin 2026, sipas Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, pritet të jetë në vlerë prej rreth 4 miliardë eurosh.

Po ashtu, gjatë seancës së parë të legjislaturës së re, deputetët kanë votuar edhe përbërjet e 16 komisioneve parlamentare.

XS
SM
MD
LG